Demokracia nuk mund të ndërtohet nga po ata që ndërtuan diktaturën
Thanas L. GJIKA, SHBA
Shteti diktatorial të punësonte sa për të mbajtur gjallë veten dhe familjen. Ky shtet përmes ndëshkimeve të drejta e të padrejta kishte arritur të krijonte psikozën e terrorit dhe të frikës se mos edhe ti e pësoje si ata që u burgosën, u internuan, u vranë… Kështu që, për të mos humbur punën, pozitën e karrierën, shumica e nëpunësve, policëve, artistëve, studiuesve, etj i ishin nënshtruar kësaj psikoze dhe punonin për të siguruar një emër “sa më të mirë” tek nëna parti, e cila me anë të syrit dhe veshit të Sigurimit, mblidhte të dhënat dhe jepte vendimet. Pra shumica dërmuese e qytetarëve që nuk u arrestuan /internuan/ pushkatuan për agjitacion e propagandë, e kishin humbur moralin e shëndoshë qytetar . Ata kanë bërë jetën e frikamanit e të të nënshtruarit dhe të shërbëtorit ndaj partisë shtet. Të gjithë këta, kuptohet bashkë me mua, duhet të kishim kërkuar të falur në vitet 1992-1993 dhe të mos përpiqeshim të merrnim poste e detyra shtetërore, të mos viheshim në lista zgjedhore. Por Ramiz Alia me besnikët e tij punuan për të mos u kryer kjo kërkesë e të falurit (katarsa). Këta punuan për ta dëmtuar e deformuar rrugën që duhej të merrte demokratizimi i shoqërise dhe shtetit tonë. Punuan sipas planit që “Shqipërinë ta gëzonin komunistët besnikë të kupolës dhe bijtë e tyre”.
Kështu që, sot kur vijojnë ta mbajnë pushtetin bijtë e po asaj klase, ka të drejtë Visar Zhiti kur shkruan se “demokracia nuk mund të ndërtohet nga po ata njerëz që ndërtuan diktaturën”.
Sot njerëz si Edmond Caja, Spartak Braho me gjithë mbështetesit e tyre dhe komentuesit, nuk kanë turp të qëndrojnë në pozita sulmi, të shajnë e shpifin, me një gjuhë të ulët, në vend që të ulin kokën me turp dhe të kërkojnë me vonesë të falurën për ato që bënë. Kurse qytetarët e shquar si Visar Zhiti, Agron Tufa, Kastriot Dervishi, etj përmes veprave letrare, intervistave, studimeve shkencore, përpiqen me seriozitet, maturi e humanizëm të vënë në dukje krimet e komunizmit që u kryen në vitet 1941-2019 dhe të kërkojnë dënimin e tyre. Fatkeqësisht nëpër gazeta e televizione njerëzit që mbrojnë këtë kauzë të drejtë përbëjnë pakicën, por pavarësisht nga ky fakt, kauza e këtyre njerëzve do të fitojë, sepse koha punon për dënimin e krimeve të komunizmit, ndryshe nuk mund të bëhet Shqipëria si duhet, nuk mund të hyjmë në Europë…/gazeta dielli/