Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA, gati të ndërhyjë ushtarakisht në Venezuelë

 

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndërhyjnë ushtarakisht për të frenuar trazirat e tanishme në Venezuelë.

“Një veprim ushtarak është i mundur”, tha diplomati më i lartë i SHBA për rrjetin televiziv Fox Business. “Nëse kjo do të kërkohet, Shtetet e Bashkuara do ta bëjnë,” tha ai.

Megjithatë, ai përsëriti se SHBA do të preferonin një kalim paqësor të pushtetit në Karakas, nga presidenti socialist Nikolas Maduro tek presidenti i përkohshëm i vetëshpallur, Juan Guaido, kryetar i Asamblesë Kombëtare i njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe rreth 50 vende të tjera si udhëheqës legjitim i vendit.

Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, tha ndërkaq për rrjetet CNN dhe Fox News se zoti Pompeo do të fliste të mërkurën me ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov rreth mbështetjes së Moskës për Maduron në vështirësi.

Zoti Pompeo u tha intervistuesve se Maduro, përballë protestave të rrugës kundër regjimit të tij, ishte gati të largohej nga Venezuela për në Kubë të martën, por Rusia e bindi të qëndronte për të kundërshtuar thirrjen e zotit Guaido drejtuar ushtrisë për të përmbysur Maduron.

Vetë Maduro dhe ministria e jashtme ruse mohuan zërat për largimin e Maduros. Moska tha se kërkesa e SHBA ishte pjesë e “luftës së saj informative” për të demoralizuar ushtrinë venezueliane dhe për të nxitur një grusht shteti.

Zoti Guaido bëri thirrje për protesta masive në rrugë më 1 maj kundër qeverisë së Maduro, që sipas tij do të ishin “më të mëdhatë në historinë e Venezuelës”. Të martën, protestuesit që hidhnin shishe me benzinë, u përleshën me trupat qeveritare, ndërkohë që autoritetet përdorën municion të vërtetë, makinat e ujit dhe plumba gome kundër demonstruesve, duke vrarë një person dhe plagosur dhjetëra.

Pamjet televizive tregonin një automjet të Gardës Kombëtare të Venezuelës që shkelte mbi demonstruesit të cilët gjuanin me gurë kundër ushtarëve. Qeveria tha se një nga ushtarët e saj u godit nga një plumb.

Të mërkurën në mëngjes, në rrugë mund të shihje tymin e gazit lotsjellës, ndërsa policia e armatosur mirë mbante në duar mburoja për t’u përballur me protestuesit që hidhnin gurë në drejtim të saj.

Maduro tha se do të fliste në një tubim për 1 majin, duke pretenduar se përpjekja për grusht shteti e Guaido-së ishte mposhtur.

Ai përgëzoi forcat e armatosura që “mposhtën këtë grup të vogël i cili kishte për qëllim përhapjen e dhunës përmes betejave puçiste nëpër rrugë”.

“Kjo nuk do të mbetet pa u ndëshkuar,” tha Maduro në një transmetim televiziv.

Ai tha se demonstruesit do të ndiqen penalisht “për krimet e rënda që janë kryer kundër kushtetutës, sundimit të ligjit dhe të drejtës për paqe”.

Mijëra demonstrues janë bashkuar me protestat në rrugë pasi Guaido i mbështetur nga SHBA bëri thirrje që ushtria të refuzonte sundimin e Maduro-s dhe të kalonte në anën e tij në një fushatë që ai e quajti “Operacioni Liria”. Guaido u shfaq të martën së bashku me politikanin e opozitës Leopoldo Lopez, i cili ishte vënë nën arrest shtëpiak nga Maduro, por tha se ishte “i liruar” nga ushtarët që mbështesin zotin Guaido.

Në një zhvillim tjetër, Administrata Federale e Aviacionit e SHBA lëshoi një urdhër të martën vonë, ku ndalonte të gjitha linjat ajrore amerikane të fluturonin në hapësirën ajrore të Venezuelës nën 7,000 metra deri në një njoftim të mëtejshëm, duke cituar si arsye “rritjen e paqëndrueshmërisë politike dhe të tensioneve”.

Ajo urdhëroi gjithashtu të gjithë operatorët ajrorë në Venezuelë, duke përfshirë avionët privatë, të largoheshin nga vendi brenda 48 orëve. (VOA)

Please follow and like us: