Albspirit

Media/News/Publishing

Meka, qyteti i shenjtë në Islamizëm

Meka vlerësohet si qyteti më i shenjtë i fesë Islame. Përveç faktit që Meka ishte vendlindja e Profetit Muhamed, ai është edhe qyteti ku ndodhet vendi i shenjtë i adhurimit në  Islam, Xhamia e Madhe (e njohur si Al-Masjid Al-Haram).

Përveç kësaj, një nga Pesë Shtyllat e Islamit, Haxhi, përfshin një pelegrinazh disaditor në këtë qytet. Meka ndodhet në pjesën perëndimore të Gadishullit Arabik, në rajonin që sot quhet Makah. Qyteti ishte një qendër e rëndësishme fetare dhe tregtare edhe para lindjes së Islamit.

Kjo për faktin se ai ishte një oaz në mesin e rrugëve tregtare që lidhnin Mesdheun me Arabinë Jugore, Afrikën Lindore dhe nën-kontinentin Indian.

Për shkak të vendndodhjes gjeografike strategjike të Mekës, qyteti u zhvillua shumë gjatë periudhës romake dhe bizantine. Ka të ngjarë që Meka të ishte e njohur edhe për popujt e periudhës helenistike. Në veprën “Gjeografia” të Ptolemeut, përmendet një qytet në brendësi të Gadishullit Arabik të quajtur Makoraba.

Ai është identifikuar tradicionalisht me Mekën, edhe pse disa studiues modernë kanë hedhur dyshime mbi këtë pretendim. Gjithsesi, fakt është që shkrimet antike që i referohen Mekës, duket se janë të pakta. Ndaj, burimi kryesor i informacionit për këtë pjesë të historisë së qytetit vjen nga burime të mëvonshme islamike dhe arabe.

Për shembull, tradita islame e gjurmon historinë e Mekës që në fillimin e botës. Besohet se kur Adami dhe Eva u dëbuan nga Parajsa, ata u ndanë. Adami zbarkoi në ishullin e Sri Lankës, ndërsa Eva shkoi në një zonë që sot njihet si Xhedah.

Pasi brodhën rreth e rrotull për një farë kohe, Adami dhe Eva u ribashkuan nga Zoti në malin Arafat, në lindje të Mekës. Burime arabe deklarojnë gjithashtu se Adami (Ademi në gjuhën arabe) u varros në Mekë. Nga ana tjetër Eva u varros pranë Xhedah.

Shfaqja tjetër e Mekës në traditën islame, është në historinë e Përmbytjes së Madhe. Thuhet se gjatë përmbytjes, Arka e Noes erdhi në Mekë dhe kaloi 7 herë rreth trupit të shpërbërë të Adamit. Sipas Kuranit, Abrahami dhe Ismaeli (djali i Ibrahimit nga Hagarit) ishin përgjegjës për ndërtimin (ose rindërtimin) e Qabes në Mekë.

Meka lidhet ndërkohë me Abrahamin (Ibrahimi në fenë Islame) me besimin se aty Hagari e ushqeu Ismaelin duke e shëruar me ujërat e Pusit të Zamzam-it. Myslimanët i referohen periudhës në Gadishullin Arabik para ardhjes së Islamit si Jahiliyya, që përkthehet si “Epoka e padijes”.

Termi ‘Jahiliyya’, përdoret normalisht në terma përçmues. Ajo kohë është e rëndësishme për myslimanët, pasi shërben për të nënvizuar ndryshimin e sjellë nga Islami në mënyrën arabe të të jetuarit. Disa tipare të periudhës ‘Jahiliyya’ përfshijnë: adhurimin e idhujve, tribalizimin dhe praktikën e vrasjes së foshnjave femra.

Me pak fjalë, periudha e ‘Jahiliyya’, mendohet se ka qenë një epokë e errët. Nga ana tjetër, është interesant fakti që termi ‘Jahiliyya’, konsiderohet të jetë pozitiv në lidhje me letërsinë arabe, pasi poezia arabe para-islamike vlerësohet nga myslimanët.

Lindja e fesë Islame, portretizohet normalisht si një shkëputje radikale nga periudha e ‘Jahiliyya’. Historia e Islamit nisi në Mekë në vitin 570 Pas Krishtit. Sipas traditës, ky ishte edhe viti kur lindi Profeti Muhamed. Në 40 vitet e para të jetës, ai jetoi si një njeri i zakonshëm.

Thuhet se babai i Muhamedit kishte vdekur para se ai të lindte, ndërsa e ëma kur ishte vetëm 6-vjeç. Profeti i ardhshëm u rrit nga gjyshi nga ana e babait, deri në vdekjen e këtij të fundit, 2 vjet më vonë. Më pas për të u kujdes xhaxhai i tij, Abu Talib, që ishte bërë kryetari i ri i fisit Hashim.

Sipas një rrëfimi, ndërsa shoqëronte xhaxhanë e tij në një udhëtim tregtar në Siri, Muhamedi u njoh si një profet i ardhshëm nga një murg i krishterë. Në moshën 25-vjeçare, ai u martua me një grua të pasur të quajtur Hatixhe, e cila ishte 40-vjeçe.

Ajo e kishte punësuar Muhamedin për të mbikëqyrur transportimin e mallrave të saj në Siri, dhe u impresionua kaq shumë nga ai, saqë u martua me të. Disa kohë më vonë, Muhamedi nisi të veçohej nga të tjerët duke qëndruar në një shpellë në një nga malet pranë Mekës.

Një natë kur sapo kishte mbushur 40-vjeç, ndërsa Muhamedi ishte duke medituar në shpellë, iu shfaq engjëlli Xhibril (Gabriel), që i dha shpalljen e tij të parë. Engjëlli i mësoi atij ajetet hyrëse të sures 96 të Kuranit:”Lexo në emër të Zotit tënd që krijon, që krijoi njeriun nga një mpiksje gjaku! Recito për Zotin tënd, që është më bujari…”.

Takimi me engjëllin e shqetësoi në fillim Muhamedin, por ai u qetësua nga Hatixhja dhe kushëriri i saj, Uaraqah ibn Naufal (një i krishterë që konfirmoi profetësinë e Muhamedit). Muhamedi vazhdoi të merrte zbulesa nga Xhibrili, por gjatë 3 viteve të ardhshme, u kufizua të flasë për to vetëm në rrethe të ngushta miqsh.

Më pas Muhamedi u urdhërua nga Zoti që të predikonte publikisht. Fillimisht, banorët e Mekës nuk e kundërshtuan Muhamedin. Por kur profeti nisi të shpallte se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, ai nisi të haste në kundërshtimet e forta nga Kurejshët e Mekës.

Kjo për faktin se monoteizmi i predikuar nga Muhamedi, u interpretua si një sulm ndaj besimeve dhe praktikave fetare të Kurejshëve. Për më tepër, këta të fundit kishin frikë se ekonomia e qytetit do të rrënohej nëse ata pranonin mesazhin e Muhamedit dhe bëheshin monoteistë, pasi pelegrinët paganë nuk do të vinin më në qytet.

Megjithëse Muhamedi u përball me kundërshtimin e shumicës së banorëve të Mekës, ai u mbrojt nga fisi i tij, dhe për këtë arsye mundi të qëndronte në qytet. Por në vitin 619 Pas Krishtit, xhaxhai i tij Abu Talib vdiq, dhe udhëheqja e fisit kaloi tek xhaxhai tjetër i profetit, Abu Lahab.

Ky iu kundërvu Muhamedit, duke i hequr atij mbrojtjen e fisit. Kjo do të thoshte se Muhamedi nuk ishte më i sigurt në Mekë. Në vitin 622, Muhamedi dhe pasuesit e tij u larguan nga Meka për në Medinë, një udhëtim që përkujtohet sot si Hixhra (shpërngulja).

Viti 622 është koha kur fillon kalendari islam. Ndërkohë në vitin 630, myslimanët ishin mjaftueshëm të fortë sa të marshonin me një ushtri të tyren në Mekë.

Banorët e qytetit u nënshtruan, ndërsa profeti shpalli një amnisti për të gjithë. Pavarësisht se ishte qyteti më i shenjtë në Islam, Meka nuk u bë kurrë kryeqyteti i ndonjë shteti islamik.

Për shembull, pasardhësit më të afërt të Muhamedit, kalifët e Rashidun, sunduan nga Medina (me përjashtim të kalifit të katërt, Aliut, që e transferoi kryeqytetin në Kufa).

Dinastia pasuese e Umajade sundoi nga Damasku, ndërsa pasardhësit e tyre, Abasidët, e zhvendosën kryeqytetin në Bagdad. Kur ai u pushtua nga mongolët, kryeqyteti u zhvendos përkohësisht në Kajro. Dhe në fund, kalifët osmanë sunduan nga Kostandinopoja, Stambolli i sotëm.

Gjithsesi, sundimtarët islamikë vazhduan që të kontribuojnë në mirëmbajtjen e qytetit të shenjtë, dhe shërbyen si mbrojtës të tij. Për shembull titulli “Mbrojtësi i dy qyteteve të shenjta” (Mekës dhe Medinës), është mbajtur nga sundimtarë të ndryshëm myslimanë në histori.

Si një qytet i shenjtë, Meka e ruajti domethënien e saj në besimin islam. Shenja më e qartë, është fakti se kur myslimanët kryejnë lutjet e tyre të përditshme, ata e bëjnë këtë në drejtim të Mekës. Një tjetër shenjë e qartë e rëndësisë fetare të Mekës, është roli që luan qyteti gjatë Haxhit.

Ai është i fundit i Pesë Shtyllave të Islamit, që cili thotë se çdo mysliman që është fizikisht dhe financiarisht i aftë ta bëjë këtë, duhet të shkojë për pelegrinazh në Mekë të paktën një herë në jetën e tij. Një nga ritualet më të rëndësishme të Haxhit është ‘teuhati’, ose ecja rrotull Qabes për 7 herë në drejtimin kundër-orar.

Qabja është një faltore e vogël e vendosur pranë xhamisës së Al-Mesxhid Al-Haram, dhe konsiderohet nga myslimanët si vendi më i shenjtë në tokë. Sipas besimit islam, Abrahami (Ibrahimi) u udhëzua nga Zoti që të çonte Hagarin dhe djalin e tyre, Ismaelin, në Arabia nga Palestinë, për t’i mbrojtur ata nga xhelozia e Sarës, gruas së parë të Abrahamit.

Ai i çoi që të dy në vendin kur ndodhet sot Meka dhe i la atje, siç e udhëzoi Zoti. Edhe pse u la disa ushqime dhe ujë para se të ikte, shumë shpejt Hagari dhe Ismaeli nisën të vuanin nga uria dhe etja. E dëshpëruar, gruaja vrapoi në majën e dy kodrave, Safa dhe Marua, për të parë nëse mund t’i kërkonte dikujt ndihmë.

Në fund, Hagari u ul pranë të birit e rraskapitur, dhe iu lut Zotit për ndihmë. Në atë moment, Ismaeli përplasi këmbët në tokë, prej andej doli ujë, dhe kështu që të dy shpëtuan nga vdekja. Kjo thuhet se është origjina e Pusit të Zamzam-it.

Burimi i Zamzam-it, besohet të jetë një degë e Ujërave të Parajsës. Mrekullia jo vetëm që shpëtoi Hagarin dhe Ismaelin, por i dha mundësi atyre të siguronin jetesën. Pak kohë më vonë, Abrahami u rikthye të shihte si ishin Hagari dhe Ismaeli, dhe u urdhërua nga Zoti të ndërtojë Qaben.

Sipas një interpretimi të një ajeti Kuranor, Abrahamit iu tha të rindërtonte faltoren. Kjo mund të nënkuptojë që ekzistonte një faltore më e vjetër, që thuhet se ishte ngritur dikur nga Adami. Por me kalimin e kohës, banorët e Mekës u bënë politeistë, dhe në Qabe u vendosën skulpturat e Zotave të ndryshëm.

Kur ata iu dorëzuan qytetin Muhamedit në vitin 630, Qabja u spastrua nga idhujt paganë. Në cepin lindor të saj ndodhet Guri i Zi. Si pjesë e teuhatit, pelegrinët e prekin dhe puthin këtë objekt të shenjtë. Guri i Zi, besohet se daton që në kohën e Adamit dhe Evës.

Sipas besimit islam, ky gur iu dha Ademit kur u dëbua nga Parajsa, në mënyrë që të mund të merrte falje për mëkatet e tij. Guri i Zi thuhet se ishte fshehur gjatë Përmbytjes së Madhe, por iu rikthye Abrahamit kur ai ishte duke ndërtuar apo rindërtuar Qaben.

Legjenda thotë se guri kishte fillimisht ngjyrë të bardhë, por u bë i zi si pasojë e thithjes së mëkateve të pelegrinëve të panumërt që e kanë prekur dhe puthur atë. Statusi i Mekës si qyteti më i shenjtë në besimin Islam, është ruajtur që nga fillimi i besimit e deri më sot.

Në gati 1400 vjet që nga themelimi i këtij besimi, Meka ka përjetuar ulje-ngritjet e veta. Për shembull, pronësia e qytetit të shenjtë, ka ndryshuar shumë herë gjatë historisë së tij të gjatë. Në vitin 1269, Meka u vendos nën kontrollin e Mamlukëve, ndërsa në vitin 1517, qyteti ra në duart e osmanëve.

Në vitin 1925, Meka u pushtua nga sauditët, dhe që ajo kohë ka mbetur pjesë e mbretërisë së tyre. Megjithatë për besimtarët, ndryshime të tilla politike kanë një rëndësi dytësore, pasi haxhi (pelegrinazhi) është kryer ndër shekuj aty, pavarësisht se kush ka qenë në krye të qytetit. / Ancient Origins – Bota.al

Please follow and like us: