Ergys Mërtiri: Gjyqi Special kundër Agron Tufës
Agron Tufa dhe Instituti që ai drejton u bënë objekte të një sulmi të organizuar në shtyp nga një armatë njerëzish, kryesisht ish-persekutorë e shërbëtorë të regjimit komunist, të rreshtuar sot në mbrojtje të trashëgimisë së tyre politike. Siç ndodh gjithmonë në këto raste, Tufa u bë shënjestër e një goditjeje në turmë, dhe për këtë u thirrën nën armë një mori rraqesh të vjetra dhe të reja, mbeturina të një sistemi qesharak të dështuar, për të hedhur secili gurin e tij kundër atij që guxon të zbardhë krimet e së kaluarës. Hijenat sulmojnë gjithmonë në grup dhe, të strehuar në turmë, kafshojnë më fort, me të gjithë mllefin e poshtërsisë së tyre të ndezur nga hija e fajit që i shoqëron ngado.
Sulmi u nis fillimisht nga Spartak Braho, një rrangallë e vjetër e aparatit kriminal të regjimit, ende në detyrë, që vazhdon të jetë, nuk dihet për ç’merita, përfaqësues i popullit në parlament. Ironikisht, ai kërkoi shkarkimin e z. Tufa, pasi paskësh botuar një listë ku paraqiten një sërë drejtuesish të çetave partizane, të cilët kanë kryer krime gjatë luftës. Kjo u pasua nga një breshëri shkrimesh, akuzash mbi dhe nën brez, e deri te bejte bajate shkrimtarësh soc-realistë me një këmbë në varr, përfshi këtu edhe profesorë universitetesh, ish-deputetë, e madje edhe të rinj neokomunistë me aksione politike në Shqipërinë e rilindur – të gjithë me të njëjtën ironi e cinizëm linçues, pa asnjë argument, duke akuzuar një institut pse thotë disa të vërteta të dokumentuara mbi luftën partizane. Sipas tyre, të vërtetat nuk u dashkan thënë dhe zbardhja e historisë njolloska “lavdinë e kësaj lufte”!
Në mënyrë qesharake dhe shtazarake, z. Tufa u akuzua për fashist, nazist, ballist, përçudnues i vlerave të kombit e deri edhe për fshatar. Në dialektikën e katundarllëkut, fshatarët e ardhur në Tiranë për shkak të lëvizjes së lirë të pas viteve ’90 (të cilët u përfaqësokan nga z. Tufa) janë barbarë e shpellarë, ndërsa ata që i zbriti partia për të bërë zap e për të shtruar në hu popullin e kasabasë, janë të qytetëruar e të kulturuar! Në dialektikën e trushpëlarjes së tyre, ai që urren komunizmin duhet të jetë patjetër fashist e nazist. Për shkak se z. Tufa ka aq higjienë etike dhe njerëzore sa të urrejë trashëgiminë e krimit që shkatërroi e degjeneroi një komb të tërë, ai akuzohet për fashist e rrjedhimisht edhe për kolaboracionist në tentativë, për mbrojtës të pushtimit nazist e madje edhe të holokaustit. Në mos një Nurenberg, një gjyq special si ato të “Komandantit Legjendar” e ka hak!
Në fakt, pothuajse të gjithë ata që hodhën grushtin e tyre të baltës janë njerëz që jo vetëm i kanë ndyrë duart, në një mënyrë apo një tjetër, në regjimin e kaluar, por edhe sot e kësaj dite janë të angazhuar në apologjinë e krimit, duke relativizuar fëlliqësinë që prodhoi e vazhdon të prodhojë ai regjim. Paturpësia shkon deri aty sa, megjithëse disa prej tyre, si Sevo Tarifa p.sh., që shpreh vlerësim për Enver Hoxhën dhe e konsideron atë komandant legjendar, ata të gjithë bashkojnë zërin në të njëjtin kor në emër të luftës ndaj armikut të klasës. Ideja se z. Tufa mund të jetë potencialisht një kriptofashist i maskuar është një problem shumë më i madh për ta sesa nostalgjia idiote dhe malinje e “bashkëluftëtarëve” të tyre ndaj një trashëgimie terroriste si enverizmi.
Ndërsa shfaqen të përdëllyer për hebrenjtë e masakruar në dhomat e gazit në Aushvic, këta antifashistë të indinjuar nuk shfaqin kurrfarë ndjeshmërie për kasaphanat e komunizmit në kampin e Tepelenës apo në burgjet e Spaçit dhe të Burrelit. Ata nuk gjejnë asnjë moment ndjeshmërie dhe solidariteti njerëzor për faktin që ende sot, pas 28 vjetësh, viktimat që baballarët e tyre i ekzekutuan pa asnjë faj nuk kanë ende një varr për t’u qarë nga të afërmit. Ata nuk kanë asnjë fjalë për të thënë kur sot e gjithë ditën edhe kur ndonjë i persekutuar arrin të gjejë një punë në shtet, gjen aty si shefa ish-persekutorët e tij. Ata nuk shqetësohen pse krimet nuk janë dënuar, pse dosjet nuk janë hapur, pse të vërtetat nuk thuhen, por shqetësohen pse nuk po ia njohim disa merita ish-kriminelëve që na përçudnuan si popull. Shqetësohen se po mohojmë luftën e tyre për çlirimin e vendit, të cilin më pas ata vetë e përdorën për robërimin e tij në mënyrën më të egër. Duhet të kesh pësuar një deformim të thellë mendor e human, që të arrish deri në atë pikë sa të mbrosh me kaq tërbim një trashëgimi që qelbet erë kaq shumë sa kjo!
Zbardhja e krimeve të luftës nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është një punë e dokumentuar dhe e botuar në një libër, i cili mund të debatohet, por kurrsesi të sulmohet e linçohet publikisht. Dokumentimi i fakteve mbetet gjithmonë një punë e lavdëruar dhe nuk mund të njollosë asnjë pjesë të historisë sonë. Populli shqiptar i periudhës së luftës nuk përfaqësohet nga krerët e PKSH-së, ndaj të vërtetat e hidhura që shoqërojnë atë parti nuk cenojnë aspak vlerat kombëtare. Në të vërtetë, ata që ndiehen të cenuar prej këtij angazhimi janë pikërisht pinjojtë e një trashëgimie politike kriminale që erdhi më pas, apologjinë e së cilës po e bëjnë prej kohësh zëra të tillë si ata që sot sulmojnë institutin. Fakti që ata kanë kurajë të bëhen bashkë dhe të ngrenë zërin për të sulmuar të vërtetat që zbardhen është dëshmi e dështimit të shoqërisë sonë për t’u çliruar nga e kaluara e hidhur që ata përfaqësojnë.