Albspirit

Media/News/Publishing

Tregimtari dhe publicisti Avdulla Kënaçi, mes Shqipërisë dhe Kanadasë

 

Image result for sejdo harka

Sejdo HARKA

Avdulla Kënaçi, ky emër i spikatur i medies së shkruar dhe i ekranit shqiptar, tashmë shfaqet  para lexuesëve edhe si tregimtar i papërsëritshëm  me ngjarje e karaktere që  rendin të lirë, herë përmes botës reale, e herë përmes fantazisë së tij krijuese. Kjo ndodh sepse Avdullai, ka një jetë të tërë që rend e rend pa u lodhur kurrë, jo vetëm në çdo pëllëmbë të trojeve tona, por edhe përtej deteve dhe oqeaneve, deri në vendet më të largëta të botës. Produkt  i këtyre udhëtimeve të shpeshta eksploruese kanë qënë jo vetëm reportazhet e telereportazhet, udhëpërshkrimet e skenarët, por dhe tregimet e bukura që të rrëmbejnë me gjuhën e bukur, karakteret dhe dinamikën e tyre të gjallë. Po, para se të ndalemi tek vlerat e tregimeve të tij plot stil  në librin “Enigma e një nate”, po ndalemi për të treguar me pak fjalë se kush është Avdulla Kënaçi. Ai lindi në Gjirokastër, në një familje golemase. Studimet e larta i përfundoi për gjuhë-letërsi, pa shkëputje nga puna. Për 4 dekada me radhë ai ushtroi profesionin e gazetarit dhe më pas atë të redaktorit e skenaristit. Me ardhjen e demokracisë punoi gazetar pranë RTSH -së, në departamentin “Bota shqiptare”, ku iu përkushtua jetës së shqiptarëve në emigracion. Kohët e fundit, deri në vitin 2007 ai drejtoi programacionin satelitor të RTSH. Sot ai jeton prej 10 vjetësh në Toronto të Kanadasë, por me Avdullain njihemi që nga fillimi i viteve tetëdhjetë, kur ai filloi të na tërhiqte vëmendjen me reportazhet e tij të bukura. Edhe pse në ato vite ai ishte një nga gazetërët me të rinj të kohës, me gjuhën e tij të ngrohtë dhe tepër elokuente, na bënte ne gazetarëve më të rinj, ta shihnim si model. Me përshkrimet e tij të gjalla, ai bënte të flisnin edhe shpatet e maleve të ashpra, arat e mbjella me grurë, kodrat e pyjet plot gjelbërim, rrugët gjarpëroshe plot baltë e gurë, njerëzit e heshtur nga lodhja e problemet.

Kush e njohu nga afër Avdullain dhe nuk u befasua nga kultura e gjerë dhe talenti i rrallë, apo nuk u emocionua nga fjala e ngrohtë dhe zemra e bardhë që ka. Në ballin e tij të gjerë lexon dijet dhe mençurinë, në sytë e tij sinqeritetin dhe dashurinë, ndërsa në vështrimin e kthjellët, prek si me dorë guximin dhe atdhetarinë. Këto virtyte të rralla të Avdulla Kënaçit e gjejnë shprehjen konkrete edhe tek gjesti i lartë që ai bën sot. Edhe pse ka 10 vjet që jeton larg miqve dhe shokëve të tij të hershëm, ka ardhur sot mes nesh për t’u çmallur dhe për të promovuar librin e tij me tregime: “Enigma e një nate”.

E lexon atë me një frymë dhe përpara, si në një ekran të madh, të shfaqet një botë e tërë me bukuritë dhe trazimet e  kohës, ndërsa mes tyre qëndron vetë narratori me mendjen, kulturën dhe  shpirtin e tij të bukur krijues. Ky vëllim me tregime është e vërtetë se është libri i parë i Avdullait, por puna për përgatitjen e tij është shumëvjeçare. Për të gjetur majanë dhe për gatimin e brumit të këtij libri të bukur, ka vite të tëra që eksploron dhe akumulon. Është kjo një nga arsyet që, siç thekson dhe poeti e kineasti Petrit Ruka, tregimet e Avdullait lexohen me një frymë. Tematika e tregimeve të këtij libri është sa e gjerë aq dhe e larmishme. Ajo i tejkolon kufijtë kohorë dhe hapësinorë. Problematika që e shqetëson autorin janë: familja dhe shoqëria, emigracioni dhe liria, promovimi i vlerave, barazia shoqërore dhe dashuria. Ngjarjet e tregimeve zhvillohen sa brenda trojeve tona aq edhe jashtë tyre ,deri në vendet më të largëta të botës.

Në këtë libër lexuesi gjen edhe tregime të jetuara edhe tregime që janë produkt i trillit krijues të autorit. Por tek të dy llojet e tregimeve prek si me dorë të vërtetën. “Jini të vërtetë, që t’u besojnë”, i porosiste Bërnsi kolegët e tij. Personazhët dhe karakteret e tregimeve të Avdullait, edhe kur janë realë, edhe kur janë produkt i trillit krijues, janë njerëz të gjallë, me individualitet të papërsëritshëm, që me kulturën, karakterin ,psikologjinë dhe sjelljet e tyre, reflektojnë vlera e antivlera, ku lexuesi gjen veten.

Një nga problemet e kohës që e ka shqetësuar autorin e këtij libri është eksplorimi brenda njeriut të mirë, i atij që sot konsiderohet “specie në zhdukje”, por që në të vërtetë ai ekziston. Ai jo vetëm që duhet zbuluar, por dhe duhet promovuar si qenie e rrallë por e bukur, që do ta bëjë patjetër Shqipërinë, vendin që shqiptarët kanë ëndërruar në shekuj. Sot, më tepër se kurrë, kur gdhihemi e ngrysemi në tymnajën, ku duket se mbretëron e keqja, është detyrë misionare e krijuesëve të artit dhe letërsisë që të zbulojnë e promovojë të bukurën dhe njeriun që sakrifikon për njerëzit dhe shoqërinë. Një nga tregimet më të bukura, të këtij vëllimi që trajton një problem të tillë, është ai me titullin kuptimplotë “Misteri  i një nate në Frankfurt”. Në qendër të brendisë së tregimit qëndron pedagogia e historisë Brikena,që kishte humbur një eveniment të rëndësishëm, për një fjalë të dhënë. Prandaj narratori vazhdon: “Sa e mirë dhe njerëzore që ishte për të gjithë. Nuk kërkonte asnjë shpërblim për mundin që bënte. Nuk di pse m’u duk aq e afërt dhe aq e ëmbël. Dhe e mbyll me sentencën e bukur sa filozofike aq dhe metaforike: ”E ndjeja se ishim bërë njësh dhe gjaku i saj qarkullonte në trupin tim me të njëjtin ritëm”…(fq.32) Dhe pas  figurës së kësaj gruaje sa të bukur, aq edhe të ditur, sa reale aq dhe alegorike fshihet Shqipëria jonë e bukur, me njerëz të ditur e punëtorë. Eshtë kjo arsyeja pse duhet ta dashurojmë përjetësisht ,kudo që jemi ,këtë vend, për vlerat e saj të papërsëritshme dhe jo ta mallkojmë e ta shesim për pesë para si kalin me huqe. Por që ta ndjesh dhe shprehësh kaq bukur këtë mall, duhet të jetosh larg si Avdullai, sepse siç thotë Faik Konica: ”Kush ndodhet larg Atdheut e ndjen më shumë mallin për të”.

Një tregim tjetër i bukur i këtij libri, është ai me titullin: “Dita e parë përtej oqeanit”. Ky tregim, për nga problematika që trajton dhe gjuha e ngrohtë, i ngjan një kënge të bukur që i kushtohet dashurisë dhe vazhdimësisë së saj edhe përtej kufijve të kësaj bote. Nirvana ishte një vajzë e shkathët, që punonte si një orë zviceriane. Por erdhi një ditë, që ajo, si pasojë e një sëmundjeje të pashërueshme u fik në duart e bashkëshortit të saj të dashur, i cili e shoqëroi me dhimbje deri në banesën e fundit. E megjithatë Nirvana, për Guriemin ende s’kishte vdekur. Ajo ishte ngjitur atje lart, për të kundruar të ardhmen e tij. S’kaloi shumë dhe në çastin kur s’e priste, Gurjemit i vjen ai zarf i shumëpritur, me flamurin amerikan, që i sillte lajmin e realizimit të ëndrrës së hershme;të drejtën për të punuar dhe jetuar në Amerikë. Përtej oqeanit, ai njihet me studenten amerikane Xheki, e cila ngjante me të dashurën e tij të zemrës,si dy pika uji.Është kjo arsyeja që, ajo studentja amerikane ia kishte gërvishur keq plagën e thellë, por në të njëjtën kohë ajo do të bëhej ilaç për t’ja shëruar atë përgjithmonë. Një dashuri e re do t’i siguronte vazhdimësinë e saj të pafundme, që e gjen shprehjen në  sentencën e bukur, rumiane: “Nga dashuria edhe dhimbjet mërgojnë, edhe  vdekja vjen e bukur si këngë…”. Me mesazhe të tilla të bukura për dashurinë dhe jetën Avdulla Kënaçi sfidon jo vetëm grindjet e divorcet e kohës, por edhe krimet bashkëshortore që fatkeqësisht vitet e fundit kanë marrë përmasa të frikshme.

Si një refren i bukur për dashurinë, tingëllon në shpirtin e lexuesit, tregimi “Severina Albanese”.  Në këtë tregim ndërthuren bukur elementet e jetës reale me ato mistike. Nëpërmjet të futjes së fantazmave në tregimet e tij, A. Kënaçi bën një hap të guximshëm në përpjekuet,për të futur me sukses edhe trillin krijues të realizmit magjik. Në qendër të narracionit qëndron Severina, një nga vajzat më të bukura të grupit ballkanik të valltareve, që ishin nisur në një udhëtim fantastik përmes ujërave të pastra të lumit Bosh, për të marrë pjesë  ne një festival botëror kërcimtarësh. Aty ajo njihet me Markun, koreografin e talentuar dhe trajnuesin e grupit prej valltareve që vinin nga vende të ndryshme të botës. Ai ishe një djalë tepër i sinqertë, si një fëmijë. Marku, që vetëm në fund të tregimit shfaqet papritur si shqiptar, është jo vetëm shëmbulli i një njeriu të talentuar, por dhe të një atdhetari që dashuron gjithçka shqiptare. Edhe shpirtin e vajzave, edhe ritmin e bukurinë e valleve. Ai e do Shqipërinë ashtu siç është, për vlerat dhe bukuritë e rralla që ka. Prandaj në trupin e tij ka gdhendur tatuazhin më të bukur në botë, me mbishkrimin: “Zemra ime Shqipëri”. Besoj se s’ka mesazh më të bukur, që Avdullai u përcjell shqiptarëve ,kudo që jetojnë, nga anët më të largëta të botës.

Përmes tregimeve të bukura të këtij libri, Avdulla Kënaçi sjell para lexuesve edhe shumë dukuri e karaktere negative të shoqërisë së kohës,të cilët bëjnë që emigrantët shqiptarë nëpër botë të përjetojnë drama të mëdha shpirtërorë e familjare. Një nga tregimet më të bukura, me tematikë të tillë është ai me titullin “Tartufi modern”. Tharmin për të shkruar këtë tregim, autori e merr nga “Tartufi” i Molierit, por duke e përpunuar në laboratorin  e tij krijues, ai na ka sjell një Tartuf të kohëve të sotme. Në qendër të subjektit është Gleni, tipi i një hipokriti modern, që mendjen e ka jo vetëm te Anxhela, por dhe tek e ëma e saj. Ai lufton me çdo mjet për ta kthyer Anxhelën, lodër në duart e tij. Kur nuk ia del me lajka e dredhi, përdor edhe forcën, duke e kërcënuar me këto fjalë: “Nuk ke nga të lëviz! Herët a vonë do të biesh në dorën time, do të rrëzohesh si një gjethe nën këmbët e mia, ashtu si shumë të tjera”. Ndërkohë nëpërmjet vidos së tij poshtëruese, kuptohet se Gleni kishte shkuar shumë larg. Kishte shtirë në dorë edhe nënën e saj. Kjo video e mallkuar mbante barrën e dramës së madhe të familjes emigrante shqiptare. Por fjalët e fundit të burrit të shtëpisë, Niko Vasilit, drejtuar këtij hiporkriti monstruoz: “Shpejt do ta njohësh kokën shqiptare, o Glen fëlliqësira”, tregon ringrintjen shpirtërore të familjes emigrante shqipatare. Mbasi ai kupton të vërtetën, nuk e duron kurrë përdhosjen e moralit dhe dinjitetit të familjes. Për atë, nderi i familjes është i shenjtë. Ai as nuk shitet, e as nuk blihet me para.

Temën e mbrojtjes së nderit dhe dinjitetit të familjes, autori e thellon më tej nëpërmjet tregimit të jetuar “Mallkimi”. Në qendër të brendisë së tij është shkatërrimi dramatik i një familjeje shqiptare, që për një pasaportë ,shkërmohet si një plis në ujë. Nëna e dy fëmijëve, Drita, në përpjeke për të bërë dokumentat e të shoqit, që punonte në Kanada, kishte rënë pre e oficerit të policisë. Atë e kishin vënë re dhe fëmijët e saj,kur kohët e fundit në shtëpinë e tyre, kishte filluar të hynte e të dilte një njeri i panjohur. Kur Drita shkoi në Kanada,u trondit thellë. Burri i saj, në vend të dashurisë, kishte sjellë si dhuratë të hidhur një polake të bukur. Ndërsa dy fëmijët që i desh aq shumë i bërtisnin asaj: “Largohu nga shtëpia”! Gruaja labe, duke parë se në këtë shtëpi kishte humbur gjithçka, e dëshpëruar thëllë vendosi të hidhej nga kati i shtatëmbedhjetë. Por shpejt ndërroi mendje,duke thënë me vete: “Kurrë nuk do ta bëj këtë gjë”. Dhe, menjëherë nisi rrugën për të gjetur lumturinë e re, duke mallkuar emigracionin dhe Kanadanë, që ia kishin thërrmuar jetën e familjen, sikur të ishin një kështjellë prej rëre.

Një nga personazhet më të realizuar të këtij vëllimi është ajo e Flautistes, e tregimit me të njëjtin emër. Redola ishte një vajzë e bukur dhe tepër e talentuar, që rridhte nga një familje muzikantësh. Ajo, gjithçka ia kushtoi karrierës muzikore, duke lënë në harresë jetën e saj personale. Prandaj nëna e saj me dhimbje çdo ditë i thoshte: “Nuk më tret dheu  pa të parë me vellon e nusërisë”. Së  fundi Redola, e stërmunduar nga konkurrenca e karriera e punës, vendosi të gjente njeriun e jetës. Pas disa eksperiencash të shkurtra, u dashurua marrëzisht me muzikantin e madh, Adrianon. Por fatkeqësisht, zemra e saj kishte trokitur në vagonin e një perversi eksperimental. Që në bisedën e parë telefonike ai i pat thotë: “Në këtë  takim do të kemi mysafire edhe mikeshën nga Zagrebi. Të siguroj se bashkë do t’ia kapërcejmë fantazisë se regjisorit të filmit ’50 Hijet e Greit’. Në këto çaste Redola kujtoi saksofonin Tom, ku vendosi të shkonte atë natë, me mallkimin e madh: Në djall të shkoni të gjithë! E dëshpëruar thellë, hodhi për tokë farën dhe e shkeli egërsisht me takën e këpucës. Fara e shtrënguar midis thundrës dhe pllakave të trotuarit u thërmua copash”. ( fq 111). Nuk mund të gjesh fjalë më të bukura, për të shprehur fundin e një ëndrre të keqe dhe fillimin e një ëndree të re, të ndërtuar me sytë e mendjes dhe shpirtit të një dashurie të vërtetë.

Së fundi, do të thoja se Avdulla Kënaçi me këtë libër, duke qëndruar midis Kanadasë dhe Shqipërisë, na sjell një botë të pasur ndjenjash dhe mendimesh, vlerash e këndvështrimesh, ku herë mban qëndrimin e tij, e herë e lë lexuesin të përzgjedhë atë më të mirën. Tregimet përçojnë mesazhe e kultura shqiptare e botërore, nëpërmjet një gjuhë të bukur, sentencave filozofike, përshkrimit të gjallë dhe humorit të hollë .Veçanërisht të rrëmbejnë gjuha e artikuluar, dialogjet e bukura dhe narracioni i ngrohtë ,që duket sikur buron nga thellësitë e krojeve.

I nderuar miku dhe shoku ynë i hershëm Avdulla! Na lejo që me këtë rast të urojmë nga zemra: “Udhë të mbarë në lëndinën e lulëzuar të krijmtarisë! Libra të tjerë më të bukur presim nga ju në të ardhmen! Rrofsh sa të dojë zemra, për të mirën e vetes, familjes dhe shoqërisë!

 

 

 

 

Please follow and like us: