Sejdo Harka: Kadare dhe ”grindja” e tij me sunduesit
1.
Shkak për këto shënime të shkurtra, për një çështje të madhe, siç është raporti mes sunduesit dhe shkrimtarit, u bë shfletimi i librit më të ri të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare “Kur sunduesit grinden”, i cili u shfaq për herë të parë në panairin e librit të ri të vitit 2018. Ky libër, nga vetë problematika që trajton dhe titulli, sa provokues, aq dhe misterioz, në shtypin tonë të ditëve të fundit, ka nxitur shumë debate e diskutime, të cilët nga mënyra e këndvështrimit të përmbajtjes, i ndan debatuesit në pro dhe kundër autorit.
Synimi im në këto shënime nuk është të shpreh mendimet e mija vetëm për përplasjet e Kadaresë me kontestuesit e tij të djeshëm e të sotshëm, por veçanërisht të pasqyroj shkurt disa nga momentet dhe arsyet e “grindjes” së gjatë mes sundimtarit dhe shkrimtarit Ismail Kadare.
Dihet se grindja mes sundimtarëve dhe shpirtërtarëve (shkrimtarëve) kanë qenë një realitet i hidhur, që ka ndodhur dhe do të ndodhë tërë jetën, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vendet e tjera diktatoriale të botës. Ato kanë pasur oshilacionet e tyre. Në situata të veçanta sunduesve nuk u intereson të grinden me shkrimtarët. Po ashtu edhe shkrimtarët, kur shohin se sunduesit turfullojnë nga zemërimi, ose heshtin, ose e mbulojnë fshikullimin me “vellon” alegorike të artit të fjalës, aq sa është e vështirë të kuptohet nga lexuesit e zakonshëm, siç bënte dikur Mjeda, Migjeni, Noli… me sundimtarët e kohës së tyre.
Ismail Kadare, në librin e tij të ri, për të argumentuar arsyet e grindjeve të sundimtarëve me shkrimtarët, në sistemet diktatoriale komuniste, përdor dy telefonata enigmatike. Telefonata e parë është ajo e Stalinit (1930), drejtuar Pasternakut, të cilin e pyet se ç’mendonte për Mandelshtamin, poetin që ishte arrestuar, sepse kishte shkruar një poezi, ku kritikonte ashpër sundimtarin, ndërsa e dyta është një telefonatë e papritur që Enveri i kishte bërë Kadaresë, për ta përgëzuar për një poemë që kishte botuar ato ditë në shtypin e ditës. Vënia e këtyre dy telefonatave në një vijë paralele, edhe këtë herë, ka nxitur kundërshtinë e kontestueseve të veprës së Kadaresë, me argumentin se ato telefonata janë me brendi krejt të ndryshme. Telefonata e Stalinit, drejtuar Pasternakut është survejuese, ndërsa telefonata e Enverit, drejtuar Kadaresë na qenkësh përkëdhelëse, falënderuese. Por në të vërtetë, sado të ndryshme të jenë këto dy telefonata, në thelb ato i lidh ankthi dhe frika, që përçojë sundimtarët tek shkrimtarët. Ajo pyetje retorike, tepër misterioze, që mbante brenda “thikën me dy presa”, përgjigjja e së cilës mbeti si brenga më e madhe për Pasternakun, do të kthehej në një makth i madh edhe për shkrimtarin I.Kadare. Kur zëvendëskryeredaktori i gazetës “Drita” i tha se me të donte të fliste Enveri, mendjen ja përshkoi si një hell i skuqur pyetja, sa historike aq dhe drithëruese e Stalinit drejtuar Pasternakut: “Ç’mendoni për Mandelshtamin”?! Që për Kadarenë do të thoshte: Ç’mendon për Poradecin, për Paskon, ose për Markon, që sapo kishte dalë nga burgu, ose për Agoillin, Qirjazin, Arapin. Ndoshta më tej do të pyeste Ismailin se ç’mendonte për veten e tij. Para kësaj pyetjeje drithëruese, ai do ta vinte veten në vend të Pasternakut, për të gjetur përgjigjen e mundshme që ky i fundit i pat dhënë pyetjes misterioze të sundimtarit të egër, Stalinit.
“Ishte viti 1976, i dyti vit , që isha në të njëjtën listë si ai” – shkruan I.Kadare në këtë libër. Është e vërtetë që sundimtarët tremben nga arti e letërsia. Prandaj në situata të veçanta bëjnë dhe lëshime ndaj shkrimtarëve të mëdhenj, ashtu siç ka bërë për Nolin dhe Lasgushin, si Mreti Zog, ashtu dhe Enveri. Edhe pse Zogu ka pasur një armiqësi të ashpër dhe të gjatë me Nolin, në vitin 1960 ata filluan të mos e vinin re njeri-tjetrin. Të njëjtën gjë filloi të bënte edhe Enveri me shkrimtarët e mëdhenj. Bëri një gjysmë pajtim me Nolin dhe la në harresë Poradecin. Përmes mospërfilljes dhe thashethemeve, se L.Poradeci paskësh qenë maniak dhe i krisur nga mendja, e vrau atë për së gjalli. Ndërsa për ta ndarë letërsinë nga e vërteta, i shkallmoi asaj “lëndën e parë të ndërtimit” dhe në vend të personazheve artistikë të vërtetë, futi heroin manekin të të ashtuquajturit realizëm socialist. Po kjo nuk do të thotë se këta lloj shkrimtarësh, me natyrën e tyre rebele dhe antikomformiste, ishin të imunizuar për gjithnjë nga përndjekja dhe survejimet tinëzare të “ syqelqëve” të sundimtarëve.
2.
Shkrimtari Ismail Kadare, me krijimtarinë e tij të gjerë dhe tepër cilësore, ka merituar jo vetëm shumë tituj, çmime dhe nderime të mëdha si brenda dhe jashtë vendit, por edhe epite të tilla të bukura kuptimplote, si”Ikona e kulturës shqiptare”, “Monarku i letrave shqipe”… Krijimtaria e tij shumëplanëshe, me vlera universal, ka kohë që flet në shumë gjuhë të botës. Me brendinë e saj të papërsëritshme, sa klasike aq dhe moderne, sa reale aq dhe fantastike, shpesh ka ngjallur debate e diskutime, në të cilat krahas vlerësimeve të larta, janë shfaqur dhe kundërshti e kontestime të shumta. Ai, me personalitetin e tij të padiskutueshëm, është shfaqur para lexuesve dhe bashkëkombësve të tij, sa i ditur, aq dhe i talentuar, sa i zakonshëm, aq dhe i jashtëzakonshëm, sa i kuptueshëm aq dhe i pakuptueshëm, sa i qetë aq dhe nervoz, sa i vëmendshëm, aq dhe indiferent, sa i përmbajtur, aq dhe i guximshëm. Ismail Kadare, ky shpirt i lirë i poezisë moderne, nuk mund të heshtte mes skllavërisë konformiste që impononte sundimtari. Prandaj akullin e poezisë së përgjumur të kohës filloi ta thyejë që në hapat e para të krijimtarisë së tij, me vargje të tilla të guximshme: “Pa formë është qielli/si tru idjoti”… Ndërsa për të shprehur idenë e lirisë krijuese të poetit, shkruan vargje të tilla alegorike: ”Mos m’i mbyll kurrë portat,/o moj botë e madhe”! Vargje të tillë janë bërë shkak që Kadare të “grindet” me sunduesin . Të parët që e nisin këtë “grindje” të ethshme me poetin, ishin konformistët, egoistët dhe servilët e sundimit, të cilët , për t’u treguar se janë besniket më të zellshëm të sistemit, filluan ta quanin heretik, modernist… Ismail Kadare, siç duket, që në moshë tepër të re, kur shkruante romanin e parë “Qyteti pa reklama”, i cili në atë kohë nuk e pa kurrë dritën e botimit, e kish kuptuar, se ky vend, që ecte si i marrë, me këmbë të përgjakura nga mungesa e lirisë dhe stërmundimi, për fat të keq përshkruhej si parajsë. Kur ai guxoi, që nëpërmjet magjisë së fjalës, të zbulojë dritëhijet e atij realiteti të hidhur, sunduesi dhe shërbëtorët e tij të zellshëm, Kadarenë e quajtën provokator, ndërsa romanin e tij antikomunist, sepse realitetin shqiptar të asaj kohe e pasqyronte me ngjyra të errëta. Kjo kritikë e ashpër cinike, e vuri Kadarenë përballë dilemës: Ose t’i nënshtrohej realitetit, ose të hiqte dorë nga letërsia. Faktet tregojnë se ai nuk u dorëzua kurrë. Për të bërë letërsi të vërtetë, ai zgjodhi mesin e artë. Të mos provokonte drejtpërdrejt sunduesin, por të fshikullonte sadopak diktaturën, përmes kuptimit alegorik të fjalës. Për të bërë letërsi të vërtetë në këtë vend anormal, atij iu desh të paguante një kosto të dyfishtë. Herë përmes sjelljes korrekte dhe herë përmes heshtjes përballë turfullimit të “kokëprerësve” dhe zhurmës së kritizerëve e kontestuesve të veprës së tij. Këtë sjellje të Kadaresë me sundimtarët, në ato kushte të rënda përndjekjeje dhe suverjimi, kontestuesit e sotshëm të tij do ta quajnë “kompromis me regjimin e djeshëm diktatorial”, duke e akuzuar atë si të përkëdhelurin e atij regjimi. Si duket, për ta, më mirë do të ishte të luftonte “me shpatë në dorë” kundër sundimtarit dhe të kishte pasur fatin e “kokëprerëve”, sesa të luftonte për të shkruar një letërsi të vërtetë me vlera gjithëkohore. I.Kadare, para martirizimit të jetës dhe veprës së tij, zgjodhi kompromisin e vogël, për një çështje të madhe. Dhe ëndrra e tij e madhe ka qënë: Të bënte një letërsi të vërtetë, sikur ai regjim të mos ekzistonte fare. Ai e urrente heshtjen, por për ta thyer atë nuk zgjodhi rrugën e ashpër, por rrugën e letërsisë alegorike. Kadaresë, ashtu si dhe disa shkrimtarëve tanë të tjerë, i ra fati të bënte letërsi normale në një vend anormal. I vetmi “faj “i tij ishte që nuk u “kacafyt” me sunduesin për t’u martirizuar.
3.
Ismail Kadare dhe “Pashallarët e kuq”
Sistemin diktatorial dhe kryesundimtarin, alegorisht e ka stigmatizuar në disa nga veprat e tij më të mira. Më i dukshëm ky fshikullim alegorik shfaqet në poemën “Pashallarët e kuq”. Ndoshta nga vlerat artistike kjo poemë nuk mund të renditet në krijimet më të mira të poezisë së tij, por në brendinë e saj, sot, edhe një lexues i zakonshëm zbulon thelbin gjakësor të atij regjimi diktatorial. Vargjet llastuese për Enverin shpjegohen me rrethanat në të cilat ndodhej Shqipëria në ato vite. Në regjime të tilla, shkrimtari, për t’i shpëtuar përndjekjes dhe persekutimit, kur kërkon të pasqyrojë të vërtetën, është i detyruar të paguajë një taksë. Çdo letërsi e shkruar në kushte të tilla, do të reflektojë edhe vulën e dvojnikut (shpirtit binjak) majakovskian. Kontestuesit e veprës së Kadaresë kanë arritur deri atje sa të thonë se Shqipëria e asaj kohe paskësh pasur dy diktatorë, Enver Hoxhën dhe Ismail Kadarenë, madje ky i fundit na paskësh qenë më i keqi. Objekt sulmi ndaj kësaj poezie ka qenë dhe vetë titulli, tepër alegorik “Pashallërët e kuq”. Në të vërtetë, ky togfjalësh figurativ, siç sqaron dhe vetë Kadare, është tërësisht perëndimor. Me të është sulmuar komunizmi dhe sundimtarët e tij. Përmes këtij togfjalëshi karakterizues alegorik, I.Kadare fshikullon atë sistem burokratik, që për pushtet “ka lyer duart me gjak” . “Kushdo që e njohu atë sistem, – thekson Kadare, – e kupton se shkrimtari, për të botuar një vepër të tillë, do ta shoqëronte me një justifikim”. Prandaj ai për të fshehur alegorinë ndaj sundimtarit, paguan një taksë, që në këtë rast janë vargjet për Enverin, të cilat në fakt janë një lëshim i vogël, për të fshehur një goditje të madhe. Të deklarosh, qoftë dhe alegorikisht, se ky regjim i ka duart të lyera me gjak, është më shumë se guxim i çartur. Mesazhi i protestës ndaj sundimtarëve të kohës shprehet edhe në vargje të tilla alegorike: “Shtetet s’prishen nga çatitë”, “Çdo gjë e bukur ishte një gënjeshtër”. Burokratët e asaj elite i quan “tuafë të kobshëm”, “minj arash”, që nga themelet kërkojë të fshijnë shpejt gjakun dhe sakrificën e luftëtarëve të vërtetë të lirisë. Pashallarët e kuq janë ”bejlerë me teserë partie”, “bosë gjakatarë”, që “atje në gjunjë ulur/lajnë e shpërlajnë gjakun pa pushim”. Janë ata që “ditën buzëqeshin në tribuna e mitingje”, ndërsa natën “zbresin në themelet e Rozafatit për të shkallmuar atë që ndërtojnë ditën”.
Edhe pse I. Kadare ishte i bindur se “Kryepashai” nuk mund të mos e kuptonte “helmin e parfumosur alegorik”, ai guxoi ta ngrejë në art. Vetë kryesundimtari nuk dihet si reagoi për brendinë e kësaj poeme, por përmes “megafonëve” të oborrit të tij, do t’i thoshte poetit: Pa ndalu pak se nuk ma hedh dot mua! Ndërsa Kadare, në këto momente të vështira, i ndërgjegjshëm se ç’kishte bërë dhe ç’e priste, bëri autokritikë. Në shtypin e ditës, edhe kohët e fundit, kam lexuar të shkruhet se, si rezultat i kësaj autokritike, Kadarenë e shpëtoi Hysniu, kur në fakt dihet, se nga Enveri, mund ta shpëtonte vetëm Enveri. Këtë të vërtetë, I.Kadare e sqaron më mirë në librin e tij: “Kur sunduesit grinden”. Në rastet kur sundimtari nuk donte t’i krijonte vetes problem,ose bënte sikur nuk kuptonte, ose i zbuste goditjet e panevojshme të shkrimtarëve me emër, si L. Poradeci, P. Marko… Ismail Kadare, në të vërtetë, s’e ka quajtur kurrë veten disident, por ai nuk mund të quhet as i përkëdheluri i atij regjimi, siç duan ta quajnë kontestuesit e djeshëm dhe të sotëm. Është paradoksale, që ai që dje quhej provokator e armik i sistemit diktatorial, sot të quhet, jo vetëm i përkëdhelur i regjimit, por dhe sundimtar, ndoshta më i egër se vetë kryesundimtari. Grindjen alegorike me sundimtarët I. Kadare e ka vazhduar edhe nëpërmjet veprave të shkruara më vonë, si romanet “Pallati i ëndrrave”,”Dimri i vetmisë së madhe”, “Qorrfemani”, “Koncert në fund të dimrit”…
Të shkruaje në atë kohë se në “pallatin e çuditshëm” alegorik të asaj kohe, njerëzit që shihnin ëndrrat më të bukura, dënoheshin më shumë, do të thotë që përmes një paralelizmi figurativ, të kesh goditur m’u në zemër atë sistem të egër suvejimi, që mbyste edhe ëndrrën më të bukur të njeriut, siç ishte liria e fjalës dhe mendimit. Megjithatë, edhe Kadare, ashtu si dhe shumë shkrimtarë të tjerë të mëdhenj të vendit e të botës, që kanë jetuar dhe shkruar në sisteme të tilla diktatoriale, nuk i ka shpëtuar dot plotësisht “dvajnikut “(shpirtit binjak) majakovskian. Censurës dhe vetëcensurës, nuk mundi t’i shpëtonte dot plotësisht as ky shpirt i lirë dhe rebel i letërsisë shqipe, gjë që reflektohet në brendinë e disa veprave të tij si romani “Dasma”. Por një gjë është e vërtetë. Lëshimet që i bën ai regjimit dhe sundimtarit diktatorial, janë thërrmija, në krahasim me veprën e madhe e të lirë, që ai i lë letërsisë shqipe moderne. Të çirresh sot për të qortuar shkrimtarin e madh Kadare, se ai lufton për ta shpallur veten disident, që të fitojë çmimin “Nobel”, është më tepër se ligësi. Askush nuk mund ta kuptojë se ç’të keqe do të kishte Shqipëria, nëse një Gjeni i letrave shqipe si Ismail Kadare, do të merrte çmimin e lartë “Nobel”, me të cilin do të nderonte, jo vetëm veten, por dhe gjithë kulturën dhe kombin shqiptar!/gazeta dita, 9 dhjetor 2018/