Albspirit

Media/News/Publishing

Xhavit Haliti: Kosova, shteti i dytë i kombit shqiptar

Po mbushen 20 vjet nga çlirimi prej sundimit serb dhe janë bërë 11 vjet nga shpallja dhe njohja ndërkombëtare e Kosovës shtet nga më se gjysma e anëtarëve të OKB-së. Por, me gjithë këto arritje vazhdojnë të gjallojnë e të zhurmojnë mes nesh, në grupimet shoqërore e në politikë, dy mentalitete:

– Së pari, Republika e Kosovës u krijua për t’i paraprirë dhe për të realizuar dhe njohur ndërkombëtarisht bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Së dyti, zgjidhjen e raportit kuptimor e funksional mes shtetit dhe kombit. Objektivi themelor i këtij mentaliteti është dilema “kombi e bën shtetin apo shteti e bën kombin?”.

Idetë, përvoja dhe historia evropiane dhe botërore ende nuk japin një përgjigje përmbyllëse për përparësinë në raportet komb-shtet; kombi krijoi shtetin apo e kundërta? Ne shqiptarët qysh në shekullin e 19-të kemi aspiruar, jemi përpjekur e kemi luftuar, si dhe kemi bërë të pranishme te “Fuqitë e Mëdha” dëshirën dhe synimin për të krijuar komb dhe shtetin kombëtar. Synimi, dëshira dhe përpjekjet e gjithanshme të shqiptarëve krijuan shtetin. Pra, ne të gjithë shqiptarët që jetojmë në trojet tona etnike në Ballkan krijuam shtetin, Shqipërinë, që jo për fajin tonë nuk përfshiu brenda kufijve politikë gjysmën e kombit dhe të territoreve shqiptare.

Ky shtet edhe pse i gjymtuar rëndë gjeografikisht e politikisht shërbeu si kolonë mbajtëse e referencë për gjithë kombin. Në emër të tij jemi prezantuar si shqiptarë në ish-Jugosllavi, por edhe ku kemi emigruar. Ekzistenca e Shqipërisë, referimi tek ajo, te simbolet shtetërore të saj (flamuri, himni), ka pasur ndikimin e vet të ndjeshëm në statuset politike e kushtetuese të Kosovës në ish-Jugosllavi. Nga pjesë e Serbisë u bë krahinë autonome e në mes të viteve të 70-ta u njohëm si subjekt i barasvlershëm kushtetues me republikat e tjera. Kuptohet, kjo u arrit me sakrificat dhe me luftën tonë në emër dhe nën frymëzimin kombëtar, që natyrshëm edhe frymëzoheshin e mbështeteshin edhe nga Shqipëria.

Kombi ynë, pas luftërash dhe përfundimesh jo të drejta ndërkombëtare, sot njihet dhe mund të prezantohet kudo në botë me emrin e vet kombëtar, nën siglën e dy shteteve. Në emër të shtetit shqiptarët aktualisht kanë dy ulëse në Asamblenë Parlamentare të KE-së, në UEFA dhe FIFA, në Bankën Botërore, në FMN, si dhe në bashkësinë e shteteve evropiane dhe në bashkësinë e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Tashmë Kosova është shtet, subjekt i bashkësisë evropiane e botërore dhe si shtet i ri na takon e drejta për anëtarësim në OKB, në NATO dhe në BE. Të gjitha këto i bëjmë në emër të shtetit, por jo të kombit.

Fillimzgjidhjet e dy çështjeve të parashtruara janë të qarta dhe mjaftueshëm të arsyeshme. Objektivi i luftës sonë ishte shkëputja nga Serbia dhe bashkimi me Republikën e Shqipërisë. Në arritje të këtij objektivi të luftës ishim nxitës, mbështetës dhe bashkësakrifikues me aleatin tonë të madh NATO-n. Fituam dhe si fitimtarë bashkërisht vendosëm edhe rregullat; pavarësi të garantuar për Kosovën, njohje ndërkombëtare për të dhe strukturim e funksionim si shtet në raportet rajonale ndërkombëtare. Kemi festuar 11-vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe jemi në prag të 20-vjetorit të çlirimit nga Serbia, por ende jemi në përballje me dilemën: një shtet unifikon kombin, ndërsa dy shtete të të njëjtit komb e ndajnë atë. Në përpjekje për t’ia dhënë një zgjidhje dilemës së mësipërme mendoj se janë edhe veprimet e 5-6 vjetëve të fundit të qeverive në Prishtinë dhe në Tiranë për organizimin e mbledhjeve të përbashkëta, përhapje kufiri, njësim doganash, marrëveshje tregtare e veprime në rrafshin e arsimit e të kulturës.

Me çlirimin dhe me pavarësinë si shtet u njohëm dhe fituam të drejtën që në mbarë botën të kemi një emër, një simbol dhe një vend përfaqësues, pa fshehur përkatësinë kombëtare. Prirja dhe përpjekjet e ndryshme për bashkim të dy shteteve në emër të kombit është më tepër politike, shpirtërore sesa reale. Në kushtet aktuale gjeopolitike ekzistenca e dy shteteve, e dy ulëseve, e dy zërave në forumet ndërkombëtare është një përparësi e kombit tonë të përbashkët.

Ka dy shekuj që Evropa dhe më gjerë na njohin si komb. Por fqinjët tanë që krijuan shtete para nesh janë përpjekur historikisht të na zhbëjnë, të na përçajnë, të na asimilojnë, të na dëbojnë nga trojet tona dhe të na lënë pa atdhe. Kur dështuan në këtë synim amplifikuan idenë e “paaftësisë” së shqiptarëve për të bërë shtet. Por, krijimi dhe funksionimi i dy shteteve tona në Ballkan dëshmon të kundërtën. Na është dhënë mundësia të demonstrojmë botërisht aftësinë kombëtare për të bërë shtet edhe përmes fuqizimit e konsolidimit të tyre të begatojmë e të prosperojmë mbarë kombin shqiptar në trojet etnike e në diasporë.

(Autori është nënkryetar i Kuvendit të Kosovës).

Please follow and like us: