Albspirit

Media/News/Publishing

Hava Muçollari: Ekonomisë shqiptare i mungon drejtimi nga njerëz korrektë

Intervista/Flet Financierja Hava Muçollari: Ekonomisë shqiptare i mungon drejtimi nga njerëz korrektë

– Ligjet po bëhen në mënyrë të tillë që t’i shërbejnë individit dhe jo popullatës

Image result for albert zholi

Albert Z. Zholi

Ekonomisë shqiptare ndodhet në udhëkryq, ka probleme të shumta. Në përgjithësi kësaj ekonomie i mungon pikërisht drejtimi nga njerëz korrektë, të përqendruar dhe profesionist. Kjo vjen pasi shqiptarët duan vetëm të komandojnë por jo të vetërregullojnë ekonominë e tyre. Këto dhe të tjera zhvillime  janë pjesë e një intervistë ët zhvilluar me financieren Hava Muçollari…

Keni studiuar për ekonomi dega Financë në Universitetin Bujqësor, Tiranë, kjo degë ishte ëndrra juaj apo detyrim i kohës?

Le të themi se koha ma ofroi këtë degë. Në atë kohë ekonomia ishte e centralizuar dhe financa ishte thjesht një punë zyre, shumë pak vlerësohej. Ishte njëra nga degët për të cilat aplikova për të studiuar.

Cilat ishin lëndët që pëlqeje në shkollë të mesme dhe si e prite bursën në këtë degë?

Nga lëndët që preferoja më tepër ishin gjuhë-letërsi, histori por edhe disa lëndë praktike që kishin të bënin me pemëtarinë pasi shkolla e mesme kishte drejtim bujqësor. Fillimisht më doli shkolla për mjekësi. Dega kryesore për të cilën kisha aplikuar ishte pikërisht mjekësia dhe prindërit e mi u gëzuan jashtëzakonisht edhe pse ishte me pagesë, sidomos im atë. Edhe pse ishte dega që unë preferoja të fitoja si e drejtë studimi mora vesh se ma ndërruan. Pra shkova të studioja për ekonomik, dega financë në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Në fakultet isha me bursë. Normal të qenit me bursë ishte një lehtësi pasi s’do i rëndoja ekonomikisht prindërit.

Si i kujton profesorët tuaj, si shpjegonin dhe si ishte kërkesa e llogarisë? Kishte mitmarrje?

Fakultetin e kam filluar ne vitin 1987 kur ekonomia ishte e centralizuar dhe e mbarova në vitin 1991 në periudhën kur ndodhi tranzicioni. Profesorët  ishin shumë korrekt si në shpjegim edhe në kërkesën e llogarisë. Mund të kishte mitmarrje por unë nuk kam hasur diçka të tillë në rrethin me të cilin frekuentohesha nga shoqëria ime e fakultetit.

Mendoni se femrat janë më të prirura në këtë degë në krahasim me meshkujt?

Fusha e financës kërkon me tepër përqendrim, korrektesë dhe normalisht aftësi të mira profesionale. Këto veti s’mund ti kenë vetëm femrat ,por duke qenë pune zyre është e natyrshme që femrat përshtaten lehtësisht.

A është e preferuar sot kjo degë nga femrat?

Kjo degë sot është e preferuar si nga femrat ashtu edhe nga meshkujt mbasi është ekonomi tregu e bizneset e kanë domosdoshmëri punësimin e financierëve.

A ka treg pune aktualisht për këtë degë? Si do ta përkufizoje ekonominë shqiptare në këto 29 vjet tranzicion, nga çfarë vuan më shumë ekonomia shqiptare sot?

Treg pune për financierët ka gjithmonë, por duke qenë një nga degët më të preferuara, fakultetet janë të tejmbushur me studentë dhe normalisht do ketë edhe të papunë. Nga 29 vitet e tranzicionit kemi pritur më shumë por kemi marrë gjithmonë e më pak. Ekonomisë shqiptare i mungon pikërisht drejtimi nga njerëz korrektë, të përqendruar dhe profesionist. Varfëria sa vjen e thellohet. Edhe ligjet po bëhen në mënyrë të tillë që t’i shërbejnë individit dhe jo popullatës.

Përse të ardhurat e popullit shqiptar janë më të ultat në Europë për frymë?

Të  ardhurat për frymë të popullit shqiptar në vitin 2018 ishin 5261 $ në vit. Duke u krahasuar me vendet europiane janë më të ultat në Europë. Kjo sipas statistikave të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Arsyeja e  varfërisë së shqiptarëve poshtë nivelit europian ka ardhur nga mosshfrytëzimi dhe keqmenaxhimi i burimeve natyrore që gjenden në këtë vend të mrekullueshëm. Shqipëria sipas Bankës Botërore ka nivelin e pasurisë më të lartë në Ballkan për frymë popullsie 13,375 USD. Pastaj vjen Turqia me 12,845 USD/për frymë, Greqia me 12,546 USD/për frymë,Italia me 8,619 USD/për frymë dhe Gjermania 7,071 USD/për frymë. Vendi ynë ka një natyrë tejet të pasur duke u krahasuar me popullsinë që ka dhe me sipërfaqen për m2. Shqipëria i ka gjithë pasuritë natyrore që i duhen një vendi që të begatojë shtetasit e vet. Burimet natyrore me të cilat  Shqipëria është e pasur janë: nafta, gazi, qymyr guri, qymyr druri, mineralet e shfrytëzueshme si krom, bakër, guri dekorativ, mermeri, toka e pasur me pyje, kullota, ara për të prodhuar të shumëllojshmëri perimesh e frutash, detet, liqenet dhe lumenjtë e pasur me florë e faunë. Duke patur këtë pasuri jemi më të varfëritë. Pse? Shqiptarët duan vetëm të komandojnë, por jo të vetërregullojnë ekonominë e tyre. Sipas FMN të  ardhurat për frymë të popullsisë duke i krahasuar ato nisur nga viti 2016 në vitin 2018 u rritën me 1,061 USD (nga 4,200USD në vitin 2016, në vitin 2018 të ardhurat për frymë në vit shkuan 5261 USD). Që të rriten të ardhurat për frymë të popullsisë duhet një qeverisje e mirë dhe investime në fushat kryesore si arsim, infrastrukturë, bujqësi, blegtori dhe turizëm, fusha të cilat janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Mungesa e investimeve dhe menaxhimi i keq tek njëra fushë sjell pasoja edhe tek fushat e tjera. Thjesht drejtuesit të mendojnë për popullin e vet.

Financiere por dhe poete si erdhi poezia tek Havaja, kush ishte shtysa?

Mendoj se poet lind nuk bëhesh, thjesht duhet të përçosh tek të tjerët atë që ke brenda vetes. Dashurinë për poezinë e kam trashëguar nga im atë, por që e kultivova që herët në shkollë fal mësuesve të përkushtuar si Tefta Hoxha në shkollën tetëvjeçare dhe më  vonë në shkollën e mesme nga poeti Ilirian Zhupa të cilët më kanë dhënë mësim.

Cila ka qenë poezia e parë dhe kush e miratoi?

Poezia e parë titullohej “Vjeshta” dhe ka dalë në këndin e letrarëve të shkollës.

Pse ky titull në librin e parë?

Ka shumë gjëra që lindin natyrshëm, por ka edhe gjëra që ti dikton koha. Në të gjitha kohët, e përbashkëta është se dikush duhet ta sfidoj të keqen, për t’i lënë hapësirë të mirës të triumfojë. E mira idealja ose s’arrihet ose kur arrihet, arrihet gjithmonë me vështirësi, duhet t’i vijë ora që të realizohet. Pra ka më mirë se asgjë-ja.

Please follow and like us: