Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Natasha Lako

 

Kur shkruajnë mjeshtrat e poezisë, bejtexhinjtë heshtin

 

Nuk më lë bora të shoh

 

Nuk më lë bora të shoh

çatitë e kuqe dhe pemët e zverdhura,

po ndjej si, nën të,

lëviz pranvera.

 

Flokët e borës

bien e shkrijnë në qepallat e mia,

kaq lot të bukur,

kaq lot të bardhë,

mund të pikojë vetëm nga dashuria.

 

Dashuri

 

Njëzet qindarka për të folur me ty

Tridhjetë qindarka për të ardhur tek ti.

Sikur miliona të më jipnin

Nuk do të kthehesha kurrë mbrapsh nga ti.

 

Pesëdhjet qindarka për të bërë dashuri.

 

Unë nuk e dija

 

Në mes të gjelbërimit të thellë të pemëve

ne u ndamë,

se unë nuk e dija se ti ishe njeriu im i

dashur.

Ne u ndamë, por do të takohemi prapë

Në muajin tjetër të verës.

Lulet e ftoit lulëzuan të fundit edhe në viset

E mia,

Por lulëzimi i tyre nuk humbi.

Unë po nisem të gjej lulëzimin.

Unë po kthehem tek ai,

Midis gjelbërimit.

 

Kthimi i Skënderbeut

 

Atje në rrugën që s’ishte,

nga qielli me sy, nga korbat në duar,

me trok që nuk gjëndet, me gjak që nuk ikën,

atje Skënderbeu kishte kohën si thikën.

 

Atje ishte ulur dhe prehej i lodhur,

lypsarët s’e gjenin, s’i jepnin një krodhë,

e merrnin ta lanin, e kthenin fëmijë,

e zhduknin në gjumë, e gjenin të thinjur.

 

Atje Skënderbeu i çarë, i prishur,

me pendën dhe bojën e engjëllit të grishur,

pazmore vitrinash dhe kuajsh në çorbë,

lëvore e zgavrave, ullinjtë si lotë.

 

Atje ku ullinjtë i presin dhe s’qajnë,

nga goja e ikur lumenjtë po ndahen,

andej unë kam ardhur, prej andej unë kam ikur,

andej ku veç koha ka mbetur si thikë.

 

Atje ku veç koha ka mbetur e zbrazët,

të zhdukura janë hapat, të zhdukura pragjet,

i ulur atje, i shenjtë dhe i lodhur,

i vetmi njeri që nuk di çfarë ka ndodhur.

Fotografia e Kastriot Malo

Please follow and like us: