Albspirit

Media/News/Publishing

Lidhjet shqiptaro-amerikane, në pjesën e parë të shekullit XX

Rose Wilder Lane*

Para gjashtë vitesh, kur erdha për herë të parë në Shqipëri, fjalët “burrë i vjetër” shprehnin respekt; tani ato kanë kuptimin e një babaxhani të duruar. Nesër të rinjtë e Shqipërisë do të marrin mënyrat e sjelljes të gatshme nga Amerika, ashtu si sot ata marrin – kur munden – veshjet e tyre. Sepse Shqipëria ka vajtur drejt e në Amerikë, pa u ndalur në Evropë. Kjo është një e vërtetë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Po mua më duket se bijtë e Shqipërisë kur kthehen, sjellin me vete më shumë prej Amerikës. Sllavët, si rregull, punojnë në minierat amerikane; grekët bëhen lustraxhinj, shitës zarzavatesh apo pronarë restorantesh; shqiptarët shpërndahen gjithandej.

Më vjen ndër mend Thoma Nasi. Ai luante në orkestrën simfonike të Bostonit e u kthye në Shqipëri për të organizuar bandën frymore dhe shoqëritë e korit. Ai shkroi këngët të cilat shqiptarët i kënduan në betejë, kur dëbuan italianët nga Vlora (ku në luftime mori pjesë edhe vetë); pastaj u kthye në Boston për të blerë një prej kompanive më të mëdha muzikore. Njoh edhe një bej, për dy vjet në Amerikë ai shpenzoi tre mijë dollarë të shtëpisë dhe bëri tridhjetë e shtatë punë – një në të korrat në fushat e Kanzasit; një në një fabrikë disqesh, si kryepunëtor; një si shërbëtor i shërbëtorëve në hotelin Billtmor në Nju-Jork; ai u regjistrua si ushtar në AEF, kaloi nëpër disa prej betejave më të këqija dhe pas luftës u kthye në pronat e tij në Shqipëri.

Ai nuk e di me saktësi sesa tokë zotëron, po e di se në tokat e tij përfshihen në njëzet e nëntë fshatra. Ai thotë se nuk i pëlqen Amerika. “Atje të gjithë punojnë. Unë jam dembel; nuk më pëlqen të punoj”. Përtacia është kredoja e tij.

Ai ka instaluar makineri bujqësore amerikane në pronat e tij, duke zëvendësuar me traktorë buajt e ujit dhe parmendën prej druri. Këta të dy janë më të njohurit ndër mijëra të panjohur, po janë edhe më tipikët. Shqiptarët kanë të përbashkët me amerikanët kureshtjen për çdo gjë të panjohur, dëshirën për të provuar gjëra të reja. Ata shkojnë me mijëra në Amerikë; mijëra janë edhe evropianët nga të gjitha shtetet, që shkojnë në Amerikë. Po shqiptarët nuk vendosen në ndonjë “Shqipëri të vogël”. Ata e eksplorojnë Amerikën, s’lënë gjë pa kontrolluar.

Si rregull ata nuk dërgojnë lekë në shtëpi; ata i shpenzojnë ato. I shpenzojnë për shkollim apo për përvoja edukative. Shumë prej tyre shpërngulen në Amerikë, duke ardhur në shtëpi vetëm për t’u martuar – dhe martohen me gruan e zgjedhur nga familja, sepse parapëlqejnë zakonet e martesës shqiptare më shumë se ato amerikane. Disa kthehen duke thënë se Amerika është vendi më i mrekullueshëm mbi dhe, i pasur, i rehatshëm, i bukur, plot me mundësi – po është më mirë të kthehesh në një vend me më pak zhurmë, me më pak nxitim, me më shumë kohë për biseda. Ata sjellin me vete përvojat amerikane, ide për industrinë, arkitekturën dhe bujqësinë.

Para pak kohësh i rashë mes për mes Francës e Italisë me makinë, me një Ford. Në rrugët e çdo qyteti e fshati makina bëri bujë, duke mbledhur turmat rreth saj kudo ku ndalesha, sepse ishte modeli i fundit, për të cilin të gjithë kishin dëgjuar, po asnjë nuk e kishte parë. Në Shqipëri ajo kaloi pa u vënë re. Në Shqipëri ka dyqind makina Ford e, mbase, dyzet prej tyre janë modeli i fundit. Rumania ka Bukureshtin, “Parisin e vogël” të Ballkanit. Shqipëria ka Korçën, “Amerikën e vogël”.

Korçës i ka mbetur fare pak nga shija e dikurshme, aq sa mund ta marrësh për një qytet të vogël amerikan, kur bëhet gati të veshë kostumin e karnavaleve. Korça ka shtëpi amerikane, me kangjella, lëndina, shtretër lulesh, oborre, me tinguj pianosh në mbrëmjet e verës. Edhe fëmijët në rrugë flasin amerikançe, këndojnë këngë amerikane. Për nga madhësia Korça është qyteti i tretë në Shqipëri; për nga kultura, është kryeqyteti i saj. Këtu janë edhe dy qendra të tjera të kulturës amerikane: është Shkolla Teknike në Tiranë dhe Shkolla Bujqësore shqiptaro-amerikane në Kavajë.

Është edhe Spitali shqiptar, i themeluar nga amerikanët. Shkolla Teknike dhe spitali shqiptar janë rezultat i punës së Kryqit të Kuq Amerikan. Shqipëria mori vetëm thërrimet prej ndihmave amerikane, të rëna nga tryeza e shtruar pasurisht në Evropën e pasluftës. Kjo ndodhi pjesërisht nga vështirësitë e transportit, dhe pjesërisht nga fakti se zëri i Shqipërisë ishte i vetmi, që nuk u dëgjua në britmën e Evropës për ndihmë. E gjithë Shqipëria vuajti gjatë dhjetë viteve të pushtimit të armatosur dhe shkatërrimit, ashtu si vuajti Belgjika dhe Franca e Veriut.

Po shqiptarët janë mësuar me vuajtjen; përveç saj historia shqiptare të kujton pak ndodhi të tjera. Po ashtu, ata janë mësuar të vdesin duke luftuar – të përballen me kokën lart me më të keqen që sjell armiku dhe, më në fund, ta ruajnë respektin për veten të paprekur. Ata nuk kërkojnë ndihmë, sepse kredoja e tyre primitive është se ka disa gjëra me më shumë vlerë se jeta dhe të lypësh do të thotë të humbësh ndonjë prej tyre.

Edhe Kryqin e Kuq Amerikan në Shqipëri e solli thirrja e një oficeri të ushtrisë angleze. Ata sollën njëfarë ndihme; jo aq shumë, sepse pas gjithë kërkesave nga Evropa, për Shqipërinë nuk mbetën shumë furnizime, shto këtu edhe vështirësitë e transportit. Po shqiptarët e pranuan këtë ndihmë me ndjenjën e thellë të mirënjohjes së një populli, që e respekton veten. Punonjësit e ndihmës, njerëz me eksperiencë, mbeteshin gojëhapur kur refugjatët u shtinin në dorë dhurata të vogla – ndonjë vath argjendi që u kishte mbetur apo ndonjë copë të qëndisur, të shpëtuar nga ndonjë shtëpi e djegur, apo vezë nga pula e vetme e familjes.

Mirënjohja nuk është vlerë vetëm e një kombi; të gjithë popujt janë mirënjohës për bukën, kur janë duke vdekur nga uria – madje, edhe ata që e kanë marrë një herë e ndërkohë bërtasin “Duam prapë!”. Shqiptarët, si thonë armiqtë e tyre, po si e pohojnë me keqardhje edhe ata vetë, janë të paqytetëruar; gjurmët e kulturës barbare duken ende, po janë ato gjurmë që i japin një pamje të veçantë mirënjohjes shqiptare. Ajo është e sinqertë, me dinjitet dhe e qëndrueshme. Ashtu si dikur, edhe sot ajo kërkon të shprehet me veprime. Një amerikan, për njerëzit në Shqipëri është ende përfaqësuesi i një vendi, i cili jo vetëm është, thjesht, më i pasuri në botë, po është edhe më i njerëzishmi. Për të qenë të drejtë me të tjerët, duhet thënë se Amerika nuk është ndonjë prej kreditorëve të Shqipërisë. Po edhe sikur të ishte, unë besoj se mirënjohja shqiptare nuk do të ishte ndryshe.

Në përgjithësi, gjysma e shqiptarëve janë aq primitivë sa të vazhdojnë ende t’i mbeten mirënjohës atij që i shpëton jetën, edhe nëse mirëbërësi i shton detyrimit një kredi. Kryqi ynë i Kuq këtu pati edhe një pasojë tjetër. Shqiptarët, duke e ndier se shtypja turke e kishte vonuar qytetërimin e vendit të tyre për pesë shekuj, u mbërthyen pas ideve amerikane edhe më me etje, sesa pas ushqimit amerikan.

Myslimanët shqiptarë menjëherë, pa ndihmën tonë, organizuan Kryqin e Kuq Shqiptar. Sot atje po bëhet një punë mjaft e mirë: me një klinikë ditore, pa pagesë dhe me shërbim infermierie në shtëpi. Infermierja përgjegjëse për shërbimin mjekësor atje është një vajzë shqiptare, Eleni Trajani, një nga nxënëset e General Hospital në Masaçusets. Shkolla teknike në Tiranë u ngrit nga frymëzimi i një prej drejtorëve tanë të Kryqit të Kuq, kapitenit Krouli. Ai ka një vend të shenjtë në zemrat e mijëra shqiptarëve, sepse ai e pa etjen e shqiptarëve për ide. Në fillim shkolla u mbështet nga Kryqi i Kuq Rinor Amerikan; ndihmesa shqiptare ishte një godinë, materialet dhe fuqia punëtore.

Qeverisësit tani po marrin përsipër gjithë financimin e shkollës, duke shtuar edhe një fermë, e cila mbahet nga studentët dhe ndihmon në furnizimin e tyre me ushqime. Shkolla, gjithashtu, furnizon Tiranën me energji elektrike nga impianti i saj elektrik. Më se njëqind djem janë regjistruar në klasat e mekanikës, punës me dru dhe teknologjisë dhe secili prej tyre është po aq amerikan, sa çdo djalë amerikan në Amerikë, që tani nis të merret me motorin e një automobili.

Spitali shqiptar ishte menduar të ishte i përkohshëm; ai ishte pjesë e sajuar e një aktiviteti ndihmës. Pasi Kryqi ynë i Kuq u tërhoq, spitalit, që më shumë mund t’i ngjajë një hauri ushtrie, la pajisjet dhe një komplet kirurgjikal. Atë e morën përsipër vetë shqiptarët. Sot ai është një spital i vogël, i shkëlqyer i drejtuar sipas principeve mjekësore amerikane, ku të gjithë punonjësit janë shqiptarë.

Njerëzit ende e quajnë spitali amerikan. Për ta shëndeti është një prej të mirave të shumta amerikane, që ata po e përdorin për njerëzit e varfër. Me pak fjalë, unë nuk jam e sigurt nëse shqiptarët kanë ndonjë ide më të qartë për Amerikën nga ideja që, zakonisht, sot kanë për të në Evropë. Po do të pyes edhe z. Çekrezi. Ai erdhi sapo e thirra.

Lazri e solli me ceremoni nga oborri në kopsht, duke kaluar nëpër korridorin me harqe. Pastaj u ngut t’i sillte filxhanët e vegjël të pashmangshëm të kafesë, që i jepen mikut. Z. Çekrezi është një shqiptar nga Korça, një i diplomuar i Harvardit, autor i disa librave mbi Shqipërinë në anglisht dhe i librave mbi Amerikën në shqip. Ai duhet ta dijë. – Z. Çekrezi, çfarë mendojnë shqiptarët për amerikanët? Besoj se ata mendojnë se ne të gjithë jemi të pasur. Ai buzëqeshi. – Po, ata e dinë këtë. Po heqim dorë nga kjo pikë.

Është e vërtetë, amerikanët janë populli më fatlum në botën e sotme. – Po tjetër? – Ata mendojnë se ju jeni të mençur për gjithë çfarë ka të bëjë me mekanikën. Ata mendojnë se ju jeni të sjellshëm. Ata mendojnë se ju jeni tepër të mirë. Ju jeni aq të mirë, sepse jeni të thjeshtë. Ju nuk jeni aq dyshues sa duhet; ju nuk shihni çfarë ka pas veprimeve të të tjerëve; nuk përpiqeni të gjeni motivet. Ju ju mashtrojnë si fëmijë, sepse ju besoni se bota është më e mirë, sesa duket.

Ne ju admirojmë dhe ju duam – po ndonjëherë edhe buzëqeshim me ju, ashtu si njerëzit bëjnë me një fëmijë. – Ju mendoni se Amerikës i mungon sofistikimi? Ai më thotë se nuk po flet për Amerikën apo për politikat ndërkombëtare. – Po flisja për mendimin e shqiptarëve të mesëm për amerikanët që ata i kanë takuar këtu apo në Amerikë. Nëse doni të dini se çfarë mendojmë ne për Amerikën, atëherë kërkojini një shqiptari të mesëm të zgjedhë: nëse do të shkojë në Parajsë apo në Amerikë. Pa hezituar asnjë sekondë ai do të zgjedhë Amerikën. Sepse ai nuk është aq i sigurt se çfarë është Parajsa, po ai e di shumë mirë se çfarë është Amerika.

Fragment nga libri “Rose Wilder Lane dhe shqiptarët” me autore Eleni Laperin

Lidhjet shqiptaro-amerikane, në pjesën e parë të shekullit XX

Please follow and like us: