Albspirit

Media/News/Publishing

Papa Françesku do të vizitojë Maqedoninë e Veriut

Papa Françesku do të vizitojë për herë të parë Maqedoninë e Veriut, më 7 maj. Kryeministri Zoran Zaev, tha se kjo vizitë e tij tregon afërsinë e tij personale dhe simpatitë e forta të Vatikanit për vendin e tyre. “Papa Françesku zgjodhi të vizitojë kishën katolike dhe popullin e Maqedonisë së Veriut dhe në këtë mënyrë të tregojë afërsinë e tij personale dhe simpatitë e forta të Vatikanit për vendin tonë. Ardhja e tij në qytetin e lindjes së Nënës Terezës, e cila u shndërrua në vetëdijen morale të botës, ka një simbolikë dhe mesazh për pajtim dhe solidaritet”, tha Zaev. Qeveria e Shkupit po përgatitet në detaje për këtë zhvillim të rëndësishëm duke organizuar 15 mijë vende në sheshin e Shkupit, ku kreu i Kishës Katolike do të mbajë meshën e shenjtë, ndërsa kanë ndërmarrë masa të mëdha sigurie. Organizatorët iu bënë thirrje të gjithë besimtarëve nga vendet fqinje që të udhëtojnë për në Shkup e të bëhen pjesë e vizitës së Papa Françeskut, ndërkaq mediat kanë treguar interes tepër të lartë për këtë ngjarje, pasi rreth 400 gazetarë kanë kërkuar të akreditohen, prej të cilëve 200 janë të huaj.

Please follow and like us: