Reshat Kripa: Përjetësisht (3)
Në gjurmët e një romani të pabotuar (3)
Pjesa e tretë
Arbëri kryente shërbimin ushtarak në një repart pune pranë një ferme bujqësore. Ishte shërbim ushtarak, por pa armë. Ajo nuk ekzistonte në atë repart. Punonin tokën qilizëm për mbjellje vreshti. Puna fillonte qysh më shtatë të mëngjesit dhe përfundonte në orën pesë pasdite.
Ishte fundi i vitit të dytë të shërbimit. Edhe dy muaj dhe do të liroheshin. Gjatë gjithë kohës së shërbimit kishte mundur të shkonte vetëm një javë në shtëpi. Ishte shumë e vështirë dhënia e lejes. Edhe liri-dalje nuk kishte, pasi ishin shumë larg qytetit. Korrespondenca u lejohej dy herë në muaj. Ai e përdorte këtë fakt për të shkëmbyer letra me nënën e tij, por sidomos me Blerinën e cila për të mos rënë në sy të ndonjerit që mund t’i binte në dorë, në fund të saj shkruante: “Jotja, Blerta”. Ajo vazhdonte fakultetin pedagogjik në degën gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës. Ishte studente e vitit të parë. E kishte bërë zakon që, sa herë kishin pushime, para se të kthehej në shtëpi, të ndalonte për të takuar Arbërin.
Kështu bëri edhe një të dielë. I zbriti trenit dhe me një makinë të rastit mbërriti në repart. Kërkoi të takohej, por oficeri të cilit ajo iu drejtua i tha me një zë të ashpër:
– Shkoni në shtëpi. Sot nuk mund të takoheni, pasi ai është i dënuar.
– Qenka i dënuar? E çfarë mund të ketë bërë një ushtar që të dënohet?
– Kjo nuk është punë për ty, – u përgjigj oficeri duke i kthyer kurrizin me mospërfillje.
Çfarë kishte ndodhur? Arbëri ishte caktuar skuadërkomandant. Ishin dhjetë vetë në skuadër. Midis tyre ishte edhe një malësor, që njihej për kapadaillëkun dhe arrogancën e tij. Pothuajse nuk punonte fare. Edhe atë pak punë që bënte e kryente si mos më keq. Këtë e dinin të gjithë. Një ditë erdhi në vendin e punës operativi i sigurimit të repartit. Ishte nga fshatrat e qytetit të Arbërit. Mori disa ushtarë nga skuadrat e tjera dhe i urdhëroi të vështronin nëse e kishte bërë mirë qilizmën skuadra e Arbërit. Me një servilizëm të pashoq ata deklaruan se puna ishte bërë shumë keq, gjë që nuk ishte aspak e vërtetë. Vetëm pjesa që kishte punuar malësori arrogant ishte e tillë. Por shigjetat e operativit nuk drejtoheshin nga ai. Në përfundim të ditës së punës, e rreshtoi skuadrën në mensën e repartit. Filloi të bërtiste me zë të lartë për gjoja një sabotim që ishte kryer. Në mënyrë të veçantë cilësoi Arbërin si skuadërkomandant. Ai nuk pranoi. Operativi u xhindos dhe bërtiti:
– Mos kërkon të sabotosh punën? Kjo nuk është bahça e tyt eti, por prona e gjithë popullit dhe ne nuk ju lejojmë të sabotoni. A e dini se unë mund t’iu hedh hekurat për këtë?
Arbëri e kuptoi se, po ta vazhdonte më tej bisedën, do të ishte më keq, ndaj heshti.
-Jeni i shkarkuar nga detyra e skuadërkomandantit, – tha dhe e mbylli në qelinë e ndëshkimeve.
Blerina u kthye në shtëpi. Ishte mjaft e tronditur nga ngjarja që i kishte ndodhur. Por nuk ia tha askujt, as nënës së Arbërit dhe as prindërve të saj. Nuk donte t’i shqetësonte. Qysh atë mbrëmje i shkroi letrën ku, ndër të tjera, shkruante:
“I shtrenjti im Arbër! Sot u ktheva me pushime dhe erdha të të takoja por, çuditërisht, nuk më lejuan, pasi më thanë se ishe dënuar. Nuk më thanë përse. Megjithëse jam më e vogël se ty, do të të këshilloja të ishe më i qetë për të mos krijuar pakënaqësira në repart. Unë e njoh mirë karakterin tënd ndaj çuditem se si ka mundësi t’i tejkalosh normat e miresjelljes Kjo më duket e pamundur”.
Në fund të saj, si zakonisht, shkroi: “Jotja, Blerta”.
Arbëri e lexoi letrën. Ai e kuptoi dhimbjen që duhej të kishte ndjerë ajo. Nuk mund të arrinte të kuptonte se deri ku mund të shkonte absurditeti i veprimeve te eprorëve të tij.
Ishin vite të vështira. I shkëputur nga vendet e tjera të kampit socialist, vendi kishte mbetur pothuajse i izoluar. Kishin filluar të dilnin propozime ekstreme nga institucione apo shtresa të caktuara. Një e tillë kishte dalë nga një shkollë e mesme në një qytet të Shqipërisë ku thuhej:
“Të gjithë, pa frikë, dhe me zë të lartë të ngrihen kundër çdo gjëje që pengon ecjen e vendit tonë në rrugën drejt socializmit dhe komunizmit”.
Kështu, në të katër anët e atdheut, filluan të shfaqeshin të ashtuquajturat “Fletë-rrufe” me anën e të cilave kushdo mund të godiste cilin të donte, madje në shumicën e rasteve kjo bëhej nga njerëz të kurdisur nga autoritetet qeveritare.
Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, por edhe “perandori” i vendit, me anën e një të ashtuquajture “Letër e hapur”, filloi të sulmonte besimet fetare dhe bënte thirrje për shkatërrimin e të gjitha objekteve të tyre. Kështu filloi një batërdi e paparë kundër këtyre institucioneve sikur të kishte shpërthyer Lufta e Tretë Botërore.
Kjo gjendje pasqyrohej edhe në repartet ushtarake dhe sidomos në ato të punës ku ishte Arbëri. Reparti i punës ishte një gjysmë burg i ri. Puna, ushqimi, fjetja qenë pothuajse të njejta. Po ashtu edhe trajtimi i ushtarëve. I vetmi ndryshim ishte se nuk kishte roje që t’i shoqëronin, kur shkonin dhe vinin në punë. Në vend të pushkës së vërtetë, kishin nga një prej druri, sikur të ishin fëmijë dhe do të luanin me të.
Këto mendonte Arbëri duke lexuar letrën e Blerinës. Mendoi t’i kthente një përgjigje lakonike në mënyrë që të mos kuptohej nga eprorët që, me siguri, do ta lexonin. Midis të tjerave ai i shkroi:
“Zemra ime, mos u shqetëso. Unë jam mirë. Ai qe një lapsus nga ana ime. Kur të lirohem do ta shpjegoj”.
Këtë shënim e dërgoi brenda një letre që i dërgonte së ëmës.
Për fat ishin ditët e fundit të ushtrisë. Dy muajt kaluan shpejt dhe Arbëri u lirua. Më në fund e kishte kaluar edhe këtë provë.
* * *
Me lirimin nga ushtria, dilte problemi i punësimit. Arbëri vetëm me shkollë të mesme dhe pa asnjë profesion e kishte shumë të vështirë për të gjetur një punë për të qenë.
Një miku i familjes së tij bindi kryetarin e kooperativës së drupunuesve ta merrte në punë. Kryetari ishte inxhinier druri. Kishte mbarur studimet në Pragë. Ishte njeri i përsosur. Urrente intrigat, thashethemet, servilizmat. Me ndërmjetësimin e tij e caktuan si punëtor pranë një marangozi në zdruktarinë e ndërmarrjes. Puna nuk ishte shumë e vështirë. Përveç kësaj ishte punë brenda ku nuk të zinte as shiu, as ftohma apo vapa. Filloi të mësojë edhe mjeshtërinë e marangozit. Kjo nuk vazhdoi gjatë. Një ditë hyri në repart shefi i kuadrit, një arrogant dhe fodull. Dha urdhër ta largonin nga ajo punë. Në ndërmarrje fjala e shefit të kuadrit, ishte më e fortë se ajo e kryetarit. Ishte paradoksi i kohës. E transferuan në trasport gëlqereje me skodë nga kaminat ku prodhohej në dyqanin e shitjes në qytet.
Dyqani ku shkarkonin gëlqeren ishte në një rrugicë të ngushtë. Kjo bënte që të mbuloheshin me gëlqere aq sa nuk njiheshin.
Një ditë, ndërsa mbaruan shkarkimin dhe po bëheshin gati të laheshim dhe të iknim në shtëpi mbërritën kryetari me shefin e kuadrit. I dyti foli me një ton urdhërues:
-Shkoni menjëherë të ngarkoni një rrugë dërrasa në agjencinë e sharrave për në ndërrmarrje.
Ishte pasdite vonë. Tetor. Dielli ishte në perëndim e sipër. Punëtorët filluan të kundërshtojnë. Të shkoje atje do të thoshte të vazhdoje punën edhe për gati dy orë të tjera. Me ta u bashkua edhe Arbëri. Kryetari iu afrua dhe duke i shkelur këmbën i tha me një zë të ulët që të mos e dëgjonte shefi:
– Hesht! – dhe i shkeli syrin duke i treguar me kokë në drejtim të tij.
Arbëri kuptoi gjithçka. Kundërshtimi mund të interpretohej si nxitje e qëllimshme e punëtorëve. Shpirti rebel i tij e nxiste për kundërshtim, por arsyeja e frenonte. Heshti. Nuk kishte të drejtë të ngrinte zërin edhe atëherë, kur shikonte se po bëhej një padrejtësi. Paralajmërimin që i bëri kryetari e konsideroi si një nder të madh, se nuk dihej se si mund të kishte përfunduar. Megjithatë nuk vonoi dhe erdhi urdhëri për pushim nga puna pa paraqitur asnjë arsye.
Ndërkohë Petriti kishte përfunduar studimet dhe ishte emëruar agronom në ndërmarrjen bujqësore të qytetit, në atë ndërmarrje ku ishte edhe nëna e Arbërit. E këshilloi të shkonte në këshillin e lagjes dhe të kërkonte një fletë pune për në ndërmarrjen bujqësore. Për këtë ai kishte biseduar më parë edhe me një të njohurin e tij që ishte anëtar i këshillit. Arbëri e mori fletën e punës pa ndonjë vështirësi. Kështu filloi punë në një nga sektorët e ndërmarrjes. E ëma ishte në një sektor tjetër.
Puna ishte e rëndë dhe paga e ulët. Fillimisht punonin në qilizëm për hapjen e tokave të reja. Me fillimin e dimrit kaluan në vjeljen e ullinjve. Burrat i shkundnim, ndërsa gratë i mblidhnin. Në mbrëmje i ngrinin në krahë dhe i shpinim në qendrën e brigadës ku peshoheshin dhe llogaritej norma e realizuar. Vështirësia më e madhe ishte kur binte shi. Ishin të detyruar të rrinin nën trungun e ndonjë ulliri të madh. Balta nuk iu nda për gjithë stinën e dimrit.
Brigadier kishin një injorant me shkollë fillore. Ishte një tip kapadiu nga ata që ndeshen shpesh në vend. Ishte përfaqësuesi më tipik i atyre që zbatonin luftën e klasave pikë për pikë. Ata që kishin shenjë në biografi, siç thuhej atëhere, i trajtonte si armiq. Sa herë që bëhej mbledhje e brigadës thoshte:
– Ata që nuk kanë triska fronti të largohen.
Arbërit dhe disa të tjerëve që ajo u mungonte nuk u lejohej të mernim pjesë në mbledhje. Natyrisht, sipas logjikës së tyre, për të mos dëgjuar ‘sekretet e mëdha’ që do të diskutoheshin në një brigadë bujqësie! Kështu në mes të këtyre vështirësive vazhdoi deri në mbarim të dimrit.
Duke qenë në këtë gjendje, ai mendoi të bënte një kërkesë për përfitimin e teserës së antarësisë në orgnizatën e Frontit Demokratik. Ditën që do të shqyrtoheshin kërkesat në selinë e organizatës ishin mbledhur të gjithë të interesuarit si dhe pjestarë të tjerë të lagjes. Filluan të diskutoheshin kërkesat një e nga një. Kur i erdhi Arbërit radha, një banor i lagjes u ngrit dhe tha:
-Le të na thotë njëherë dy fjalë për biografinë e tij.
Arbëri mbeti në një pozitë të vështirë. Nuk dinte çfarë të thoshte. Por në atë çast, nënë Emineja, një aktiviste e njohur e organizatës së frontit, u ngrit dhe foli:
-Ju heshtni, familjen e Arbërit e njoh unë shumë mirë. Prandaj nuk kemi çfarë të diskutojmë.
Arbëri shtangu. Nuk e besonte se ajo nënë do të fliste në atë mënyrë. Organizata e miratoi dhënien e kartës së antarësisë. Kur u ndanë ai falënderoi nënë Eminen.
Petriti duke parë gjendjen e Arbërit ndërhyri pranë inxhinierit të sektorit të investimeve me të cilin ishin komshinj në lagje për ta marrë në sektorin e tij. Inxhinieri pranoi dhe mundi ta tërhiqte, madje e bëri edhe brigadier të brigatës së ndërtimit. Me zgjuarsinë e tij dhe me ndihmën e inxhinierit ai arriti të përvetësojë mjaft mirë zanatin, madje të njihte edhe projektet. Punonin në ndërtim deposh, stallash apo edhe apartamente ndërtimi. Me aftësinë e tij arriti të fitojë simpatinë e të gjithë shokëve të cilët i vunë epitetin ‘Inxhinieri’. Në brigatën e tij kishte disa individë që i përkisnin klasave të përmbysura. Më tepër kishte shoqëri me një shokun e tij të shkollës, Ibrahimin, që nuk kishte vazhduar studimet e larta pasi edhe ai kishte një vëlla më të vogël, që në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare, së bashku me dy shokë shpërndanin trakte antikomuniste në qytet. Ishte arrestuar dhe dënuar me tetë vjet burg.
Më së fundi, kishte fituar një punë të përhershme që në raport me të tjerat ishte shumë herë më e mirë dhe që mendonte ta ushtronte deri sa të vinte mosha e pensionit, natyrisht nëse nuk do t’i dilnin pengesa te tjera ta pa parashikueshme.
* * *
Blerina mbaroi universitetin dhe u diplomua si mësuese. U emërua profesore e letërsisë në gjimnazin e qytetit. Megjithëse fillestare në këtë detyrë, ajo me mprehtësinë e saj mundi të fitojë simpatinë e kolegëve. Drejtor kishte Andrean i cili, me anën e një miku që kishte në Ministrinë e Arësimit, kishte mundur të rehabilitohej pas uljes në detyrë që kishte pësuar dikur për përkrahjen e mësuese Afërditës. Ky ishte një fat për Blerinën. Ajo fliste me Andrean pa rezerva dhe i shfaqte shqetësimet e saja.
Një nga shqetësimet më të mëdha ishte se si do të vazhdonin marrëdhëniet me Arbërin. Jo se kishte ndërruar mendje, por nuk gjente mënyrën se si do të vepronte tani, kur të tjerët i njihnin si dy të rinj që kishin një shoqëri të zakonshme. Çfarë do të mendonte opinioni publik, kur të shihte se marrëdhëniet e një pedagogeje me një punëtor bujqësie do të ishin kaq të afërta dhe të shpeshta?
Vendosi ta bisedonte me Andrean. Ai e dëgjoi me vëmendje dhe pasi u mendua mirë e mirë, i tha:
-Dëgjo Blerina, para se të përgjigjem dua të të pyes: A je plotësisht e vendosur të bashkosh fatin tënd me të Arbërit? A je e vendosur t’i përballosh të gjitha vështirësitë që mund të të dalin?
Blerina mendonte:
-Çfarë mund të më ndodhë? Do të më pushojnë nga puna? Do të më çojnë të punoj në ndërmarrjen bujqësore si nënën e Agronit? A do të jem e zonja ta përballoj një gjë të tillë? Po nëna Afërditë si mundi ta përballonte? A nuk ishte edhe ajo një mësuese e shquar?
Të gjitha këto pyetje vinin rrotull në mendjen e saj. E vendosi.
-Fati im është lidhur përjetësisht me atë të Arbërit., i tha Andreas, – Asgjë nuk mund të na ndajë. Këtë e kam vendosur.
– Atëherë në rast se është kështu, patjetër që duhet të shpallni fejesën.
Në mbrëmje Hektori i ulur në një nga kolltukët e dhomës së ndënjes po lexonte gazetën. Irma po korigjonte hartimet që kishin bërë nxënësit disa ditë më parë. Blerina qëndronte në heshtje duke u menduar. Drejtor Andrea i kishte thënë se duhej të shpallnin fejesën. Por kjo duhej biseduar me prindërit. Nuk dinte si t’ia fillonte. Si t’u thoshte. Së fundi foli:
-Baba, nënë, dua të bisedoj me ju!
Hektori uli gazetën dhe vështroi nga e shoqja. Ajo i bëri një shenjë sikur donte të thoshte ‘Çfarë’? Por kjo vazhdoi vetëm për disa çaste.
– Fol bijë, – tha i ati pasi kaloi hutimi i parë, çfarë do të na thuash?
– Mendoj se marrëdhëniet e mia me Arbërin duhet të marrin një rrugë tjetër.
– Rrugë tjetër? – pyeti e ëma.
– Po, rrugë tjetër. Mendoj se ne nuk mund të vazhdojmë të paraqitemi më përpara opinionit publik si dy shokë të zakonshëm. Ne duhet të shpallim fejesën.
Hektori dhe Irma u panë sy në sy. Thellë në ndërgjegjen e tyre ishin të bindur se kërkesa e së bijës ishte e drejtë. Ata tashmë kishin arritur edhe moshën që duhej për një veprim të tillë. Por i mundonte ajo lufta psikologjike që zhvillohej në ndërgjegjen e tyre. Ajo i brente brenda vetes. Por e shihnin se nuk kishin tjetër rrugëzgjidhje.
-Mirë bija jonë, dakord jemi edhe ne, – tha më në fund Hektori. – por këtë punë duhet ta pleqërojmë edhe me Arbërin dhe nënën e tij. A e ke biseduar me ta?
-Jo, mendova të merrja më parë mendimin tuaj.
-Atëherë bisedoje dhe vendosni një ditë që tëtakohemi.
Atë natë Blerina nuk vuri gjumë në sy. Kësaj here jo nga shqetësimim por nga hareja që ndjente përbrenda. Së fundi do të realizohej ëndrra e saj e dashurisë.
Të nesërmen e bisedoi me Arbërin. Vendosën që takimin ta bënin që atë mbrëmje në shtëpinë e Blerinës.
Biseda kaloi në një ambjent hareje. Të dy familjet ishin të gëzuara që dashuria e dy të rinjve po realizohej. Biseduan edhe për mënyrën se si do të zhvillohej kjo ceremoni. Së fundi u ra dakord që të organizohej një darkë e vogël me pjesëmarrjen e të dy familjeve dhe ndonjë të ftuari të afërt. Diskutuan edhe për vendin e organizimit. Në fillim u mendua që të zhvillohej në ndonjë nga restorantet e qytetit por meqënëse kjo do të ishte një sfidë kundrejt kundërshtarëve të kësaj fejese, vendosën ta zhvillojnë në shtëpinë e Blerinës.
-Atëherë na qoftë për mbarë të djelën në mbrëmje, – e përfundoi Hektori.
Të djelën u mblodhën të dy familjet. Të ftuar ishin vetëm Petriti me Vojsavën. Ishin ftuar edhe Andrea me Elvirën, por ata i njoftuan se nuk mundeshin pasi ruheshin se mos përsëritej historia e disa viteve më parë me shfaqjen e “Lules së Kujtimit”. Ceremonia e fejesës nuk pati as këngë dhe as valle. Vetëm një vallëzim të çiftit të ri i cili u shoqërua nga Petriti me Valbonën. Së fundi u shkëmbyen edhe unazat. Arbëri vendosi në gishtin e Blerinës një unazë që i ati e kishte sjellë nga Franca, ndërsa Blerina një unazë që e ëma e kishte ruajtur për këtë rast.
Të nesërmen, për habinë e punonjësve të Zyrës së Gjendjes Civile të lagjes, kryen formalitetet e celebrimit. Dëshmitarë ishin Petriti dhe Vojsava
* * *
Lajmi u përhap si rrufe në të gjithë qytetin. Filluan pëshpëritjet nën zë. Një pjesë shprehnin habinë se si ajo një pedagoge e njohur të fejohesh me nje punëtor të zakonshëm me shkollë të mesme. Ky disnivel i çudiste dhe pëshpërisnin se lidhja e tyre nuk do të kishte jetë të gjatë. Një pjesë tjetër pëshpërisnin se si mësues Hektori dhe mësuese Irma një familje me përbërje të mirë politike kishin rënë dakord t’ia jepnin vajzën birit të një kolaboracionisti që kishte vdekur në burg. Por kishte edhe një grup tjetër që e përgëzonin Blerinën dhe familjen e saj për vendimin e marrë.
Të gjitha këto pëshpëritje binin edhe në veshët e autorëve të ndodhisë dhe familiarëve të tyre. Ata i dëgjonin por mundoheshin t’u shmangeshin debateve me ta duke menduar se koha do të bënte të vetën dhe një ditë gjithçka do të harrohej. Kështu bënin sikur nuk kishin dëgjuar gjë.
Jehona e pëshpëritjeve arriti deri në organet e larta të pushtetit. Filloi një odise e gjatë ndërhyrjesh dhe kërcënimesh në adresë të kryetarit të familjes Spaho. Sinjalin e parë e dha drejtori i shkollës ku punonte Hektori. Ai filloi t’i argumentonte se kjo lidhje do të kishte pasoja të paparashikuara për familjen e tij. Hektori e dëgjoi me vëmendje dhe, kur ai përfundoi ligjëratën i tha:
-Shoku drejtor, ju dëgjova me kujdes dhe ju falënderoj për këshillat e sinqerta. – Kemi më shumë se dhjetë vjet që punojmë bashkë dhe gjithmonë jemi kuptuar shumë mirë pa krijuar asnjë problem. Unë dua të jem i sinqertë me ju. Ishte vetë vajza ajo që e bëri fakt të kryer këtë lidhje. Unë u vura para faktit të kryer. Në fillim edhe unë hezitova, por këmbëngulja e saj më theu. E diskutova me ditë të tëra këtë çështje me veten time, por së fundi triumfoi logjika se përse duhet të paguante djali gjynahet e të atit? Në të vërtetë, pavarësisht nga biografia e prindit, dhëndri im është një djalë i përsosur një inteligjent që vetëm konditat politike nuk e lejuan të vazhdonte studimet e larta dhe të bëhej dikush. Nisur nga ky arsyetim pranova bashkimin e tyre. Tani dua t’ju pyes dhe dua një përgjigje të sinqertë: A kam vepruar drejt?
Drejtori nuk u përgjigj menjëherë. U mendua për disa çaste. Së fundi i tha:
-Ti më fole me sinqeritet dhe unë do të përgjigjem me të njëjtën mënyrë. Parimisht keni plotësisht të drejtë, por kushtet në të cilat jetojmë janë në kundërshtim me këto parime…Ndaj nuk kam se çfarë t’ju them. Fati ju ndihmoftë!
Ndërhyrja e dytë ishte e shefit të seksionit të arsimit pranë komitetit ekzekutiv të qytetit. Këtu kërcënimi ishte më i hapur dhe përgjigjet e Hektorit, në ndryshim me ato me kolegun e tij, ishin më lakonike.
– Unë di – foli Hektori – se partia dhe pushteti nuk dënojnë djalin për fajet e të atit. Ata u dashuruan dhe unë e quajta të arsyeshëm bashkimin e tyre, ndaj nuk pata kurajo ta kundërshtoj.
– Ndërsa unë do t’ju paralajmëroj se duhet të përgatiteni për të përballuar pasojat.
Çështja u diskutua edhe në Degën e Punëve të Brendshme. Në fund lajmi arriti deri tek dajua i vajzës Resuli. Ai, sa mori lajmin, u nis menjëherë. Pas një takimi në degë ku mori informatat e sakta u drejtua për në shtëpi. Atje gjeti vetëm Hektorin me Irmën. Blerina kishte dalë me Arbërin. Me një ton agresiv iu drejtua së motrës:
-Si e kryet këtë fejesë pa më pyetur? Çfarë jam unë? Një person çfardo? A e dini detyrën që ushtroj? Apo mos jam vetëm një gur varri?
Ajo me qetësi iu përgjigj:
– Qetësohu, vëlla qetësohu! Ule zërin! Nuk ju thamë se e dinim që nuk do ta miratoje.
– Ta prishni menjëherë këtë fejesë, e ndërpreu ai me të njëjtin ton.
– Ajo punë ka marrë fund. Vajza e zgjodhi vetë shokun e jetës dhe ne nuk kemi mundësi ta pengojmë, përndryshe humbasim vajzën tonë të vetme.
Biseda mori fund. Resuli u largua pa i përshëndetur. Kur doli jashtë portës, desh u përplas me Arbërin dhe Blerinën që po ktheheshin.
– Dajo! – i foli Blerina
– Më vonë do t’ia dëgjoni avazin, – foli ai me një zë arbitrar.
– Po ky ç’pati – pyeti ajo
-Histori e zakonshme, – u përgjigj Arbëri.
Resuli u drejtua drejt e në komitetin e partisë ku u takua me sekretarin e parë. Folën gjatë të dy. hartuan plane. Së fundi Resuli i tha:
-Mos bëni asnjë veprim. Këtë çështje e marr unë përsipër për ta zgjidhur.
* * *
Drejtor Resuli thirri operativin e sigurimit të ndërmarrjes bujqësore ku punonte Arbëri
-Do t’iu ngarkoj me një mision të rëndësishëm që duhet ta dimë vetëm unë dhe ti. Këtë nuk duhet t’ia thuash askujt, i tha.
– Do të jem i heshtur si varri, shoku drejtor, – u përgjigj operativi.
– Shumë mirë! Do të survejosh një individ që punon në ndërmarrjen tuaj. Si sillet, me kë shoqërohet, a ka shfaqje të huaja për moralin socialist, a mundohet të pengojë me ndonjë farë mënyre ecjen përpara të shoqërisë sonë e të tjera të kësaj natyre.
– Për cilin bëhet fjalë?
– Arbër Dauti.
– E njoh. Punon në sektorin e investimeve, madje është edhe brigadier.
– Nuk dua të nxitohesh. Koha nuk ka rëndësi. Mjafton të pasqyrosh realitetin. Unë do të kthehem në kryeqytet. Kur ta kesh hartuar raportin, merrëm në telefon dhe unë vij vetë.
I dha numrin e telefonit të zyrës.
Operativi filloi nga misioni. Mësoi se Arbëri kishte filluar punë në ndërmarrje me ndihmën e agronom Petritit, madje kishte qenë ky që e kishte ndihmuar për të kaluar në sektorin e investimeve. Në të njëjtën ndërmarrje por në sektor tjetër punonte edhe e ëma. E njihte mirë biografinë e familjes së tij. Këtë e kishte mësuar edhe para se të bisedonte me drejtor Resulin. Dinte që i ati, një eksponent i organizatës nacionaliste, kishte vdekur në burg. Dinte që e ëma, një mësuese e njohur, për këtë shkak ishte pushuar nga puna dhe punonte si punëtore bujqësie. Por dinte gjithashtu se Arbëri, çuditërisht, ishte fejuar me një vajzë që i përkiste një familjeje të luftës me dy prindër arsimtarë të nderuar. Ndoshta kjo, mendonte ai, ishte shkaku pse Resuli e kishte ngarkuar me këtë detyrë.
Për këtë thirri inxhinierin e sektorit dhe i tha:
-Dua t’ju pyes, si e morët në sektorin tuaj Dautin dhe e emëruat brigadier? A e dini biografinë e tij?
– Po, e di. Por ma rekomandoi agronom Petriti me të cilin jemi komshinj. Kështu që nuk u thellova më tej. Në fund të fundit, një punëtor është.
– Çfarë opinioni keni për të?
– T’iu them të vërtetën një opinion mjaft të mirë. Është i rregullt, nuk flet shumë, por kurdoherë me urtësi. Është mjaft inteligjent. Ka mbaruar shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera, por nuk mundi të vazhdonte më lart për shkak të biografisë dhe, t’ju them të vërtetën, më vjen keq për këtë se mund të ishte bërë një kuadro i shkëlqyer.
– Me cilët shoqërohet më tepër?
– Ne jemi sektor i vogël, me tre brigata ndërtimi. Ajo e Arbërit përbëhet nga pesëmbëdhjetë vetë, zanatçinj dhe punëtorë. Arbëri nuk bënë ndonjë dallim midis tyre.
– Po ndonjë preferencë nuk ka për ndonjë?
– Pak më tepër për një shokun e tij të shkollës, Ibrahimin, por jo ndonjë dallim të madh.
– Faleminderit, i tha operativi dhe u largua.
Operativi mësoi se Ibrahimi rridhte nga një familje që gjatë luftës nuk ishte angazhuar në asnjë krah. I ati ishte një nëpunës i zakonshëm në një ndërmarje të vogël të qytetit. E ëma punonte si rrobaqepëse. Kishte një motër të martuar në një familje që edhe ajo nuk kishte qenë e angazhuar në asnjë krah. E vetmja anë negative ishte se një vëllai i tij ishte dënuar me tetë vjet burg dhe tani ishte në vitin e tretë të dënimit.
Në këtë mënyrë kaluan më tepër se dy muaj. Operativi i kishte mbledhur të gjitha të dhënat që i interesonin. U ul dhe filloi të përpilojë raportin që do t’i dorëzonte Resulit. Filloi të shkruaj me një makinë shkrimi që kishte në tavolinë. Shkruante disa rreshta dhe pastaj pushonte për t’u menduar se si do të vazhdonte. Donte që raporti i tij të dilte sa më i plotë, në mënyrë që ta kënaqte eprorin. Kjo gjë, mendonte ai, ndoshta do t’i hapte rrugën për ndonjë transferim në kryeqytet me një detyrë më të madhe. Këto ëndërrime bënin që në faqet e raportit shumë gjëra të ishin pjellë e fantazisë së tij. Kështu që u mbushën plot tetë faqe. Së fundi e firmosi dhe thirri i gëzuar:
-Edhe kjo kaq e pati! Tani, përpara drejt kryeqytetit.
Dhe përplasi pëllëmbat nga kënaqësia.
-Çfarë ke more? Mos je gjë i çmendur? – i tha një shoku tij që sapo hyri dhe kishte dëgjuar frazën e fundit
– Asgjë, u përgjigj duke kujtuar porosinë e Resulit. – Djali i një kushëririt tim marton të birin në kryeqytet dhe unë do të shkoj në dasmë. Kushëriri është një funksionar në Ministrinë e Brendshme. Do të bëhet një dasmë e madhe.
Operativi bënte aludim për Resulin.
-Si lum ti, tha shoku dhe nuk e zgjati më.
Edhe operativi nuk e zgjati, por mbylli bisedën.
* * *
Zilja e telefonit në zyrën e Resulit tringëlliu.
-Alo? – foli ai
– Jam operativi i sigurimit në ndërmarrjen bujqësore.
– E përfunduat?
– Po, e kam gati.
– Atëherë prisni, kur të vij unë.
Një buzëqeshje djallëzore u shfaq në buzët e Resulit. Ishte një buzëqeshje tinzare prapa së cilës fshiheshin shumë mistere, shumë prapaskena. Ndjente një kënaqësi që i shfaqej sa herë kryente ndonjë veprim mizor. Një të tillë kishte ndjerë edhe kur torturonte Sokolin. Ishte kënaqësia që ndjen egërsira kur mposht prenë e saj. Tani nuk i mbetej tjetër, veçse të priste rastin që ministri t’i ngarkonte ndonjë detyrë për në qytetin e tij.
Dhe ky rast erdhi. Një ditë në zyrë hyri sekretaria e ministrit dhe i tha:
-Shoku Resul, shoku ministër ju kërkon në takim.
Resuli rregulloi kostumin, krehu flokët dhe u nis.
– Eja eja, – tha ministri, – dua të bisedojmë për një çështj që ka dalë në qytetin tuaj.
– Në qytetin tim?
– Po, po, uluni! Kemi disa të dhëna për një kontradiktë midis dy funksionarëve të ndërmarrjes së ndërtimit. Të dy janë figura të njohura, dy komunistë që gjithmonë kanë qenë në ballë të punës. Ndaj shkoni atje, verifikoheni ngjarjen dhe na njoftoni. Jua ngarkoj juve se jeni nga ai qytet dhe i njihni më mirë personat.
Resuli u nis që atë ditë. Nga burimet e tij mori vesh se konflikti i kishte tejkaluar kufijtë e qytetarisë. Ai i njihte të dy, sidomos shefin e kuadrit. I njoftoi në telefon se do vinte të nesërmen për të biseduar.
Kështu bëri. Në orën e caktuar ishte atje. U ulën të tre në zyrën e drejtorit. I pari e mori fjalën Resuli:
-Ju kam të dyve miq dhe më vjen keq që midis jush ka lindur kjo kontradiktë. Kam ardhur për të sqaruar problemin me porosi të vetë ministrit.
Drejtorit nuk i pëlqeu kjo hyrje. Pse me porosi të ministrit? Ç’punë kishte Minstri i Brendshëm me një konflikt të ndodhur në një ndërmarrje që nuk ishte nën juridiksionin e tij?
– Më thoni, përse ka lindur kjo kontradiktë? – u tha Resuli.
– Shoku drejtor më akuzon mua se gjoja paskam ndërhyrë në kompetencat e tij – tha shefi i kuadrit.
-Po, kjo është e vërtetë – e ndërpreu drejtori, -nuk është kompetencë e tij të ndërhyjë se si inxhinierët dhe teknikët zbatojnë projektet e tyre.
– Ndërsa unë mendoj se detyra ime është pikërisht ajo që të survejoj se si punojnë kuadrot e ndërmarrjes. Duhet t’i dalim para çdo të papriture. Po sikur të ndodhëndonjë sabotim?
– Keni konstatuar ndonjë gjë? – pyeti Resuli.
– Deri tani jo, – u përgjigj shefi.
– Pikërisht për këtë ka lindur edhe kontradikta jonë, – e përforcoi drejtori.
Biseda vazhdo deri në mesditë. Secili prej tyre mundohej të paraqiste argumenta për të mposhtur kundërshtarin. Bisedën e mbylli Resuli që iu tha:
-Mendoj se jeni të dy fajtorë. Hiqeni mendjen nga këto keqkuptime dhe punoni krah për krah për realizimin e detyrave të ngarkuara. Kjo detyrë ju takon më tepër juve, shoku drejtor, si drejtuesi i ndërmarrjes.
Resuli u largua dhe përpiloi raportin që do t’i dërgonte ministrit. Në të ai i shkruante mbi shkaqet e kontradiktave dhe i propozonte se njeri prej tyre duhej larguar nga ndërmarrja dhe i rekomandonte që ky të ishte drejtori. Nuk vonoi shumë dhe ky propozim u realizua. Me urdhër të Ministrit të Ndërtimit, i cili ishte marrë vesh me atë të brendshmin, drejtori u ul në detyrë duke u emëruar si shef i një reparti në një ndërmarrje tjetër.
Si mbaroi këtë detyrë thirri operativin, i cili i dorëzoi raportin. U hoq mënjanë dhe filloi ta lexojë. Mbeti i kënaqur nga puna e tij.
– Ju lumtë – i tha, – keni bërë një raport të hollësishëm. Por tani duhet të vazhdoni. Tani fillon faza e dytë e operacionit dhe kjo është më e rëndësishmja. Arbërin duhet ta fusim në kurthin tonë. Për këtë do të përdorim Ibrahimin. Do të punoni me të. Ai duhet bërë patjetër agjenti ynë. Ai i përket klasës së përmbysur. Aq më mirë për ne. Ne duhet të synojmë më tepër tek ata. Ata janë më të vlefshëm. Po ia arritët qëllimit dijeni se do keni edhe shpërblimin e punës tuaj. Do të ishte një fat i madh të kisha pranë vetes në ministri një kuadro si ju.
Fjalët e fundit mjaftuan për operativin lidhur me të ardhmen e tij.
– Ju garantoj se do ta kryejë porosinë tuaj, – i tha Resulit.
– Përdorni argumentin e vëllait të tij të burgosur. Hidhjani fjalën se si shkëmbim mund t’ia kthejmë atë në familje.
– Por, a do të mundim? – pyeti operativi me dyshim.
– Mos u shqetëso, të tjerat lermi mua. Por, mos harro, çdo gjë do të bëhet në mënyrë të fshehtë.
U ndanë.
* * *
Opereativi takoi Ibrahimin. E përshëndeti me përzemërsi. Filloi ta pyeste për prindërit dhe motrën. E pyeti edhe për vëllanë:
– A ke qenë tani së shpejti?
– Jo, – u përgjigj i shqetësuar Ibrahimi.
– E ke shumë gabim. Ti duhet të shkosh ta takosh. Ai ka nevojë për ty. Ti je vëllai i madh dhe duhet ta këshillosh se si duhet të sillet.
– Ashtu?
– Pikërisht, pasi shteti ynë bën edhe falje për ata të burgosur që sillen mirë.
Ky dialog e shqetësoi mjaft Ibrahimin. Çfarë e kishte shtyrë operativin ta pyeste? Ku donte të dilte? Çfarë qëllimi kishte? Atij nuk i dukej kjo si një bisedë e thjeshtë e bërë midis dy njerëzve që deri atëherë nuk kishin shkëmbyer asnjë fjalë. Ai kishte ardhur me një mision të caktuar në këtë ndërmarrje dhe Ibrahimi e dinte qëllimin e këtij misioni. Kjo gjë i ngjalli një dilemë të madhe. Mendoi ta bisedonte me prindërit, por shpejt hoqi dorë. Nuk donte t’i shqetësonte ata.
Pas disa ditësh operativi e takoi përsëri.
-Dua të bisedojmë për një çështje për të cilën nuk dua t’i thuash askujt. Ti je një djalë i mirë. Edhe familja është me qëndrim të mirë, me përjashtim të gabimit që bëri vëllai yt. Por edhe ai ishte në një moshë të vogël.
Operativi pushoi dhe po qëndronte në heshtje duke vëzhguar fytyrën e Ibrahimit. Vuri re se një cep i buzëve filloi t’i dridhej. Vazhdoi:
-Vëllai yt duhet të dalë nga burgu. Qëndrimi atje do t’ia prishë karakterin. Atje ka lloj-lloj mbeturinash të sistemit të përmbysur që mundohen të bëjnë me vete, individë si vëllai yt dhe t’i përdorin për propagandë kundër pushtetit popullor. Para disa ditësh unë të thashë se shteti ynë ka edhe falje, por për të përfituar prej tyre, duhet të kontribuosh…
– E si mund të kontribuojë? – foli Ibrahimi me njëgjysmë zëri që mezi i dilte.
– Duke bashkëpunuar me ne. Kjo mund të arrihet nëpërmjet kontakteve që do të kemi bashkë.
Ibrahimi nuk i ktheu përgjigje. Fjalët e operativit i dhanë të kuptojë se ai kërkonte ta bënte bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit, gjë që as e kishte shkuar ndër mend ndonjë herë. Si mund të pranonte ai një propozim që ishte në kundërshtim me parimet që i kishin mësuar prindërit e tij? Kjo ishte e papranueshme për të. Por, si t’ia shprehte operativit këtë?
Operativi e vështroi duke i ngulur sytë thellë. Ibrahimi nuk e përballoi dot vështrimin e tij dhe ktheu kryet nga ana tjetër. Operativi vazhdoi:
– E di që je në dilemë nëse do të pranosh apo jo. Nuk të detyroj. Mendohu mirë disa ditë dhe më kthe përgjigje.
Ditët kalonin njera pas tjetrës dhe Ibrahimi nuk po kthente përgjigje. Heshtja e tij ishte përgjigja. Por operativi filloi të vinte më shpesh në brigatën e tyre dhe kur kalonte pranë tij i pëshpëriste me zë të ulët:
– Eh, a vendose?
Ibrahimi nuk përgjigjej, por ndërgjegja e tij ishte në ankth. Nuk kishte asnjë me të cilin të bisedonte. Të vetmit që mund t’i hapej ishte Arbëri. Kështu bëri. I tregoi propozimin që i kishte bërë operativi. Priste mendimin e tij. Arbëri, pasi u mendua mirë e mirë i tha:
-Dëgjo, ti je shoku im. Po të pranosh, do të thotë të humbësh moralin tënd. Mos prano. Mblidhe veten. Mos u shfaq i ndrojtur para tij. Kur të të pyesë përsëri thuaji se nuk e ndjen veten të aftë për atë punë. Në fund të fundit nuk ka çfarë të të bëjë, ti punëtor je.
Ashtu veproi. Operativi, kur e dëgjoi, e kuptoi se dikush e kishte këshilluar dhe me intuitën e tij arriti në përfundimin se ky duhej të ishte Arbëri.
-Megjthatë, – vazhdoi operativi, – nuk e kemi me urgjencë. Mendohu dhe kur të të mbushet mendja, më lajmëro.
Kështu u ndanë. Kaluan ditë dhe operativi nuk po dukej më në brigatë. Ibrahimi mendoi se kishte shpëtuar.
Ndërkaq operativi lajmëroi Resulin. Ai thirri operativin e kampit ku ishte vëllai i Ibrahimit dhe duke i dhënë një shishe të vogël me një lëng brenda, i tha:
-Këtë hidhja në ushqimin e tij dhe kur të shfaqen pasojat e saj, shtroheni urgjentisht në spitalin e qytetit dhe lajmëroni me telefon vëllanë e të burgosurit. Për të gjitha këto të sundojë vetëm heshtja.
I dha numrin e telefonit te Ibrahimit.
Një fletëthirrje telefonike erdhi nga qyteti ku gjendej kampi i të burgosurve ku ndodhej vëllai. Fletëthirrja kishte emrin e një dërguesi të panjohur. Në telefon doli Ibrahimi. Nga prapa receptorit dëgjoi zërin:
-Jam operativi i kampit. Ju njoftoj se vëllai juaj është shtruar me urgjencë në spitalin e qytetit nga një sëmundje që mjekët ende nuk e kanë konstatuar. Më vjen keq. që po jua them, por gjendja e tij nuk është e mirë. Do bënit mirë të vinit ta shikonit.
Ibrahimi shtangu. Çfarë i kishte ndodhur të vëllait?
Të nesërmen u nis me trenin e parë. Prindërve u tha se po shkonte në eskursion me shokët e brigatës në një qytet të veriut. Pasi ndërroi disa trena dhe kamiona, në pasdite arriti në qytetin verior. Shkoi drejt e në spital. Përpara i doli operativi i kampit.
-Jam ai që ju telefonova, – i tha. – Ejani me mua.
Kaluan disa korridore deri sa arritën te porta e dhomës. Dy roje qëndronin përpara saj. Ajo u hap. I vëllai qëndronte shtrirë tek i vetmi krevat që ndodhej në dhomë. Sytë i kishte të mbyllura. Ibrahimi u lëshua mbi të duke i thërritur.
– Vëlla, jam unë Ibrahimi!
Ai hapi sytë dhe e vështroi. Lotët filluan t’i rridhnin. Donte t’i fliste, por nuk mundej.
Ibrahimi nuk e mbajti dot veten. U kthye nga ana tjetër dhe filloi të lotojë edhe ai
– Mblidhe veten, – i foli operativi, – sidomos tani që je para tij.
E mblodhi veten. Në dhomë hyri mjeku që vizitoi të sëmurin. Ibrahimi e pyeti:
– Doktor, si është?
– Njësoj, por mos u shqetësoni. Ne do të bëjmë gjithçka që vëlla juaj të kthehet në gjendjen e mëparshme.
Ibrahimi qëndroi dy ditë pranë shtratit të vëllait. Çuditërisht. ditën e tretë ai u përmend. Kur pa Ibrahimin pranë i pëshpëriti:
– Vëlla!
– Këtu jam.
– Ndihmomë…ndihmomë…
Ibrahimi i premtoi. U largua. Operativi e shoqëroi deri në agjencinë e udhëtarëve.
Para se të ndaheshin i tha:
-Vëllai juaj është më mirë, por sëmundja edhe mund të përsëritet. Këtë mos e harroni. Është në dorën tuaj ta ndihmoni.
Ibrahimi mbërriti në qytetin e tij. Prindërve nuk u tha asgjë për të vëllanë. Atë natë nuk vuri gjumë në sy. Të nesërmen u drejtua për në Degën e Punëve të Brendshme ku kërkoi të takohej me operativin. E çuan në zyrën e tij.
– Jam gati për propozimin tuaj, – i tha.
– Të lumtë! – ishte përgjigja
Operativi i vuri përpara një letër të shtypur në makinë:
-Shkruaj emër e mbiemër dhe firmose!
Ibrahimi e mori dhe e lexoi:
Deklaratë
Unë, Ibrahim Bregu, deklaroj se jam i gatshëm të bashkëpunoj me organet e sigurimit të shtetit, për ruajtjen e rendit në shtetin tonë të demokracisë popullore.
Këtë deklaratë e bëjë pa u shtytur nga askush dhe me vullnetin tim të plotë e nënshkruaj.
Emri, mbiemri, firma
Data
Ibrahimi shkroi emrin dhe mbiemrin e tij dhe e firmosi.
* * *
Resuli gati sa nuk fluturonte nga gëzimi. Lajmi se Ibrahimi kishte pranuar të bëhej bashkëpunëtor i kishte zgjuar ndjenjën e cinizmit që e karakterizinte. Kënaqësia e tij ishte, kur torturonte apo shihte njerëzit të vuajnë. Ndjenjë e një tipi të veçantë njerëzish, e atyre që ngjyra e gjakut i dhe dhe i kalon në një fazë çmendurie.
I ndodhur në këtë gjendje shpirtërore, atij i shfaqej Sokoli i shtrirë pa ndjenja në birucat e sigurimit si rezultat i torturave që i kishte ushtruar ai dhe ndjente një kënaqësi cinike. Papritmas, figura e Sokolit i zëvendësohej në atë të Arbërit dhe i shpërfytyruar pëshpëriste:
– Kërkon të marrësh mbesën time? Do ta shohësh se çdo të të punoj. Do ta pësosh më keq se yt atë.
Vendosi të nisej menjëherë për në qytetin e tij për të dhënë udhëzimet e fundit. Thirri në takim Ibrahimin.
– Të përgëzoj për vendimin që more. Ky është një hap i madh në rrugën drejt së ardhmes.
– Po vëllai?
– Ne i mbajmë premtimet tona, por edhe ti duhet të na japësh fakte konkrete.
Detyra jote tani është të survejosh veprimet e shokut tënd, Arbërit. Do e provokosh herë pas here dhe të dhënat do t’ia japësh operativit të ndërmarrjes. Sa më shpejt ta kryesh këtë detyrë, aq më shpejt edhe vëllai do të kthehet në shtëpi.
Porositi edhe operativin për mënyrën se si të vepronte dhe u largua.
Fillimisht Ibrahimi mbeti i shokuar. Nuk i kishte shkuar kurrë mendja se gjahu i parë i tij duhej të ishte shoku më i ngushtë. E pleqëroi disa herë në mendje propozimin e Resulit. Nuk ishte në gjendje të vendoste. Përpara tij shtroheshin dy alternativa, vëllai apo shoku. Kush do të triumfonte? Peshorja anoi nga vëllai. Qysh të nesërmen, filloi nga detyra e re. Kur mbaroi orari i punës, i tha Arbërit:
-Eja shkojmë dhe kthejmë nga një gotë se më ka vajtur mendja. Sot qeras unë.
U futën në një pijetore.
-Dy teke raki dhe dy biftek, – porositi Ibrahimi.
Kamerier pruri porosinë dhe ata ia shtruan si në shtatë palë qejfe. Pas tekeve të para porositi edhe dy të tjera. Kur kishin arritur gati në fazën e dehjes Ibrahimi hapi temën.
-Arbër, deri kur do të qëndrojmë kështu në heshtje? A mund të durohet kjo gjendje?
Arbëri nuk u përgjigj. Fjalët e shokut të tij e tunduan, por para syve i dilte figura e nënës së tij që i pëshpëriste:
-Gjithmonë duhet të kesh kujdes që të mos pengohesh dhe të biesh.
I dilte figura e Blerinës dhe i dukej se do të ishte e pamoralshme të merrte një vendim pa miratimin e saj. E ktheu atë që i kishte mbetur në gotë dhe u ngrit.
– Eja të ikim.
– Po nuk më ktheve përgjigje.
– Vajti vonë. Eja.
Arbëri u kthye në shtëpi dhe shkoi drejt e në dhomën e gjumit…
– Bir nuk do të hash darkë? – i tha e ëma e shqetësuar.
– Jo nënë. Isha me Ibrahimin dhe pimë nga një gotë.
– Mirë, i vetmi i nënës.
U shtri në shtrat dhe filloi të mendonte. Kishte dëgjuar për shumë grupe të tjera që kishin zhvilluar aktivitet antiqeveritar dhe që kishin përfunduar të gjithë në burg. Edhe ai kishte dëshirë të bënte diçka në këtë drejtim, por gjendja e tij ishte e ndryshme nga ajo e të tjerëve. Ai kishte një nënë, së cilës bashkëshorti i kishte vdekur në burg dhe po t’i burgosej edhe djali i vetëm nuk dihej se si do të përfundonte. Edhe nëse do të mundej të mbijetonte, do të ishte e detyruar t’i kalonte ditët e fundit të jetës në ndonjerin prej kampeve të internimit që ishin shpërndarë pothuajse në të gjithë vendin.
Përfytyrimi i kalonte te e fejuara dhe i dukej sikur ajo i thoshte:
-Përse u fejove me mua kur kishe këtë mendje?
Kishte të drejtë. Ai sapo ishte fejuar. Të fillonte tani një aventurë që nuk e shpinte askund, ishte e pafalshme. Çfarë mund t’i bënin ata dy një shteti që kishte një numër të madh mjetesh në dispozicion të tij dhe që shumë tentativa të tjera kishin dështuar. Arbërit i dilnin parasysh gjithashtu edhe shumë individë të tjerë që nuk kishin mundur te rezistonin por ishin thyer para metodave të kamufluara që ishin përdorur ndaj tyre dhe kishin arritur deri në denoncimin e shokëve.
-Mos vallë edhe Ibrahimi i përket këtij grupi? – pyeti veten.
Për herë të parë pas shumë kohë shoqërie atij i lindi dyshimi për shokun e tij. Ai kishte një vëlla në burg. Të ngriheshe kundër shtetit do të thoshte se duhej të merrje parasysh edhe burgun. Atëherë do të bëheshin të dy bashkë. Mirë i vëllai që ishte ende fëmijë, po ky që ishte në një moshë të pjekur si ka mundësi të merrte një veprim të tillë dhe kështu menjëherë. Për më tepër, asnjëherë më parë Ibrahimi nuk i kishte folur me këtë gjuhë. Ky mendim ia shtonte edhe më tepër dyshimin.
-Po përse të jetë thyer vallë? – pyeste përsëri veten.
Papritmas, mendja i vajti tek vëllai i burgosur.
-Mos i kanë premtuar se do t’ia lirojnë? Mos është ky kushti?
Megjithatë këto ishin vetëm supozime. Ai nuk kishte të drejtë të mendonte kështu për shokun e tij. Por Ibrahimi nuk tërhiqej. Ai për çdo ditë vazhdonte t’i bënte propozime të ndryshme. Të shkruanin dhe të shpërndanin trakte. T’i shkruanin letra kërcënuese funksionarëve të lartë. Të arratiseshin jashtë shtetit.
Arbëri, në shumicën e rasteve as që i kthente përgjigje, por këmbëngulja e Ibrahimit ishte mjaft e madhe. Ky ping pong vazhdoi për më shumë se dy muaj. Së fundi ai ia preu:
-Ibrahim të lutem, je shoku im më i ngushtë, por nëqoftëse do që ta ruajmë këtë shoqëri, atëherë mos ma përmend më këtë çështje. Quaje të mbyllur.
Dhe u largua.
Ibrahimi mbeti një copë herë në këmbë pa lëvizur. Pastaj u drejtua nga Dega e Punëve të Brendshme ku kërkoi operativin. Ai e futi në zyrë.
-Çkemi?
– Asgjë.
– Si asgjë?
– Ja ashtu, asgjë. Ai nuk pranon as të bisedojë më me mua për këto çështje. Ma mbylli derën.
Operativi u mendua. Së fundi i tha:
-A je gati të firmosësh një deklaratë ku denoncon Arbërin se gjoja të ka propozuar ato që i ke thënë ti. Ne na mjafton një deklaratë e tillë. Mos kij frikë se nuk do ta marrë vesh njeri. Ti do të jesh një dëshmitar i fshehtë.
Ibrahimit i doli para syve i vëllai.
– Po për tim vëlla çfarë do të bëhet?
– Shkruaj dhe firmos deklaratën dhe do të shikosh se çfarë do të bëhet.
Opreativi mori letër dhe stilograf dhe ia dha.
-Shkruaj! – i tha.
Filloi t’ia diktojë tekstin. Ibrahimi shkruante. Kështu u mbushën katër faqe. Në fund ai e ënshkroi dhe vuri datën.
-Për vëllanë mos u shqetëso. Do ta shohësh së shpejti.
Në të vërtetë, me një dekret të posaçëm pas një muaji i vëlla u ndodh në shtëpi.
Resuli kishte mundur ta mbante fjalën e dhënë.
* * *
Arbëri dhe Blerina e kishin bërë zakon që çdo pasdite, pasi mbaronte orari i punës takoheshin dhe dilnin shetitje ose uleshin diku dhe bisedonin për ëndrrat e tyre. Por atë pasdite Arbërin e kishte mbërthyer një ngërç i madh. Bisedat e zhvilluara me Ibrahimin dhe sidomos kur mori vesh se vëllai tij ishte liruar ia shtuan më tepër dyshimin që ai kishte për shokun. Megjithatë dijti të ruajë të njejtat marrëdhënie me të, duke i lënë të kuptojë se shoqëria e tyre vazhdonte të ishte njësoj si më parë. Në të vërtetë nuk ishte fare i qetë. Para syve i dilte Resuli dhe fjalët që u kishte thënë kur u takuan para shtëpisë. Të dyja këto i lidhte së bashku.
Atë pasdite kishte vendosur t’i tregonte së fejuarës gjithçka.
– Blerina, – i tha, – dua të të them diçka që më ka shqetësuar shumë kohët e fundit.
– Çfarë është ajo?
– Ka më tepër se dy muaj që Ibrahimi më provokon duke më kërkuar të fillojmë një aktivitet kundër pushtetit.
– Mos është marrosur?
– Nuk e di, por unë kam edhe një dyshim tjetër.
– Çfarë dyshimi
– Megjithëse unë ia kam prerë që në fillim ai nuk tërhiqet po vazhdon. Ajo që më habit më tepër është se edhe vëllai tij ka disa ditë që është liruar nga burgu, pa mbushur ende gjysmën e dënimit.
– E pastaj?
– Sot jetojmë në një kohë të vështirë. Nuk mund t’i besosh as njeriut më të afërt. Ndaj dyshoj se mos edhe Ibrahimi është përfshirë në këtë lojë të ndyrë. Këtë dyshim ma përforcoi më tepër lirimi i të vëllait.
Blerina nuk foli. Për disa çaste qëndruan në heshtje. Të dy ishin fundosur në botën e tyre të hamendjeve.
-Nuk di si të përgjigjem, – foli më në fund ajo. – Më duket e pabesueshme për shoqërinë që keni.
-Historia e këtyre viteve ka treguar që, për ndonjë përfitim personal, edhe vëllai është hedhur kundër vëllait dhe jo më shoku kundër shokut.
– Për deri sa nuk kemi ndonjë shenjë të kësaj natyre, le të mos nisemi me hamëndje. Sidoqoftë ti duhet të ruhesh në mënyrë që ai të mos kuptojë se ke dyshuar. Le të presim.
– Blerina, me ty dua të flas hapur. Kam një parandjenj të keqe. A të kujtohet se çfarë tha Resuli kur u takuam para shtëpisë: “Më vonë do t’ia dëgjoni avazin”. Mua më duket se ky është avazi që përmendi ai. Të dyja ngjarjet janë të lidhura ndërmjet tyre. Kanë të njëjtën komandë.
– A thua?
– Po. Viktima e kësaj do të jem unë, ndaj dua të të them se në rast se tërmeti bie mbi mua ti nuk duhet të vuash pasojat e tij.
– Ai tërmet, në rast se bie, do të na përfshijë të dyve. Ne jemi të lidhur përjetësisht.
-Në asnjë mënyrë. Ti ke të drejtën tënde të jetosh normalisht dhe kështu duhet të veprosh. Lejen time e ke.
Atë mbrëmje nënë Afërdita kishte përgatitur një tavë kosi me mish qengji që kishte mundur të blinte në treg. Ajo ishte gjella e preferuar e Arbërit. Ishte ulur në një poltronë dhe po priste të birin. Orët kalonin dhe ai nuk po dukej. Zakonisht shëtitjet me Blerinën vazhdonin deri rreth orës nëntë, ndërsa tani ajo po shkonte dhjetë dhe djali nuk po dukej.
-Ku je more bir, – pyeste nëna, – a nuk e di merakun tim?
Një mendje i thoshte se mund të kishte takuar shokët. Orët kalonin dhe ai nuk po dukej. Iu kujtua Ibrahimi.
-Të vete të shoh se mos është me të?
Shtëpitë e tyre ishin fare pranë, jo më shumë se njëqind metra larg. U nis. Derën ia hapi vetë ai.
-Nuk është Arbëri me ty? – e pyeti.
Ibrahimi u drodh. Kuptoi se ai ishte bërë viktimë e deklaratës së tij. Nuk e priste se kjo do të ndodhte kaq shpejt.
-Ai u takua me disa shokë të shkollës dhe shkuan të pinë ndonjë gotë. Me siguri atje duhet të jetë, – i tha nënës me një zë që mezi i dilte.
Ora e qytetit tingëlloi njëmbëdhjetë herë. Nëna u kthye në shtëpi. U ul pranë dritares dhe vështronte rrugën nga do vinte i biri. Shqetësimi i saj kishte arritur në kulmin.
-Ku je bir? – pëshpëriste vazhdimisht dhe lëviste nga një anë e dhomës në tjetrën.
Afrohej në dritare, e hapte dhe shikonte përjashta.
“Mos e ka mashtruar ndonjë nga ato zuskat e rrugëve dhe e ka tërhequr”?-mendonte. “Jo, jo nuk kam ashtu djali unë. Ai e ka lidhur tashmë fatin e tij”, – i kthente vetes përgjigjen.
Kthehej përsëri në dhomë. Kapte flokët dhe i shkulte me forcë. Por nuk ndiente dhimbje. Dhimbjen e kishte në zemër. Filloi të humbiste memorien. Sytë iu çakërdisën. Qëndroi disa minuta si e ngrirë dhe pastaj u shemb përdhe.
Ndërkaq dielli sapo kishte lindur. Një rreze e tij hyri nëpërmjet dritares në dhomë dhe drejt e në sytë e nënës. U përmend. Dëgjoi një trokitje në portë.
– Djali!- thirri dhe u ngrit menjëherë dhe rendi drejt saj. E hapi.
– Nënë, çfarë keni! – e pyeti Blerina kur e pa në atë gjendje.
– Ku është djali?
– Nuk është brenda Arbëri?
– Jo.
– Paska dalë shpejt sot.
– Jo, bijë, – nëna e mblodhi veten. – Djali nuk ka ardhur fare sonte.
– Si? Nuk ka ardhur fare?
– Jo.
Blerina shtangu. Para syve i doli biseda që kishte bërë ditën e djeshme dhe fjalët e fundit të tij. Por duke parë gjendjen e nënës e mblodhi veten dhe i tha:
-Eja të vemi brenda!
Hynë në dhomë. Blerina e uli nënën në divan.
-Shtrihu që të qetësohesh, – i tha – Me siguri ai diku këtu rrotull duhet të jetë.
U ngrit mori një gotë ujë dhe ia dha.
– Pije se të qetëson.
Nëna e piu.
– Gjema djalin, bijë!
– Mirë, po jepma fjalën se do të rrish e qetë.
– Mirë.
– Atëherë unë po dal ta gjej.
U largua pa e ditur edhe ajo se ku të shkonte. Lajmëroi se do të mungonte atë ditë në shkollë dhe shkoi të takonte Petritin. Ai u trondit së tepërmi.
– Ku mund të ketë shkuar?
– Nuk e di.
I tregoi për dyshimin që i kishte shprehur Arbëri.
– Mos e kanë arrestuar? – tha.
– Ndoshta.
– Apo mos ka marrë rrugën pë t’u arratisur për t’i shpëtuar burgut? – pyeti pa e ditur edhe ai përse.
– Arbëri nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë në një kohë, kur ne sapo jemi fejuar dhe po përgatitemi për martesën. Ai nuk do ta linte kurrë nënën e tij vetëm. Do pranonte më mirë burgun se sa braktisjen e familjes.
Ndërkaq nëna vazhdonte të qëndronte në pritje të kthimit të Blerinës. I dukej sikur nga çasti në çast ata do të hynin në dhomë si dhe herë të tjera të dy së bashku. Papritmas një trokëllimë e fortë në portë u dëgjua. Dukej sikur do ta shkulnin nga vendi.
-Ç’keni more, mos u çmendët? – thirri duke hapur portën, por shtangu në vend.
Para saj qëndronte një civil dhe dy ushtarakë.
Civilin e njohu. Ishte operativi i siguriit të ndërmarrjes ku punonte.
-Çfarë doni? – pyeti, por kësaj here me një zë më të qetë.
Operativi e shtyu me forcë dhe hynë brenda. Pa i folur fare filluan të bastisin gjithçka. Nuk lanë dollap, rraft apo sirtar pa kontrolluar. Kontrolluan edhe nëpër rrobat e Arbërit. Nuk gjetën asgjë.
– Tët bir e kemi arrestuar si armik i popullit, – i tha operativi kur po largoheshin.
– Nuk u ngopët me tim shoq, por më rrëmbyet edhe të vetmin? – u thirri ajo nga prapa.
Operativi ktheu kryet e vështroi sikur do ta përpinte. Nëna e përballoi pa iu dridhur asnjë muskul. Kështu kishte qëndruar edhe kur kishin arrestuar Sokolin.
Ndërkohë po ktheheshin Blerina me Petritin. Ata e dëgjuan bisedën e fundit të nënës me ta dhe nxituan që të futeshin brenda.
– Nënë, çfarë ndodhi? – pyetën njëzëri.
– Ejani brenda – u tha, – Arbërin e kanë arrestuar.
Askush nuk foli. Nuk kishin më fjalë.