Albspirit

Media/News/Publishing

Reshat Kripa: Përjetësisht (2)

Image result for reshat kripa

 

 

Në gjurmët e një romani të pabotuar (2)

Pjesa e dytë

Ora e historisë. Profesori po shpjegonte temën mbi Konferencën e Labinotit në shtator të vitit 1943. Ligjërata e tij vazhdonte:
– Me ardhjen e pushtuesve nazistë, i gjithë reaksioni u bashkua rreth tyre.
Kuislingët e kallëpeve të ndryshme shpresonin tani se me ndihmën e ushtrisë gjermane do ta shkatërronin Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Ata bënin lojën e dyfishtë, nga njëra anë bashkëpunonin me forcat gjermane të pushtimit dhe nga ana tjetër mbanin lidhje me misionet ushtarake angleze, të cilat nga ana e tyre përpiqeshin që të mbanin gjallë forcat dhe lëvizjet kundërrevolucionare në Shqipëri. Konferenca II Nacionalçlirimtare u mblodh me vendim të Partisë Komuniste Shqiptare. Ajo shënoi një etapë të rëndësishme në thellimin e procesit revolucionar të luftës, në bashkimin politik të popullit shqiptar rreth Frontit Nacionalçlirimtar, në zgjerimin e luftës së armatosur kundër pushtueve gjermanë dhe bandave që ishin vënë në shërbim të tyre.
Arbëri kishte humbur në botën e tij. Dëgjonte shpjegimin e profesorit dhe në vesh i ushtonin fjalë dhe shprehje të ndryshme si kuislingë, tradhëtarë, fronti nacionalçlirimtar e të tjera dhe para syve i shfaqej figura e të atit për të cilin e ëma i kishte thënë se ishte rreshtuar në anën e nacionalistëve. I shfaqej figura e tij dhe mendonte: Po i ati, në ç’pozicion kishte qenë? E ëma i kishte thënë se ai kishte dalë për të luftuar pushtuesit, kurse historia në shkollë fliste ndryshe. Cilën të besonte, të ëmën apo historinë që mësohej në shkollë? Kush ishte e vërteta? Ndërgjegja e tij i thoshte se i ati ishte një luftëtar i lirisë, ndërsa, sipas shpjegimit të profesorit, ishte e kundërta.
Profesori e vuri re që ai kishte humbur në mendime dhe i foli:
– Arbër a je këtu?
Arbëri dëgjoi emrin e tij dhe ngriti kokën.
– Urdhëroni profesor! – tha pa vetëdije.
– Më thoni, çfarë shpjegova deri tani?
Arbëri u zu ngushtë dhe nuk dinte se çfarë të thoshte. Heshti.

Profesori, që e njihte si një nxënës të shkëlqyer, nuk e ngacmoi më tepër.
Pas tre ditësh. Përsëri ora e historisë. Profesori hyri në klasë dhe pasi bëri apelin thirri:
– Arbër, në dërrasë!
Arbëri u ngrit dhe u drejtua për në dërrasën e zezë. Mendoi se profesori e kishte ngritur për të provuar se sa kishte mësuar duke u nisur nga incidenti i orës së kaluar. Ndaj filloi të ligjëronte. Profesori mbeti i habitur nga rrjedhshmëria e të folurit.
– Uluni, dhjetë – i tha kur ai mbaroi.
Arbëri u ul dhe u zhyt përsëri në ëndërime. Si do të kishte reaguar i ati sikur të ishte gjallë dhe ta kishte dëgjuar? A do ta pranonte një ligjëratë të tillë? I dukej sikur një çekan i madh dhe i rëndë e godiste në kokë.
– Përse, përse kështu? – pyeste veten.
Kjo pyetje e brengoste më tepër, madje i ngjallte edhe një ndjenjë mosbesimi në ndërgjegje. Vendosi ta bisedonte me t’ëmën. Në mbrëmje i shpjegoi se çfarë kishte ndodhur.
– Dëgjo, biri im! Sot jetojmë në një botë të vështirë ku nuk di njeriu se ku ta gjejë veten, ndaj duhet të gjesh rrugën e drejtë për të ecur përpara. Duhet të mendohesh para se të veprosh. Gjithmonë duhet të kesh kujdes që të mos pengohesh dhe të biesh. Një gjë duhet të kesh parasysh mbi të gjitha, të mbetesh njeri.
Arbëri u ngrit dhe shkoi të shtrihej. Atë natë e kaloi plot me ëndrra të ndryshme ku. mbi të gjitha, i shfaqej figura e të atit që i pëshpëriste:
– Ndiq rrugën time bir!
* * *Si zakonisht atë pasdite Arbëri dhe Petriti, pasi bënë disa xhiro në bulevardin e qytetit, vendosën të ulen në lulishten aty pranë për të pushuar. U ulën në një nga stolat e saj. Përballë tyre, në një stol tjetër, qëndronte në heshtje një vajzë. Qëndronte si e ngrirë me sytë të drejtuar drejt qiellit. Kishte humbur në botën e ëndrrave aq sa nuk e vuri re praninë e tyre. Në sytë e saj çunat dalluan disa gjurma lotësh.
– Vajzë, çfarë ju mundon? – foli Arbëri duke i shkuar pranë.
Ajo ngriti kryet dhe po vështronte. Nuk foli. Arbëri e kuptoi se ajo nuk ishte në këtë botë. I përsëriti pyetjen. Vajza u përmend. U ngrit dhe filloi të largohej si një somnambul.
– Qëndroni! – foli Arbëri. – Çfarë brenge ju mundon? Mos ju kanë ndëshkuar prindërit? Mos ju ka ndëshkuar mësuesi?
Vajza qëndroi.
– Ne jemi vëllezërit e tu, – shtoi Petriti.
Çuditërisht vajzës i dukej se këta dy djem i flisnin me çiltërsi. U kthye.
– Kam patur një ëndërr të bukur, – filloi. – Besoja se ajo do të vazhdonte për jetë. Por nuk ndodhi kështu. Shpata e Demokleut e preu atë në mes.
– E pastaj? – folën njëzëri të dy djelmoshat.
– Pastaj? Ajo u shua dhe mua nuk më mbeti gjë tjetër veçse të lotoj. Ju më ringjallët dhe për këtë ju falënderoj. Tani më falni, dua të largohem. Mos më pyesni më.
U largua e ndjekur nga vështrimet e habitura të dy të rinjve.
Kaluan dy muaj. Arbëri po kthehej në shtëpi nga takimi që kishte patur me Petritin. Në kryqëzimin e një rruge i doli para vajza enigmatike e lulishtes. Të dy ndaluan dhe po vështronin njëri-tjetrin. Heshtjen e theu i pari Arbëri:
– A ju kujtohet…
Ajo nuk e la të vazhdonte por iu përgjigj:
– Patjetër, si s’më kujtohet.
– Atëherë le të njihemi, Arbër Dauti.
– Blerina Spaho.
Shtrënguan duart dhe Arbëri ftoi për ta qerasur në një bar aty pranë. Pranoi. U ulën. Porositi dy akullore. E para foli Blerina:
– Lejomëni t’iu falënderoj edhe një herë për fjalët që më thatë atë ditë. Më zgjuat nga letargjia ku kisha rënë.
Nuk dua t’iu detyroj – iu përgjigj ai në të njejtën mënyrë, – por, nëse e shikoni të arsyeshme, a mund të më tregoni në çfarë letargjie keni rënë?
Blerina u mendua disa çaste. Çuditërisht ky djalë sepse i ngjallte besim.
– Nuk e di nëse kam të drejtë por parandjenja më shtyn të besoj se kam të bëj me një djalë fisnik dhe të arsyeshëm, Kjo ndjenjë më lindi qysh në çastin kur u njoha me ju. Ndaj do t’iu tregoj të vërtetën time fatkeqe, – i tha dhe vazhdoi: – Më falni se do të duket si mburrje. Jam një nxënëse e shkëlqyer. U dashurova me një shokun tim të klasës. Ai ishte poet. Thurrte vazhdimisht vargje që m’i deklamonte. Kështu më rrëmbeu zemrën. Jam vetëm pesëmbëdhjetë vjeçe. E përfytyroja veten si një Zhuljetë të vendit tim. Besoja në dashurinë e përjetshme. Por u zhgënjeva. Kisha gabuar drejtim. Djali me të cilin isha lidhur donte të më përdorte si një lodër në duart e tij. Mendoja se edhe ai do të ishte një Romeo por koha tregoi se ai nuk ishte i tillë. Një ditë e pashë kur flirtonte me një vajzë tjetër. U trondita jashtë mase. Ika me vrap dhe qëndrova në stolin e lulishtes ku më gjetët ju. Fillova të qaj. Qaja pa nxjerrë zë. Nuk e di se sa vazhdoi kjo por u ktheva në këtë botë vetëm kur më folët ju.
Ajo fliste por mendja e Arbërit kishte fluturuar. Cila ishte kjo vajzë që për moshën që kishte kishte këtë llogjikë?
– Blerina, – i foli, – kush janë ata prindër të mirë që kanë rritur një vajzë me një llogjikë të tillë?
– Jam vajza e vetme e një çifti ntelektualësh. Im atë ka qenë mësues Hektori, ndërsa nëna mësuese Irma.
Arbëri i kishte njohur të dy, madje i ati i kishte dhënë edhe atij lëndën e matematikës, ndërsa e ëma mësuese letërsie. Ishin figura të njohura në tërë qytetin.
– Unë nuk e kam njohur tim atë – filloi ai të tregonte për veten e tij, – mua më ka rritur dhe edukuar nëna.
U bë gati t’i tregonte se e ëma kishte qenë mësuese letërsie, por e frenoi veten. Si mund t’ia shpjegonte arsyen se përse tani ajo punonte në ndërrmarjen bujqësore si punëtore. E shoqëroi deri te porta e shtëpisë. Ajo e ftoi për vizitë që të njihej edhe me prindërit e saj, por ai refuzoi me pretekstin se kishte lënë një takim.
U përshëndetën dhe u ndanë. Arbëri mori rrugën e shtëpisë por në mendjen e tij gjëmonte vetëm një emër, Blerina.
* * *Blerina ishte zhytur në ëndërrime. Ëndërronte jetën e saj. Herën e parë nuk kishte qëlluar në shenjë. Përse? Mos vallë ishte mosha e saj? Ndoshta. Po dashuria nuk ka moshë. Ajo të hyn në shpirt pa e kuptuar, dalëngadalë dhe një ditë shpërthen papritur. Kështu i kishte ndodhur edhe asaj me dashurinë e parë. Ishte një tip ëndërrimtar. Qysh fëmi kishte lexuar me endje libra të ndryshëm, madje edhe ato që nuk ishin për moshën e saj. Në moshën trembëdhjetëvjeçare kishte lexuar “Romeo dhe Zhuljeta”, “Ura e psherëtimave”, “Tristani dhe Izolda” e të tjera libra me këto tema. Ndaj ishte hedhur me gjithë fuqinë e shpirtit, duke menduar për një dashuri të përjetëshme, por bota në të cilën jetonte ishte e ndryshme nga ajo e romaneve. Jetonte në atë botë ku dashuria, në pjesën më të madhe të njerëzve, ishte shndërruar në një lodër për dëfrime të çastit apo përfitime të tjera.
Një fjalë e urtë thotë se koha rregullon çdo gjë. Zemra e saj filloi përsëri të rrahë me forcë. Qysh pas dy takimeve të para ajo takohej pothuajse në çdo dy-tri ditë me Arbërin. Te ky djalë ajo kishte gjetur një mik të vërtetë, një djalë me një karakter të veçantë. Tashti ishte në vitin e dytë të shkollës së mesme, ndërsa Arbëri në maturë. Kishte kaluar një vit nga takimi i tyre i parë dhe asaj i dukej sikur kishte përpara një person të denjë për të qenë shoku i jetës. Kështu në zemrën e saj filloi të shtrojë folenë përsëri ndjenja e dashurisë. Mundohej ta frenonte pasi mendonte se ndoshta Arbëri nuk e shikonte me këtë sy. Një duel i brendshëm zhvillohej në shpirtin e saj. Në mbrëmje rrinte me orë të tëra para se ta zinte gjumi.
Një ditë, kur ajo ishte zhytur në ëndrrat e saj, Arbëri i pëshpëriti:
– Blerina, të dua!
Një drithmë i përshkoi trupin. Nga sytë fillua t’i rridhnin lotë të nxehtë. Nuk fliste dot.
– Të dua Blerina – përsëriti Arbëri. – A dëshëron t’i lidhim bashkë fatet e jetës?
Ajo vazhdonte të mos fliste, por, në vend të fjalëve flisnin sytë e saj, flisnin lotët e saj. Arbëri e tërhoqi pranë vetes së tij. Vështroheshin sy më sy. Së fundi buzët u puthitën. Ishte puthja e parë e dashurisë së tyre. Aty u betuan se do t’i qëndronin besnikë njeri-tjetrit deri në përjetësi, çfardo që të ndodhte dhe sido të krijoheshin rrethanat.
Kështu jeta e tyre u lidh me një nyje të pazgjidhshme që zor se mund të këputej.
– Arbër, çfarë na lidhi kaq fort? Çfarë force veproi mbi ne? – pyeti Blerina.
– Forca e dashurisë së vërtetë, asaj dashurie që nuk njeh pengesa në rrugën e saj. Dua të të them diçka të veçantë, gjatë rrugës së jetës mund të na dalin shumë pengesa por unë jam i bindur se do t’i kalojmë ato.
Arbëri në këto fjalë shihte gjendjen e familjes së tij. I ati i kishte mbyllur sytë para kohe. E ëma, një arsimtare e dalluar që, çuditërisht, për arsye që ai nuk arrinte t’i kuptonte ishte shndërruar në pastruese shkolle dhe më vonë punëtore e ndërmarrjes bujqësore, kurse e dashura e tij ishte bija e dy arsimtarëve të shquar që qyteti i mbante në gojë. Kjo dilemë e brente nga brenda dhe nuk mund të rrinte pa ia shprehur edhe vajzës me të cilën donte të lidhej për jetë.
– Blerina, – i tha – dua të të them diçka pasi nuk dua që ta marrësh vesh nga të tjerët dhe të bëhet shkak për ndonjë mosmarrëveshje midis nesh.
– Çfarë është ajo?
– Nuk e di nëse ne përshtatemi si familje së bashku. Ti i përket një familje intelektuale, ndërsa nëna ime është një punëtore e thjeshtë në një ndërrmarje bujqësore.
U bë gati t’i tregonte se i ati kishte qenë një jurist i njohur dhe se edhe e ëma dikur kishte qenë një mësuese e njohur, por nuk guxoi. Kjo do të hapte një kapitull që ai nuk donte ta mendonte.
– E pastaj? – pyeti Blerina.
– Pastaj? Mos ka ndonjë mospërputhje që mund të na pengojë?
– I marrë! Mos vallë kjo e ka penguar nënën tënde të rrisë dhe edukojë një djalë të mrekullueshëm që shkelqen në shkollë dhe në jetë? Mos vallë kjo ka penguar prindërit e mi të rrisin dhe të edukojnë një vajzë me parime të larta për jetën? Po mundët përgjigjuni.
Arbëri nuk gjente fjalë për t’u përgjigjur. E rroku dhe filloi ta puthë me një afsh të nxehtë që nuk e kishte provuar më parë.
– Më fal! – i tha.
Ajo u shkri në përqafimin e tij.* * *

Erdhi edhe dita e fundit e shkollës së mesme. Në sallën e madhe të “Hotel Turizmit” zhvillohej ceremonia e mbylljes me maturantët. Merrnin pjesë mësues, prindër e të tjerë të ftuar nderi. Midis tyre edhe disa personalitete të larta. Arbëri ishte vetëm. E ëma, Afërdita, nuk mund të vinte në një ceremoni që zhvillohej në shkollën ku ajo dikur kishte dhënë mësim. I ruhej ndonjë përplasjeje me ndonjë. Ishte një fyerje për të një veprim i tillë dhe djali i dha të drejtë.
– Mos u mërzit mama – i tha s’ëmës. – Unë do të di se si ta ruaj krenarinë e familjes.
– Kujdes bir, – u përgjigj ajo, – Mos u lerë shkak për ndonjë gjë.
– Jo mama, mos u bëj merak!
Dhe, pasi e puthi, u nis për në shkollë. Në oborrin e saj takoi edhe Andrean me Elvirën dhe Petritin.
– Nuk ka ardhur mami? – pyeti Elvira.
Arbëri nuk u përgjigj.
Ceremoninë e hapi drejtori – shkollës. Ai për kujdesin e treguar nga partia për shkollat dhe i krahasoi arritjet me të kaluarën borgjeze të vendit. Foli për përparimet që kishte bërë kjo shkollë ndër vite duke e vënë gjithmonë theksin në reformën e re mësimore që po zbatohej në vend. Foli edhe për ndihmën e paçmuar që kishin dhënë miqtë e mëdhenj të shtetit të madh socialist, Kinës Popullore, për arsimin shqiptar në përgjithësi dhe për shkollën e tyre në veçanti. Drejtori kishte qenë në Republikën Popullore të Kinës vitin e kaluar në krye të një delegacioni të shkollave të mesme të qytetit, ku kishte marrë edhe premtimin për ndihma të mëdha.
Pas tij e mori fjalën Sekretari i Parë i Partisë i cili, pasi përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit, e drejtoi theksin në punën e mirë që kishin bërë mësuesit për edukimin e brezit të ri. Në mënyrë të theksuar lëvdatat e tij i atribuoheshin drejtorit të shkollës duke e cilësuar atë si një shembull të “Njeriut të ri socialist” që po ngrihej në vendin tonë.
Filloi ndarja e medaljeve të arta për nxënësit e shkëlqyer në mësime. Ishin pesë maturantë që e meritonin këtë medalje. Midis tyre Arbëri dhe Petriti. Drejtori i shkollës filloi të thërrasë emrat e nxënësve fitues dhe t’u dorëzonte medaljet. Ata falënderonin dhe premtonin se do të bëheshin kuadro të afta për të çuar më përpara shoqërinë socialiste. Arbëri priste të thirrej edhe emri i tij. Në deftesat e të katër viteve shihej vetëm nota “10” dhe pas saj shënimi “Shumë mirë”. Por kjo nuk ndodhi.
Ceremonia zyrtare mbaroi dhe të gjithë u ulën nëpër tavolina për të shijuar një koktej të shtruar për nder të tyre. Orkestra filloi të ekzekutojë muzikë vallzimi. Çiftet ngriheshin njeri pas tjetrit. Vetëm Arbëri rrinte ulur në tavolinën e tij. Petriti i pëshpëriti me zë të ulët:
– Po ti pse rri sikur të janë mbytur gjemitë? Ngrihu që t’u tregosh të tjerëve se kush je!
Ai nuk i ktheu përgjigje. Një shoqe e klasës iu afrua dhe e ftoi për vallëzim. Arbëri e refuzoi duke pretenduar se po i dhimbte koka. Ajo e kuptoi arsyen dhe u largua. Maturantët filluan të pëshpërisin me zë të ulët. Të gjithë i dinin rezultatet e tij. Ai vazhdonte të qëndronte i heshtur në qoshkun ku ishte ulur. Drejtori i shkollës, për të përmbysur këtë gjendje, ndërhyri me shpejtësi dhe propozoi që, sipas dëshirës, të recitohej ndonjë poezi, të tregohej ndonjë anekdote, apo gjëra të tjera të këtij lloji. Për të dhënë shembullin e filloi vetë me një të tillë. Pastaj vazhduan dhe të tjerë. Pas çdo anekdote apo recitimi në sallë buçisnin duartrokitjet e rastit. Gjëndja ndryshoi.
Arbërit i lindi idea se duhej të bënte diçka., duhej t’i kundërvihej këtij diskriminimi. Por si? U mendua. Papritmas iu kujtua poezia “Ultima Verba” e Viktor Hygoit. U ngrit dhe kërkoi të recitonte edhe ai një poezi. Një heshtje mbuloi fjalët e tij. Nuk foli asnjeri. Filloi të recitojë. Kur arriti në strofën e fundit zërin e ngriti më lart:
Njëmijë po të mbeten, do mbetem edhe vetë,
Edhe njëqind të bëhen, nuk tundem jo q’aty,
I dhjeti do të jem, po qe se mbeten dhjetë,
E në mbet vetëm një, unë do jem ay!
Vetëm disa duartrokitje të rralla u dëgjuan por edhe ato u shuan shpejt. Arbëri u ul përsëri në tavolinë por nuk qëndroi gjatë. U ngrit dhe u drejtua nga hyrja. Petriti e ndoqi. Kur dolën në koridor e pyeti:
– Vendose?
– Nuk kam rrugë tjetër, – ishte përgjigja. Petriti u kthye në sallë. Mësuesi kujdestar iu afrua dhe e pyeti ku kishte shkuar Arbëri
– Kishte një dhimbje koke – u përgjigj Petriti.
Por mësuesi e dinte arsyen. Ai ishte një nga mësuesit e rrallë të asaj shkolle që e admironte Arbërin për inteligjencën e tij por nuk kishte fuqi t’u kundërvihej eprorëve.
Arbëri u kthye në shtëpi. E ëma e pyeti për mbrëmjen dhe ai i tregoi gjithçka kishte ndodhur. Ajo i tha:
– Rrofsh, je biri i denjë i atij babe! Eja ul pranë meje. Të kam premtuar se do të të tregoj gjithçka kur të arrish moshën e pjekurisë dhe ti tani je pikërisht në atë moshë…
Arbëri e vështroi i habitur. Ata kishin biseduar e stërbiseduar kushedi sa herë me njeri-tjetrin, i kishin thënë e stërthënë të gjitha çështjet, ndaj ai nuk arrinte të kuptonte se çfarë kishte mbetur më.
– Tani ti i ke kaluar të tetëmbëdhjetat. Përfundove edhe shkollën e mesme. Nuk je më fëmijë. Ke hyrë në një fazë më të lartë, ndaj dua të të them diçka që nuk mund ta thoja më parë.
– Jam në pritje, më thoni.
Nëna mbeti në mëdyshje. Kishte biseduar me Andrean dhe ai e kishte këshilluar që të merrte guximin t’ia thoshte të birit të vërtetën, pasi ai tashmë ishte në një moshë që do ta kuptonte arsyen përse ajo nuk i kishte treguar. Një ditë ai patjetër do ta merrte vesh të vërtetën dhe do të ishte më mirë ta mësonte nga e ëma se sa nga të tjerët.
Kështu që vendosi të fliste, por donte të kishte dikë pranë për ta ndihmuar të shprehej ashtu siç duhej. Sikur të kishte gjallë t’ëmën do ta kishte më të lehtë, por ajo kishte tre vjet që ishte larguar nga kjo jetë.
E mblodhi veten dhe u shkëput nga dilema.
– Jo bir, ti tani je burri i kësaj shtëpie dhe unë dua të bisedoj me ty si midis dy të rriturve.
– Jam gati nënë, po të dëgjoj, – përsëriti djali dhe qëndroi përballë saj sikur të ishin dy moshatarë.
Nëna e vuri re qëndrimin e të birit dhe kjo i dha zemër të fillonte:
– Kur ishe i vogël gjithmonë më pyesje se kur do të takojmë babin dhe unë të thoja se ai ka fluturuar në qiell dhe na pret atje. Duke u rritur e kuptove se ai kishteshkuar në botën tjetër, por më pyesje vazhdimisht se ku e ka varrin që të vendosnim një tufë me lule mbi të. Unë heshtja, nuk dija se si të përgjigjesha dhe kjo ndodhte sepse babi yt nuk kishte varr.
– Nuk kishte varr? Si është e mundur?
– Po biri im. Ky është atdheu ynë. Dëgjomë dhe, të lutem, mos më ndërpre.
Ati yt u kthye nga Franca kur Shqipëria ishte në prag të pushtimit të Shqipërisë. Në universitetin e Sorbonës, ku kishte kryer studimet për jurist, ishte njohur me Resulin që studionte për psikologji. Kishin krijuar një shoqëri të ngushtë. Sokoli hapi një zyrë avokatie ku u shërbente nevojtarëve që i paraqiteshin, ndërsa Resuli filloi punë si mësues i psikologjisë në shkollën e mesme.
Pushtimi i vendit nga fashistët italianë ndikoi në marëdhëniet midis dy shokëve.
Ata kishin botëkuptime të ndryshme. Sokoli u rradhit në anën e nacionalistëve, ndërsa Resuli në atë të komunistëve. Megjithatë i ruajtën marëdhëniet e mira. Të dy ishin pjesëmarrës të konferencës së madhe të përbashkët që u organizua midis përfaqësuesve të të dy rrymave për një bashkëpunim më të mirë në luftën kundër okupatorit. Por vendimet e kësaj konference nuk mundën të zbatohen. Pala komuniste i hodhi poshtë ato, kështu që miqtë e dikurshëm u kthyen në armiq.
Babai e kishte zyrën avokatore pranë shtëpisë tonë. Ne kalonim vazhdimisht pranë saj, sa herë hynim apo dilnim nga shtëpia. Kështu që u njohëm dhe u dashuruam me njeri-tjetrin. Pas tre vitesh u martuam.. Deri atëherë unë banoja vetëm me nënën time. Babai im dhe gjyshi yt kishte emigruar që herët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe Sokoli, si unë, ishte djalë i vetëm. Prindërit i kishin vdekur. Kështu që jetonim të tre së bashku.
Sokoli ishte një njeri parimor dhe kurrë nuk i shkelte ato. Nëna u ngrit dhe nxorri nga sënduku programin që i kishte lënë i shoqi.
– Lexoje – i tha.
Arbëri e lexoi dhe me një thjeshtësi të veçantë i tha:
– Po ky duhet të jetë programi i çdo qeverie demokratike.
– Po, biri im, për këtë program dha jetën yt atë. Këto ishin parimet e tij kryesore dhe këto mundohej t’i zbatonte në çdo hap të jetës. Por fati i kishte caktuar destinacion tjetër. Nuk kishim më shumë se një vit që ishim martuar dhe po bisedonim të tre në shtëpinë tonë. Kisha dy muaj që kisha konstatuar që isha shtatzanë. Ishte shtatori i vitit të dytë të pasluftës. Ora e murit tingëlloi dhjetë herë. Në portë u dëgjua një tringëllimë e fortë. Ne shikuam njeri-tjetrin në sy. Kush mund të ishte në atë orë të vonë?
Sokoli u ngrit dhe u drejtua nga porta.
– Kush është? – pyeti.
– Forcat e mbrojtjes popullore, – iu përgjigj një zë që Sokolit iu duk mjaft i njohur.
Hapi portën. Para tij qëndronte shoku i shkollës, Resuli, i shoqëruar nga katër persona të tjerë me uniformë ushtarake. Hynë në koridor dhe atje Resuli thirri me zë të lartë:
– Në emër të popullit je i arresuar!
– I arrestuar, e përse?
– Si armik i popullit.
Njëri nga ushtarët i hodhi prangat në duar. Unë, si e çakërdisur klitha:
– Mos ma merrni Sokolin tim! Ai nuk ka bërë asgjë – dhe u hodha ta përqafoj.
Nëna pushoi për disa çaste. Arbërit iu kujtue se këtë klithje të saj e kishte dëgjuar edhe në shfaqjen e dramës “Lulja e kujtimit”.
Afërdita vazhdoi:
– Njeri nga ushtarët më shtyu me forcë dhe unë rashë në korridor. Sokolin e rrëmbyen hienat dhe u larguan.
Të nesërmen shkova në degën e punëve të brendëshme për të pyetur por as që më pranuan. Vetëm pas një jave më lajmëruan që t’i sillja teshat.
Kisha mbetur e çoroditur. Nuk dija si të veproja. Vendosa të shkoj në shtëpinë e Resulit. Trokita. Portën e hapi e shoqja.
– Çfarë kërkoni? – pyeti me një zë të akullt.
Unë mbeta e habitur. Përse u soll ashtu? Hija e saj vazhdonte të qëndronte para portës.
– Dua të bisedoj me burrin tuaj, – i thashë.
– Burri im e ka një zyrë, – më tha dhe mbylli derën.
U ktheva në shtëpi me zemër të thyer. Nuk e shpresojakurrë se do të më priste në atë mënyrë. Nuk më mbeti gjë tjetër veçse t’i nënshtrohesha fatit. Shkoja çdo ditë në degë për t’u interesuar për tim shoq por çdo gjë binte në vesh të shurdhër. Askush nuk më kthente përgjigje. Madje nuk më pranonin asnjë ushqim për të.
Kështu kaluan katër muaj. Një ditë erdhi dikush që solli lajmin e kobshëm: Sokoli i kishte mbyllur sytë si pasojë e një ataku kardiak.
Vetëm pas pesë vitesh mësova të vërtetën. Një mbrëmje vonë trokiti porta. E hapa. Para meje qëndronte një djalosh që më bëri shenjë të heshtja. Hyri brenda. E pyeta për emrin. Nuk ma tregoi.
– Kam qenë në një qeli me Sokolin, – tha. – Unë akuzohesha se së bashku me dy shokë kishim shpërndarë trakte antikomuniste. Sokoli i mbylli sytë në prehërin tim. Sapo ishte kthyer nga dhoma ku e kishin torturuar. Ishte në gjendje shumë të rëndë.
– Dua të të le një amanet. – më tha. Brenda astarit të xhaketës kisha fshehur një trakt nga ato që shperndanim dhe një laps të vogël.
– Je në gjendje të shkruash – i thashë duke i treguar letrën dhe lapsin.
I mori dhe filloi të shkruante në anën tjetër të traktit me duart që i dridheshin. Ma dorëzoi.
– Premtomë se do t’ia shpiesh sime shoqeje?
I premtova. Sa mbaroi, fluturoi në botën tjetër. Letrën nuk e lexova fare. Kështu e ruajta për gjithë periudhën që isha i burgosur. Kontrollova edhe në xhepat e tij se mos kishte ndonjë gjë tjetër. Në fundin e xhaketës, midis astarit dhe stofit, gjeta një medalion. Mendova ta ruaja dhe t’ua sillja juve por ishte e pamundur. Kur të lirohesha me siguri që do të më kontrollonin dhe do të ma gjenin. Kështu që e vendosa përsëri në vend.
Mora letrën dhe e hapa.
“Afërdita ime! – më shkruante Sokoli. – Jam në çastet e fundit të jetës… Duart më dridhen… por nuk mund të rri pa të treguar… atë që me torturat e tij… më pruri në këtë gjendje… Është pikërisht,,, shoku i shkollës sime Resuli… Këtë mos e harro kurrë… Po të le një amanet… Po të lindësh vajzë ta quash “Shqipe”… dhe po qe djalë “Arbër”… Tregou se ati i tyre dha jetën… pikërisht për Arbërinë… dhe Shqiponjën dykrenore…Lamtumirë, zemra ime!… Mos vajto!… Unë po shkoj në qiell… pranë Zotit të Madh… dhe të Madhërishëm…Të puth… me mall…”.
Në anën tjetër të faqes ishte trakti i djaloshit që më solli letrën, ku shkruhej:
“Vëllezër dhe motra! Zgjohuni prej gjumit të rëndë të robërisë! Vështroni shtypjen që po ju bëhet prej komunistëve! Vështroni krimet tmerret, vrasjet dhe torturat e tmerrshme që po bëhen sot në çdo anë t ë Shqipërisë!E ardhmja e juaj do të jetë e lumtur në rast se ju ngriheni për të luftuar”!
– Pra Resuli paska qenë torturuesi i tij? – e pyeta unë.
– Pikërisht kapiten Resuli që sot ëshrë emëruar në Drejtorinë e Sigurimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Tiranë. – u përgjigj ai dhe më pas vazhdoi – Sokoli i mbylli sytë sapo më dorëzoi letrën, pa nxjerrë zë, ashtu siç kishte qëndruar edhe përpara torturave. I premtova se po të lirohesha do vija në familjen e tij për të mbajtur premtimin që i dhashë
– Ju faleminderit! – i thashë dhe iu luta të qëndronte atë natë aty.
– Nuk pranoi. U largua dhe nuk munda ta takoj kurrë më. Siç duket duhet të ketë qenë nga ndonjë qytet tjetër dhe ka shkuar atje.
U interesova edhe se ku e kishin varrosur, por askush nuk më tha gjë. Heshtja kishte mbuluar gjithçka.
Këto ishin ato që doja të të tregoja biri im. T’i tregova për të ditur të vërtetën dhe njëkohësisht për të ndihmuar se si do ta përballosh jetën në të ardhmen.
Nxorri nga çanta letrën dhe ia dorëzoi të birit:
– Lexoje.
Ai filloi ta lexojë. Nuk foli asnjë fjalë. Nëna vuri re se nga sytë kishin filluar t’i rridhnin lotë. Diçka belbëzoi nëpër buzë. Afërdita kuptoi se ai ishte një betim.

* * *

– Bir, ku do të shkosh në këtë orë të vonë të natës? – i tha e ëma, kur pa se ai hapi portën dhe po dilte.
– Në botën e ëndrrave, – u përgjigj.
– Por mos harro, jo të gjithë ëndrrat dalin.
Ai nuk foli. I dukej sikur qyteti me zhurmat dhe dritat e tij e mbyste. Donte të meditonte i vetëm. Tregimi i nënës e kishte tronditur së tepërmi. Një dualizëm i veçantë filloi të zhvillohej në ndërgjegjen e tij. Ecte dhe nuk shikonte se kush e rrethonte. Dikush e përshëndeti, por ai as që ia ktheu. Kishte fluturuar në botën e tij të brendshme. Donte të ikte sa më larg ku të mos e gjente askush.
Arriti në bregun e detit dhe filloi të ecte e të ecte pa u ndalur deri sa mbërriti në një vend qe iu duk më i izoluar se të tjerët. Rreth e rrotull nuk të shifte syri njeri. Nuk dëgjohej gjë tjetër veçse oshëtma e dallgëve të detit që atë natë ishin shumë të egërsuara, njëlloj si gjendja e tij shpirtërore. Mendimet i ngatërroheshin midis tyre. Donte një përgjigje që askush nuk mund t’ia jepte. Thirri me zë të lartë:
– Kush jam unë? Kujt i përkas?
– I përket vetes tënde, – iu duk sikur ia ktheu përgjigjen ndërgjegja.
Në këtë gjendje qëndroi për gati një orë. Pastaj filloi të meditojë.
– Prandaj nuk ma dhanë medaljen e artë?
Një zë i brendshëm i thoshte se kjo ishte pasojë e prejardhjes. Tregimi i nënës i kishte krijuar mendimin se i përkiste shtresës që kishte humbur nga përplasja midis dy botëve.
Përfytyronte të atin, një jurist i shquar, i diplomuar në një nga universitetet më në zë të botës. Përfytyronte Resulin edhe ky i diplomuar së bashku me të, dy miq të ngushtë që mendohej se nuk mund t’i ndante asgjë. Plasi lufta e përbotëshme, një kasaphanë e paparë në historinë e njerëzimit. Dy miqtë kishin botkuptime të ndryshme mbi situatën, ndaj u ndanë në dy fronte. Megjithatë të dy palët kishin të njejtin qëllim, dëbimin e okupatorit. Ndaj bashkëpunonin vazhdimisht për çdo situate. Në disa raste kishin luftuar së bashku. Kjo gjë vazhdoi deri në konferencën e madhe që i ndau.
Përse? Si ka mundësi që, pasi gjetën gjuhën e përbashkët, nënshkruan marrëveshjen e përbashkët, të ktheheshin papritur në kundërshtarë ose, për të qenë më të saktë, në armiq? Kjo pyetje e shqetësonte më tepër. Por nuk mund të pranonte që i ati ishte tradhëtar e kolaboracionist, ndërsa Resuli atdhetar. Programi me të cilin ishte bashkuar i ati tregonte se ai nuk ishte i tillë. Nuk mund të kuptonte se si Resuli kishte mundur të arrinte në atë shkallë sa të sillej si egërsirë karshi shokut të tij më të ngushtë. Kush e kishte prishur karakterin e tij?
Para syve i dilte qëndrimi i mbajtur kundrejt nënës së tij që pa asnjë shkak e kishin shndërruar nga një arsimtare e dalluar në një pastruese shkolle dhe, për më tepër, edhe prej andej e kishin hequr për ta dërguar si punëtore në ndërrmarjen bujqësore atë që, po të kishte qenë një kohë tjetër, do të kishte ngjitur shkallët më të larta të artit skenik. Këtë e kishte treguar me shfaqjen e dramës “Lulja e Kujtimit”.
Të gjitha këto mendime rrotulloheshin në ndërgjegjen e tij. Para syve i dilnin vargjet e një poezie të një poeti të njohur që e kishte lexuar dikur:
Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë! hani, pini, hani, pini or’ e ças, 
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!
Edhe atij i dukej sikur jetonte në një botë tillë. I dukej sikur fatet e njerëzve i kishin marrë në dorë egërsirat.
Papritmas, dualizmi ishte zhdukur. Tani i dukej sikur e kishte gjetur rrugën e jetës. Do t’i kapërxente të gjithë hithrat dhe ferrat që mund t’i delnin rrugës. Tashmë e ndjente veten të pjekur dhe do të gjente mënyrën se si të sillej në raste të tilla.
E vetmja enigmë që i kishte mbetur pa zgjidhje ishte nëse duhej t’ia shprehte Blerinës mendimet e tij, pasi ende nuk ishte i sigurtë për bindjet e saj. Mos vallë krijonte ndonjë çarje midis tyre kjo ndarje mendimesh? Mos përsëritej historia e Sokolit me Resulin? Ndërgjegja nuk ia pranonte një thyerje të dashurisë së tyre. Megjithatë vendosi që të heshtëte. Por a po vepronte mirë? Kësaj pyetje nuk dinte t’i përgjigjej.
Ndërkohë , kishte filluar të agonte. Kishte kaluar një natë të tërë duke endërruar me sytë hapur. U ngrit dhe u drejtua për në shtëpi.
– Erdhe, bir? – Pyeti e ëma.
– Po, nënë, – ishte përgjigja.
Nëna nuk e ngacmoi më tej.

* * *

Dy muaj më prapa. Një zhurmnajë zhvillohej midis nxënësve që sapo kishin marrë maturën. Diçka pëshpëritej nën zë.
– Përse? Si ka mundësi?
Askush nuk ishte në gjendje të kuptonte shkakun përse ndodhte një gjë e tillë.
Në tabelën e lajmërimeve të shkollës kishin dalë emrat e maturantëve që u kishte dalë e drejta e studimit dhe degët për secilin. Mungonte vetëm një emër. Emri i atij që kishte qenë asi i gjthë të tjerëve.
– Përse? – vazhdonin të pyesnin nxënësit njeri-tjetrin.
Këtë pyetje ata e kishin bërë edhe kur atij nuk i kishin dhënë medaljen e artë.
Nuk arrinin ta kuptonin. Vetëm njeri prej tyre e dinte. Ky ishte Petriti. Ishte i vetmi midis tyre që e njihte mirë shkakun.
U nda nga shokët dhe shkoi të takonte Arbërin.. Në shtëpi gjeti vetëm t’ëmën.
– Sot doli më herët se zakonisht, – i tha ajo. – Do ta gjesh në lulishten e qytetit.
E gjeti ulur në një stol duke lexuar një libër.
– Çfarë libri po lexon?
– Tani sapo e bleva – dhe i tregoi kopertinën.
Ishte romani “Njeriu që qesh” i Viktor Hygoit.
– Është botimi i parë në shqip.
– Po..
– Unë e kam lexuar qysh para pesë vitesh në frëngjisht. E kishim në shtëpi. E kishte sjellë babi nga Franca.
Afërdita ia kishte mësuar gjuhën frënge qysh kur ishte dhjetë vjeç.
– A të kujtohet përmbajtja e këtij romani? – vazhdoi Arbëri. – Në skajin jugor të Portlendit në Angli, në një nga ditët e ftohta të janarit 1690, braktiset një fëmijë dhjetëvjeçar i përçudnuar. Ai ecën dhe ecën nëpër errësirë dhe acar, i vetëm dhe pa njohur vendin, për të gjetur një strehë ku të fusë kokën dhe një kafshatë bukë për të mbushur barkun. Një kombinim i shkëlqyer i egërsisë së natyrës me gjendjen shpirtërore të fëmijës. Në majë të një kodre ndeshet me një pamje të llahtarshme. Skeleti i një kufome qëndronte varur para tij. Era e ftohtë e lëkundte sa andej këndej. Fëmija tmerrohet. Kush ishte ky fëmijë? Kush e kishte përçudnuar? Ishin kompraçikosët. Ata blinin dhe shisnin fëmijë. Hygoi shkruante:
“ Kompraçikosët ishin një shoqatë e çuditshme dhe e urryer endacakësh, e famshme në shekullin e shtatëmbëdhjetë, e harruar në të tetëmbëdhetin dhe krejt e panjohur sot”.
Sipas tij kompraçikosët në shekullin e nëntëmbëdhjetë ishin krejt të panjohur. Europa kishte ecur përpara. Ajo i kishte zhdukur ata. Por çuditërisht ishin ringjallur përsëri në Shqipëri në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë. Nuk quheshin më kompraçikosë. Por ishin njësoj të egër si ata, në mos më keq. A nuk ishin ata që nënën time, nga një pedagoge e shkëlqyer e kthyen në një pastruese të thjeshtë apo punëtore në një ndërmarrje bujqësore? A nuk ishin ata që shkatërruan fëmininë dhe rininë time? A nuk ishin ata që më mohuan të drejtën e medaljes së artë dhe që nuk dihet se ku do të jetë fundi? Këta janë kompraçikosët e sotëm.
Heshti. Edhe Petriti gjithashtu. Kaluan shumë çaste në këtë gjendje. Së fundi Arbëri foli:
– Përse rri i heshtur? Përse nuk flet asnjë fjalë? Nga shprehja e fytyrës duket se diçka do të më thuash
Petriti përsëri heshti. Nuk kishte kurajo t’i jepte lajmin e hidhur. Druhej se një gjë e tillë do të ndikonte tepër në ndërgjegjen e mikut të tij. Por a mund ta mbante të fshehtë për shumë kohë? A nuk do ta merrte vesh ai nga shokët e tjerë?
Arbëri vazhdonte ta vështronte në pritje të përgjigjes. Së fundi Petriti filloi:
– Ke të drejtë. Kompraçikosët e sotëm janë disa herë më të egër se të dikurshmit.
Kjo është Shqipëria në të cilën jetojmë.
– Pastaj?
Arbëri e kuptoi se kjo ishte vetëm një hyrje.
– Fol. Mos u druaj!
– Gjithë klasës i doli e drejta e studimit, vetëm ty jo, ty që ishe mbi gjithë të tjerët.
Ndryshe nga sa mendonte Petriti, ky lajm nuk shkaktoi asnjë tërmet në zemrën e Arbërit.
– Prandaj druheshe? – i tha . – Unë këtë e kam pasur të qartë qysh kur m’u mohua e drejta e medaljes së artë. Po ty, në çfarë dege të doli?
– Agronomi. Mendoj ta refuzoj. Kisha kërkuar për mësuesi, si prindërit e mi.
– Mos u bëjë i marrë. Shko dhe përfundoje atë fakultet, ndërsa unë, si një
autodidakt, do të studioj vetë në shtëpi. Mësuesja ime do të jetë vetë nëna ime.
Ky ishte fundi i dialogut.

* * *

– Arbër, në çfarë dege të doli e drejta e studimit? – pyeti Blerina kur u takuan.
Arbëri u zu ngushtë. Ishte pyetja më e vështirë që i ishte bërë deri atëherë. Nuk ishte në gjendje të përgjigjej. Mohimin e medaljes së artë e kishte kaluar me heshtje. Tani duhet patjetër të përgjigjej. Po si? Fillimisht bëri sikur nuk e dëgjoi, por kur ajo e përsëriti e pa se nuk kishte rrugë tjetër. Një ditë ajo do ta merrte vesh të vërtetën ndaj më e mira do të ishte që t’ia tregonte vetë.
– Nuk më doli në asnjë degë ? – ishte përgjigja e prerë.
Blerina u hodh përpjetë.
– Si ka mundësi, ty me ato rezultate të shkëlqyera?
– Pikërisht mua që kam lindur për të jetuar ndryshe nga të tjerët, për të ëndërruar ndryshe nga të tjerët dhe për t’i ndrydhur ato ëndrra në një kafaz të hekurt.
– Përse?
– Sepse unë i perkas një bote tjetër, ndryshe nga kjo ku jetojmë.
– E cila qenka kjo botë?
Arbëri qëndroi për disa çaste pa u përgjigjur. Ishin duke shëtitur në një nga bulevardet e qytetit ku lëvizjet e njerëzve ishin të shpeshta. Nuk mund të fliste më tepër. Donte një vend ku mund t’i shprehte me zë të lartë mendimet e tij. Ju kujtua nata e ceremonisë së mbylljes së vitit shkollor. Vetmia e bregut të detit, ku kishte kaluar atë mbrëmje, ishte vendi më i përshtatshëm.
– Eja me mua! – i tha.
Dolën në bregdet dhe filluan të ecin anës së tij.
Ku po më çoni? – pyeti Blerina duke ndjerë një farë frike.
Arbëri e kuptoi.
– Mos u trembni! Po shkojme drejt vendit ku mund të flasim lirisht.
Së fundi arritën te vendi i cakruar. U ulën në një kodër rëre. Arbëri filloi:
– Një fjalë e urtë thotë “Edhe muret kanë veshë”. Por këtu nuk ka mure. Askush nuk mund t’i dëgjojë fjalët tona përveç këtyre dallgëve të egra që përleshen me njera-tjetrën. Ato përleshen pasi kanë problemet e tyre që çuditërsiht ngjajnë me ato të miat.
– Arbër, folë Çfarë do të më huash? – Pyeti Blerina me një zë ku shprehej padurimi.
– Atëherë dëgjomë, – tha ai duke kthyer vështrimin nga deti. – Në fillim dua të të kërkoj falje që këto fjalë nuk t’i kam thënë qysh ditën e parë që u lidhëm, por, për të thënë të vërtetën, as vetë nuk i dija. Unë nuk jam ai që mendon ti. Jam ndryshe. Të thash pak më parë se i përkas një bote krejt ndryshe nga kjo ku jetojmë, një bote tjetër.
Blerina u bë gati të fliste por ai, pa kthyer kryet, i bëri shenjë të heshte.
– Mos më ndërpre, lermë të mbaroj. I përkas një familje intelektuale që i ka dhënë mjaft këtij vendi. Gjyshi im ka qenë një nga pjesëmarrësit e lëvizjes për pavarësinë kombëtare. Ka marrë pjesë në Shpalljen e Pavarësisë më 1912 dhe Luftën e Vlorës më !920. Nëna ime ka mbaruar me rezultate të shkëlqyera institutin femëror “Nana Skanderbeg” në Tiranë. Im atë ka qenë një jurist i dëgjuar në qytet, mbaruar në Sorbonë të Francës. Gjatë luftës së dytë botërore ai u rreshtua në rradhët e nacionalistëve. Këto ishin bindjet e tij. Por nacionalistët e humbën luftën. Pas mbarimit të saj im atë arrestohet dhe burgoset në qelitë e Sigurimit të Shtetit. Atje torturohet egërsisht dhe a e di se nga kush? Nga shoku i tij i ngushtë që kishte studjuar bashkë me të dhe tani ishte bërë një personalitet në zyrat e sigurimit të shtetit. Emrin e tij nuk po ta them se është më mirë mos ta dish. Në këto kondita i mbylli sytë atje në qelinë e errët. Ishte vetëm tridhjetë vjeç. Nuk kishte më shumë se tre vjet që ishte martuar. Unë linda tre muaj pasi ai u nda nga jeta. Besomë Blerina, të gjitha këto i mësova vetëm dy muaj më parë, ditën që m’u mohua medalja e artë në shkollë, gjë për të cilën qëllimisht nuk të kam folur. M’i tregoi nëna ime. M’i tregoi për t’u përgatitur edhe për raste të tjera që mund të më ndodhin dhe për të mos u thyer para tyre. Për këtë e falënderoj. Ndaj të kërkoj edhe një herë ndjesë se vetëm dy muajt e fundit i mësova këto të vërteta.
Heshti. Të dy kishin rënë në mendime. Dëgjoheshin vetëm përplasjet e dallgëve të detit që sikur donin t’i zgjonin nga ëndërrimet ku kishin rënë.
Arbëri ktheu kryet nga Blerina. Në sytë e saj pa dy pika loti.
– Po qan? – e pyeti.
Ajo nuk u përgjigj.
– Përse? – mundi të thoshte me një zë të dridhur.
– Kjo është bota. – ishte përgjigja.
Një heshtje e gjatë pasoi përgjigjen. Të dy ishin zhytur në botën e tyre të brendshme. Të dy luftonin me ndërgjegjet e tyre. Dukej sikur papritur midis tyre ishte ngritur nje mal i lartë që i pengonte të takoheshin. A do të kishin forca për ta shembur këtë mal? Shumë të tjerëve u kishte ndodhur një gjë e tillë por nuk kishin gjetur forca ta përballonin, madje edhe pasi kishin krijuar familje dhe ishin bërë me fëmijë. Ishte shumë e vështirë të shkëputeshe nga realiteti që ekzistonte. Ishte shumë e vështirë të dilje kundër këtij realiteti.
Së fundi foli Arbëri:
– Blerina, e kuptoj gjendjen tënde psikologjike. Je goditur nga një shok i papritur nga i cili nuk ka mjek që të të shpëtojë. Këtë mund ta bëjë vetëm ndërgjegja jote.
– Unë kam… – filloi të flasë Blerina por Arbëri e ndërpreu.
– Mos u përgjigj! Pleqëroje me ndërgjegjen tënde. Mendoje mirë. Për një rast të tillë nuk mund të vendoset menjëherë. Madje duhet pleqëruar mirë. Duhet menduar mirë. Le të jetë një vendim i ndërgjegjes tënde. Koha e pritjes nuk ka rëndësi. Si do që të zhvillohen ngjarjet, unë jam i sigurtë se ne do të gjejmë forca për ta përballuar.
Nuk folën më. Filluan të kthehen bregut të detit. Gjithë rrugës asnjeri prej tyre nuk nxorri zë.

* * *

Lufta në ndërgjegjen e Blerinës kishte filluar. Tregimi i Arbërit e kishte tronditur. Ndodhej para një dileme të madhe. “Le të jetë një vendim i ndërgjegjes tënde”, i kishte thënë ai. Por, a mund të vendoste kollaj? Donte ta bisedonte me dikë por nuk gjente asnjë shoqe apo shok te i cili mund të besonte. Përfundimi i dashurisë së parë ia kishte treguar këtë. Vetëm tek Arbëri kishte mundur të gjente përgjigje, por ai ishte vetë personazh i ngjarjes.
Mendoi ta bisedonte më të ëmën. Ato ishin bërë si dy shoqe të ngushta dhe jo si nënë dhe bijë. Shpesh herë kur u dilte ndonjë çështje uleshin së bashku dhe bisedonin rrugën e zgjidhjes. Mirpo çështja që e shqetësonte Blerinën kishte karakter tjetër. Kishte të bënte me një lidhje dashurore midis dy individëve që vinin nga botë të ndryshme që në fakt ishin në luftë me njera-tjetrën. Vendosi të heshte. Do ta mendonte e përpunonte në mendjen e saj, në ndërgjegjen e saj deri sa të vendoste
Shqetësimi i së bijës nuk kishte se si të mos binte në sy të nënës.
– Bijë, çfarë të mundon? – i tha një ditë
– Asgjë nënë, – u përgjigj, por zëri i saj tregonte të kundërtën.
Në këtë përgjigje nëna kuptoi se ajo kishte diçka?
– Mos ta ka rrëmbyer zemrën ndokush dhe nguron të ma tregosh?
– Jo, jo nënë.
– Mirë atëherë po të besoj, por dua të të them se çdo herë që të kesh shqetësim nënën tënde do ta kesh në krah. Këtë mos e harro.
Nëna u largua dhe e la në mendimet e saj. Çështjen e bisedoi edhe me të shoqin dhe ai pasi u mendua për një farë kohe i tha:
– Lere vajzën në botën e saj. Tashmë ajo është e rritur. Sivjet merr maturën. Le të shprehet kur ta shohë të arsyeshme.
Blerina rridhte nga një familje që gjatë luftës kishte qenë në krahun e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, por as i ati dhe as e ëma nuk ishin futur në rradhët e Partisë Komuniste. Vetëm dajua i saj ishte një aktivist i flaktë i kësaj partie dhe si rezultat kishte arritur të ngrihej në rangjet më të larta, madje duke u transferuar në kryeqytet në një detyrë me shumë rëndësi.
Personalisht Blerina nuk kishte ndonjë opinion të qartë të situatës. Vinte re se shpesh herë ndodhnin fenomene që asaj i dukeshin jo të drejta. Kishte lindur dhe rritur në një sistem që për herë të parë zbatohej në Shqipëri. I përkiste një familjeje që kishte luftuar për këtë sistem. Por thellë në ndërgjegje ndjente se jo çdo gjë zhvillohej në rrugën e premtuar.
Termat kolaboracionist, sabotator, armik i popullit e të tjera si këto qarkullonin përditë në shtyp dhe në radio. Këto terma kishin hyrë edhe në programet shkollore. Megjithatë nuk e kishte vrarë shumë mendjen për to. Mosha në të cilën jetonte ishte e tillë që nuk i interesonte të dinte për të tilla gjëra.
Tani që Arbëri i tregoi historinë e tij pësoi një shok të madh. Një mëdyshje e madhe mbuloi ndërgjegjen e saj. Si të vepronte? Ishte midis dy rrugëve. Ose do të shkëputej prej tij dhe kjo do të ishte një diziluzion i dytë pas atij të parit, ose do të merrte parasysh të gjithë pasojat që mund t’i vinin dhe do të pranonte dashurinë.
A do të ishte në gjendje t’i përballonte ato? Si shembull kishte Arbërin dhe nënën e tij. A nuk po i përballonin nënë e bir presionet që po u ushtroheshin? Para syve i dilnin personazhet e romaneve të lexuara vite më parë ku heronjtë i qëndronin të paepur fenomeneve të kohës kur jetonin. Por në shumë prej tyre fundi ishte tepër tragjik. Mos do t’i ndodhte edhe asaj kështu?
Ditët kalonin dhe ajo ende nuk po vendoste. Po afronte dita e fillimit të vitit shkollor. Me Arbërin nuk ishte takuar qysh nga dita kur mori vesh të vërtetën mbi të. Më të shumtën e kohës e kalonte brenda në shtëpi duke medituar. Dilte fare rrallë sa për të marrë ajër dhe për t’u kthyer përsëri në mendimet e saj. Së fundi vendosi.

* * *

Pothuajse në të njejtën gjendje ishte edhe Arbëri. Por ai, të paktën, ndërgjegjen e kishte të qetë. I kishte treguar Blerinës të vërtetën dhe ishte ajo që duhej të vendoste. Por ishte i ndërgjegjshëm që ky vendim do të ishte shumë i vështirë. A do të ishte në gjendje ajo të thyente tabunë e luftës së klasave? Një gjë e tillë i dukej gati e pamundur.
Për një gjë ishte i sigurtë. Edhe në rast se ajo do të thyhej nuk do t’i mbante mëri. Para syve i dilnin fjalët që i kishte thënë në bisedën e fundit: “Unë jam i sigurtë se ne do të gjejmë forca për ta përballuar.
Vendosi ta bisedonte çështjen me Petritin. Pas dy ditësh ai do të nisej për në universitet. Ishte shoku më i ngushtë i tij. Deri atëherë nuk i kishte thënë asgjë për dashurinë me Blerinën dhe këtë e kishte bërë pikërisht për faktin e hendekut që e ndante me të dashurën.
– Petrit, dua të bisedoj diçka personale me ty, – i tha një ditë.
– Çështje personale, cila na qenkërka kjo? – u përgjigj ai me një farë ironie.
– Këtu nuk mund ta them por eja të shkojmë në breg të detit.
Bregu i detit ishte vendi ideal për Arbërin ku mund të shprehte lirisht mendimet e tij. I hipën urbanit dhe mbërritën në bregdet. Arbëri e çoi mikun e tij në vendin e preferuar.
– Dëgjo vëlla. Fillimisht dua të të kërkoj të falur se për këtë çështje duhej të të kisha njoftuar më parë por as vetë nuk e di pse nuk e bëra një gjë të tillë. Kërkoj vetëm të mos më ndërpresësh. Dëgjomë me vëmendje.
Heshti për disa çaste. Edhe Petriti nuk e pyeti. Së fundi ai filloi.
– Jam dashuruar me Blerinën. Ti e njeh. Jemi njohur së bashku me të. Ajo i është përgjigjur dashurisë sime. Por ti e di që familja e saj, dy prindër model, dy mësues model, kanë qënë dhe janë lidhur me pushtetin e sotëm, ndërsa familja ime i përket krahut të kundërt. Këtu ka një mospërputhje. Këtë mospërputhje ia thashë edhe asaj. U trondit së tepërmi. E lashë të mendohej dhe të vendosë. Kanë kaluar dy javë që nuk jam takuar me të. Përditë shkoj në vendin e takimit por ajo mungonNuk e di si të veproj.
Petriti nuk u përgjigj menjëherë. Ai e kuptonte shumë mirë gjendjen në të cilën ndodhej miku i tij. Por ishte i ndërgjegjshëm edhe për situatën në të cilën jetonin. I kuptonte fare mirë pasojat që mund të vinin nga kjo dashuri.
– Mos bëjë asnjë veprim. Lere të vendosë vetë ajo. I takon asaj vendimi. – i tha së fundi.
I sugjeroi që këtë çështje ta diskutonte me nënën e tij. Ajo ishte një intektuale e njohur dhe do të dinte të gjente një zgjidhje.
Në mbrëmje, pasi hëngrën darkë, Arbëri iu drejtua s’ëmës:
– Nënë, jam në udhëkryq.
– Në udhëkryq, përse?
– Kam rënë në dashuri.
– Ke rënë në dashuri? Po ky është lajmi më i mirë që kam dëgjuar.
Afërdita u ngrit dhe përqafoi të birin.
– Por dashuria ime është një dashuri e pamundur.
– Dashuri e pamundur? Përse?
– Sepse i përkasim dy botëve të ndryshme.
– Ç’do të thuash?
– Ajo bën pjesë në kampin e fitimtarëve ndërsa unë në atë të të mundurve.
– Mjaf or bir, mos më fol me filozofira. Kush është ajo vajzë?
– Blerina, vajza e mësues Hektorit dhe mësuese Irmës.
– Mos bir! – thirri nëna dhe u hodh përpjetë.
Arbëri shtangu. Reagimi i s’ëmës e habiti.
– Përse nënë? – i tha
– Më mirë të mos e dish.
– E përse?
– Sepse do të të thyhet zemra.
– Fol nënë, fol! Mos më ler në këtë gjendje.
Por nëna nuk fliste dot. Ajo nuk mund t’ia thoshte të vërtetën e tmerrshme që ai nuk e dinte. Qëndroi në heshtje.
– Fol nënë! i thirri Arbëri me një ton padurimi.
– Blerina është mbesa e Resulit. – tha me një zë të lehtë që mezi dëgjohej.
– Mbesa e Resulit?
– Po bir, Irma është motra e Resulit.
Lajmi ra si bombë mbi ndërgjegjen e Arbërit. Ai paska dashuruar mbesën e vrasësit të babait të tij? Një tufan i brendshëm i shpërtheu në ndërgjegje. Mendja iu çorodit. Mendimet iu turbulluan. Përse e dënoi kaq shumë fati? Nuk i mjaftonin ato që kishte kaluar familja e tij?
Nga sytë filluan t’i rrjedhin lotë. Nëna e vuri re. Iu afrua të birit dhe i tha:
– Pushoi lotët bir! Ulu ta diskutojmë me gjakftohtësi gjendjen.
– Çfarë ka mbetur më për të diskutuar?
– Le ta marrim shtruar. Vajza është e bija e dy prindërve për të cilët deri më
sot nuk kemi dëgjuar asnjë fjalë për karakterin e tyre. Ata janë prindër të nderuar ndaj edhe vajza duhet të jetë e nderuar. Në çastin e parë unë të thashë se ajo është mbesa e Resulit. Tani e kuptoj se gabova. Në rast se vajza dhe prindërit e saj të pranojnë për dhëndër, atëherë edhe unë nuk kam se si të mos pranoj vajzën për nuse. Nuk ka pse të paguajë vajza për dajon.
– E dua Blerinën! – tha Arbëri. – Në rast se edhe ti e pranon bashkimin tim me të, kjo është gjëja më e çmuar që po më dhuron. Faleminderit, nënë! Unë ia tregova historinë e familjes sime dhe jam në pritje të përgjigjes.
– Lere të vendosë ajo.
– Po për Resulin? Në bisedën me të nuk i thashë se nuk e dija.
– Le të bisedojë me të ëmën.
Me këto fjalë biseda u mbyll.

* * *

Dita e fundit e pushimeve shkollore. Blerina u drejtua për në vendin e zakonshëm të takimit. Arbëri nuk ishte aty. Përse? Mos vallë e kishte harruar nga mungesa prej gati tre javësh? Megjithatë vendosi të priste. Nuk vonoi shumë dhe ai erdhi. Qëndruan të dy përballë njeri-tjetrit pa folur. Së fundi u dëgjua zëri i Arbërit:
– Blerina…
– Mos fol, – e ndërpreu ajo. – Unë e vendosa. Toka dhe qielli të bashkohen unë nuk ndahem nga ty.
– A e mendove mirë?
– Plotësisht.
– A e ke biseduar me prindërit? Unë do të të kërkoja që të merrje edhe mendimin e tyre..
– Ashtu?
– Patjetër, ne nuk mund të vendosim pa miratimin e tyre. Unë e bëra një gjë të tillë.
Në mbrëmje kur u kthye i ati në shtëpi, Blerina iu drejtua prindërve.
– Babi, mami, dua bekimin tuaj.
– Bekimin tonë? Por ne ta kemi dhënë qysh ditën që linde.
– Bekimi që kërkoj sot është i një karakteri tjetër dhe unë nuk mund t’jua mbaj të fshehtë
– Fol, bijë!
– Kam rënë në dashuri me një djalë ndaj kërkoj bekimin tuaj
– Ke rënë në dashuri? – foli e ëma, – Po na thuaj, moj vajzë, cili është ky djalë?
– Po, do t’jua t hem, por mos u çudisni. Është Arbër Dauti, biri i Afërditës që dikur ka qenë mësuese si ju.
Prindërit u panë sy ndër sy. Qëndruan për një kohë të gjatë në atë gjendje. Asnjeri nuk fliste. Blerina priste fjalën e tyre. Heshtja sundoi në dhomë. Së fundi atë e prishi zëri i Irmës që foli:
– A e di historinë e asaj familjeje?
– Po, nënë Arbër m’i ka treguar të gjitha. Më ka treguar që i ati ka vdekur në qelitë e sigurimit të shtetit. Më ka treguar që e ëma nga mësuese tani punon si punëtore në ndërmarrjen bujqësore. Më ka treguar që për këto arsye atij i mohuan medaljen e artë dhe të drejtën e studimit.
– Po tjetër gjë a të ka treguar?
– Jo.
Prindërit u panë përsëri sy ndër sy.
– Tregoja, – tha i ati.
– Dëgjo bijë! – filloi e ëma. Do të të them një gjë që ti nuk e di dhe duhet ta mësosh. Hetuesi i babait të Arbërit ka qenë dajua yt dhe vëllai im, Resuli. Në kohën kur ndërroi jetë Sokoli, Resuli punonte ne Degën e Punëve të Brendshme.
Blerina shtangu. Një tjetër hendek i thellë ishte hapur ndërmjet dy të dashuruarve.
– Por ne duhemi, duhemi shumë. – mundi të thoshte me gjysmë zëri.
– Qetësohu bijë, – ndërhyri i ati. – Le ta mbyllim për sot këtë bisedë. Pleqëroje me veten tënde dhe nesër e bisedojmë përsëri.
Edhe një natë tjetër zgjuar. Edhe një natë tjetër mbushur me ëndrra të frikshme. Një përplasje dallgësh në zemrën e Blerinës, por një përplasje dallgësh edhe në zemrat e prindërve të saj.
– Si do t’ia bëjmë or burrë? – pyeti Irma.
– Le t’ia lemë vajzës të vendosë,- ishte përgjigja.
Të nesërmen Blerina hyri në dhomën ku ishin prindërit e saj.
– Baba, nënë, e vendosa. Kërkoj bekimin tuaj. – tha.
– Mirë bijë, – foli i ati. – por më parë dua ta bisedoj këtë çështje edhe me familjen e Arbërit. Lajmëroi të vijnë sonte.
Në mbrëmje Afërdita dhe Arbëri erdhën në shtëpinë e Blerinës.
– Le të futemi në temë – tha Hektori – Të dy palët jemi para një fakti të kryer. Personalisht kam bindjen se edhe të dy familjet përputhen. Por koha na hodhi në krahë të kundërta të barrikadës. Nuk dua të zgjatem me hollesitë e kësaj ndarjeje. Ato dua t’ia le së kaluarës. Vetëm dua të them se a do të jemi në gjendje t’i përballojmë vështirësitë?
– Fort i nderuar zoti Hektor! – f illoi Afërdita. – Folët ashtu siç ju takonte. Unë nga ana me, ju garantoj se kurdoherë, në çdo rrethanë që do të na paraqitet, do të di të qëndroj ashtu siç duhet. Blerina do të jetë vajza jonë dhe do të di si ta mbroj. Unë e kam treguar se jam në gjendje të përballoj çdo lloj situate.
– Le t’i pyesim edhe dy të rinjtë.
– U premtoj se në çdo situatë që do të paraqitet do të jem gjithmonë në krah të Blerinës deri në ditën e fundit të jetës, – tha Arbëri
– Edhe unë gjithashtu, – e plotësoi Blerina.
– Atëherë na qoftë për mbarë! – e përfundoi Hektori.
U ngritën dhe filluan të urojnë dhe të përqafoheshin midis tyre. Afërdita nxorri nga çanta një varëse floriri dhe ia vari në qafë Blerinës.
– Këtë varëse ma ka sjellë Sokoli nga Franca dhe unë po ia dhuroj bijës time.
Ndërsa Irma i dhuroi Arbërit një orë dore zvicerane të markës “Omega”.
– Edhe unë e kam kujtim nga babai im i ndjerë – tha, Blerina dhe Arbëri nuk përmbaheshin dot nga gëzimi.
– Kam edhe një kërkesë të fundit, – tha papritmas Hektori.
Të gjithë heshtën.
– Mos u çudisni, – vazhdoi ai. – Sivjet Blerina është në vitin e maturës. Pas maturës do të vazhdojë universitetitn. Do të doja që këtë fejesë, hë për hë, të moa ta shpallim, deri sa Blerina të arrijë një moshë më të plotë. Le të paraqiten në publik si dy shokë të mirë.
Heshtja pasoi fjalët e tij për një kohë të shkurtër. Atë e thyen zërat e dy të rinjve.
– Plotësisht.

Please follow and like us: