Shenasi Rama: Shqipëria, një burg gjigant
Duke lexuar disa materiale me ranë në sy dy statistika: në shtetin e ashtuquajtur shqiptar ka: 16 800 të punësuar si ushtarakë, oficerë, e nënoficerë; 23 560 të punësuar si gardianë burgjesh. Shteti shqiptar harxhon 2.1% të buxhetit për ushtrinë, pra diku tek 95 milionë euro. sipas një statistike, në prill të viti 2018, në shtetin shqiptar kishte 5447 të dënuar me burg. Kjo shifër nuk llogarit të paraburgosurit dhe shpenzimet për ta. Pra, sa ushtarë aq edhe të burgosur. Dallimi është se duhet një ushtri për t’i mbajtur në burg këta. Kostoja e mbajtjes së dikujt në burg është e lartë, sepse ka një infrastrukturë të dukshme dhe një të padukshme: është ushqimi, banimi, shërbimet, mjekësia, ana ligjore, siguria, transporti, dhe personeli. Vetëm kosto e personelit (llogarit këtu, por edhe shto edhe overhead si pensionet, shëndetësinë, uniformat, zyrat, telefonat, ajrin e kondicionuar, makinat, etj. për gardianët e burgjeve) është thuajse një me një.
Sipas Telegraf: “Një i paraburgosur ka kosto ditore 14.63 euro, një i burgosur që vuan dënimin i kushton shtetit 12.3 euro në ditë dhe një i dënuar, por i sëmurë i kushton shtetit 46.23 euro në ditë, sipas raportit të hartuar. Vetë Ministria e Drejtësisë është shprehur se kostoja reale mujore për një të dënuar është 800 euro, afërisht 9 mijë euro në vit, më e lartë edhe se shumë vende të tjera në Europë.” Në fakt, kur llogariten edhe gardianët, overhead, shpenzimet dytësore dhe te paraburgosurit etj., kostoja del dyfish, pra është diku tek 1500-1700 euro në muaj. Pra, për të mbajtur burgjet duhet rreth 2% e buxhetit të shtetit. Aq sa duhet për të harxhuar për mbrojtjen në NATO në vit…thuajse aq sa subvencionon shteti për pensionet e 400 000 vetëve…dhe kur mendon se një shkollë për 400 nxënës kushton 1 milion euro, një shtetas shqiptar në asistencë, me familje me katër vetë merr vetëm 500 euro në vit, nje pensionist merr 1200-1500 euro në vit, një mësues merr 5000 euro në vit.
Shkurt, Shqipëria është një burg gjigant me të burgosur e me një shtet që është furnizues dhe mbikëqyrës burgjesh. Mirë për kriminelët e njohur, qe duhej të jenë në burg, por këta as nuk dënohen, e as nuk lëshohen, e as nuk numërohen. E natyrisht, asnjë kriminel nga pjesëtarët e parisë nuk shkon në burg! Edhe kjo është një temë që duhet diskutuar pak më shumë e më gjerë, sepse shumica e atyre që shkojnë në burg janë të mjerët dhe të varfrit, të pazotët dhe të pambrojturit. Nuk flet njeri për Fullanin dhe të tjerët që dëmshpërblehen me 400000 dollarë. Ku janë gjykatësit që jetojnë me pasuritë që nuk i justifikojnë dot? Po ata zyrtarët që nuk e dinë ku i kanë paratë? Po ata që vetëm për kravata kanë harxhuar miliona? Asnjë nuk shkon në burg. Në burg shkon fakir-fukaraja. Përndjekja e të varfërve, dhe mbrojtja e pasanikëve oligarkë, është edhe shenja më e qartë e sistemit kriminal. Denoncimi duhet bërë sistematikisht dhe pa ndërprerje. Kjo është edhe puna e opozitës që nuk gjendet kund dhe që duhet rikrijuar nga fillimi për të luftuar oligarkinë kriminale të Tiranës, sepse edhe ata që shiten si opozitë janë pjesë e oligarkisë kriminale. Luftë deri ne fund kundër atyre që duan ta kthejnë Shqipërinë në burg edhe më gjigant. Sepse burgu është një hapësirë nga e cila as nuk mund të ikësh dhe në të cilën je i mbajtur me zor. E gjithsesi, edhe për vete ata kane ngritur një burg ari, edhe pse për shqiptarët kanë ngritur një kamp përqendrimi. Megjithatë të ikën truri kur mendon se këta ju sundojnë dhe ju i mbroni! Ata s’kanë pikë mëshire për ju, pse duhet të keni ju zemër të madhe për ata?