“Kurrë Më!”, Kosova zyrtare respekt për viktimat e Holokaustit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri, Ramush Haradinaj, kanë vendosur kurora në Pllakën Përkujtimore që kujton hebrenjtë kosovarë që u ekzekutuan gjatë Holokaustit
“KURRË MË!”.
Sot në Izrael është Dita e Përkujtimit të Dëshmorëve dhe Heronjve të Holokaustit. “Kujtoni dhe mos harroni gjashtë milionë hebrenj, burra, gra dhe fëmijë, që u masakruan nga nazistët gjatë Holokaustit.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë vendosur kurora në Pllakën Përkujtimore që kujton hebrenjtë kosovarë që u ekzekutuan gjatë Holokaustit, pikërisht në vendin ku ka qenë Sinagoga e fundit në Kosovë, deri në vitin 1963.
Shqipëria numëron 76 “Të Drejtë midis Kombeve”, të nderuar nga Shteti i Izraelit për kontributin e tyre të çmuar në shpëtimin e hebrenjve. Sot në të gjithë Izraelin dhe kudo ku ka hebrenj.
Janë disa familje kosovare që janë nderuar me çertifikatën e nderimit nga Shteti i Izraelit.
Në qershor 2018, familja Sharri nga Prizreni, Faik dhe Sabrije Sharri, u nderuan nga Shteti i Izraelit dhe Yad Vashem me certifikatën e nderit dhe dekoratën “Të Drejtë midis Kombeve”, e njohur ndryshe si “Righteous Among the Nations”, në një ceremoni dinjitoze të organizuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, me iniciativën e Bet Israel Kosovo dhe Ambasadës së Izraelit në Serbi, e që aktivitetin e saj diplomatik e shtrin si në Kosovë ashtu dhe Malin e Zi. Më parë ishte nderuar edhe Arslan Rezniqi.
Sot, në Izrael, në shenjë nderimi për viktimat e Holokaustit, për dy minuta të gjitha makinat ndalojnë dhe u bien borive, ndërkohë që qysh dje flamujt janë ulur në gjysmështizë.
Kampi i përqendrimit të Aushvicit është dhe më famëkeqi.
Vetëm disa shifra të frikshme.
Në gusht 1942, u deportuan në Aushvic dhe u mbytën me gaz 4100 fëmijë. Mbi 200 000 hebrenj u deportuan nga Franca, Holanda, Belgjika, Jugosllavia, Polonia, Çekia, Sllovakia, Austria dhe Gjermania. Mbi 70% u vranë sa mbërritën. Pasi në korrik 1942 Himleri urdhëroi “shpërnguljen” (shfarosjen) masive të getove polake, deri në fund të vitit 1942 u vranë rreth 2 milionë veta, 713 555 prej të cilëve dhanë shpirt në Treblinka. Në “dushet” e Aushvicit vriteshin me gaz 3000 vetë njëherësh.
“Kurrë më! – Never Again!”/izraeli sot/