Bardh Spahia: Pranvera djegëse e një kryeministri
Samiti i Berlinit ishte vetëm konfirmimi kokëfortë se sa mbrapa ka bërë Shqipëria nën qeverisjen e Edi Ramës. I rikthyer 5 vjet më vonë në Berlin, në formatin e procesit të iniciuar nga Kancelarja në gusht të vitit 2014, Edi Rama jo vetëm që nuk kishte një bilanc për detyrat e shtëpisë që Merkel ia kishte përsëritur disa herë edhe publikisht, por i dha një tjetër provë asaj, se deri ku arrin një individ me pushtet, me delirin për t’u bërë faktor në marrëdhënien Kosovë-Serbi, me një lojë të errët gjeopolitikisht, jo vetëm për rajonin.
Nëse nuk do ishte për kancelaren, kryeministri i Shqipërisë me flirtet e rrezikshme për shkëmbim kufijsh për egon e vet të sëmurë, do shndërrohej edhe në fatkeqësinë e Kosovës, siç ka bërë me qytetarët e vet.
Djegia e mandateve, një sakrificë aspak e vogël e opozitës, e ka padyshim anën e mirë: po zbulon ditë pas dite degradimin e një kryeministri të sëmurë për pushtet. Pasi nuk pati asnjë skrupull për blerjen e votave, ishte radha e paralizimit të sistemit të drejtësisë, që i përgjigjet vetëm komandave të kryeministrit, e paralizimit të gjykatave të epërme, që mund të frenonin abuzimin sistematik, njëlloj si hetimet për vjedhjen e votave për llogari të socialistëve, të paktën aty ku ka çështje, në Durrës e Dibër.
Por, sado të anatemojë opozitën, të shpikë fajtorë e armiq ngado rreth tij, faktet janë kokëforta. Në gjashtë vjet Edi Rama e ktheu shtetin në një fasadë, që ra plotësisht në sytë e shqiptarëve me djegien e mandateve të opozitës, pasi secili mund të shohë individin që ka marrë peng vendin, duke kontrolluar e abuzuar me çdo pushtet, ndërsa një ushtri virtuale që paguhet me taksat e shqiptarëve, mbron në rrjetet sociale kryeministrin dhe beniaminë të caktuar të tij kundër denoncimeve e pakënaqësisë që vjen edhe nga vetë të majtët. Me shtetin fasadë pretendon të ndjekë shembullin e diktatorit e të garojë me vetveten në zgjedhje. Mjerisht 30 vjet pas rrëzimit të diktaturës, si kurrë më parë në gjashtë vitet e fundit, reliket e komunizmit që falë edhe indiferencës sonë, kanë përfituar funksione publike e jo vetëm, po riaktivizohen duke guxuar të sulmojnë këdo që evidenton krimet e një regjimi, që burgosi e internoi qytetarët e vet, dhe e shndërroi Shqipërinë në një kamp të izoluar prej 28 mijë km katrorë. Eshtë një kambanë alarmi se e keqja që vjen nga ky kryeministër është edhe më e thellë, pasi nën qeverisjen e tij, agresorët e diktaturës, aktorë në vetë të parë apo pasardhës, po sulmojnë viktimat, duke na kujtuar të gjithëve se i kemi ende një borxh të rëndësishëm vendit, pasi nuk kemi sistemuar kapitullin tejet të kushtueshëm të 46 viteve diktaturë. Izolimi duket se po rikthehet pasi prej 2014-ës, kur si vazhdim i përpjekjeve të qeverisë Berisha, Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në BE, nuk ka asnjë lloj avancimi nën qeverinë Rama. Madje rrezikojmë një kthim pas, me kërkesën unike që merr Komisioni Europian për heqjen e vizave për Shqipërinë nga një vend themelues i BE si Holanda. Kryeministri vazhdon të shikojë armiq gjithandej, por fakt është se nuk mbahet mend kur ka pasur takimin e fundit zyrtar dy palësh me një homolog europian, sepse Edi Ramën askush as nuk e pret, e as nuk e viziton më prej kohësh.
Kjo qasje ndaj kryeministrit padyshim është një lajm i keq për shqiptarët, por duhet të jetë një nxitje që secili të kuptojë se ky kryeministër që flet e sillet në emrin tonë, nuk na përfaqëson më, por është thjesht kosto për vendin! Secili e dallon po ashtu mirë se Shqipëria është më keq se një vit më parë, e përkeqësimi po ndodh vit pas viti prej gjashtë vitesh.
Stabiliteti fals që deri tani ka mjaftuar në parim nga ndërkombëtarët edhe në rajon, jo vetëm në vendin tonë, dukshëm nuk do mjaftojë më, e prandaj Gjermania e Franca kanë marrë rolin kryesor për monitorimin e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, duke I dhënë së pari fund delireve për rishikim kufijsh mes Kosovës e Serbisë, të cilat venë në pikëpyetje pacipësisht atë që Kosova e ka fituar prej 11 vitesh, pavarësinë. Askush nuk mund të bëhet zot në shtëpinë e tjetrit e askush nuk mund të trajtojë vendin e vet si çifligun personal. Përballë arrogancës së kryeministrit, koha është që shqiptarët të bëhen bashkë për të çliruar vendin nga pengmarrja e një njeriu të vetëm. Pranvera është dëshmuar stina tradicionale e ndryshimeve politike në jo pak vende, e vetë Shqipëria e ka provuar në pranverën e vitit 1992. Koha është për një ndryshim po aq të madh./Gsh.al/