Një brez, një rrugë; a duhet ta luajë edhe Shqipëria kartën kineze?
Burime diplomatike nga Pekini bëjnë të ditur se qeveria kineze ka shprehur pakënaqësi që Shqipëria nuk dërgoi një delegacion të nivelit të lartë në Forumin “Një brez, një rrugë”, të organizuar nga presidenti i Kinës në Pekin në 27 prill dhe ku morën pjesë rreth 40 kryetarë shtetesh dhe qeverish nga e gjithë bota, nga Italia e deri Rusia. Nuk ka informacion pse Shqipëria e trajtoi këtë forum diplomatik të nivelit të lartë botëror në mënyrë disproporcionale dhe madje nuk dërgoi as edhe një ministër në Pekin, ndonëse është anëtare në nismën kineze“Një brez, një rrugë”.
Presidenti kinez u ofroi të gjithë kryetarëve të shteteve dhe të qeverive, të pranishëm në forum, takime dypalëshe me të dhe Tirana humbi një rast për të biseduar me një nga njerëzit më të fuqishëm të botës dhe për të shprehur interesimin e saj për projekte kineze në Shqipëri në kuadrin e nismës gjigante “një brez, një rrugë”. Shteteve të vegjël si Shqipëria nuk u jepet shpesh rasti të takojnë këto nivele dhe të kenë mundësinë për t’i paraqitur presidentit kinez pikëpamjet e Shqipërisë për çështjet, që po ziejnë në Ballkan, dhe që kanë interes jetik për shtetin dhe për kombin tonë.
Forumi i lartë diplomatik i Pekinit u mbajt dy ditë përpara samitit të Berlinit, të thirrur nga kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti francez Makron me udhëheqësit e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe ku temë kryesore ishte çështja e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Presidenti i Serbisë, A. Vuçiç, i pranishëm në Forumin e Pekinit, u takua atje me presidentin e Kinës dhe erdhi në Berlin, duke pasur mbështetjen kineze për politikën e mosnjohjes së Kosovës. A nuk do të kishte qenë mirë që presidenti kinez të dëgjonte edhe kambanën shqiptare për këtë çështje, që t’i kërkonte atij njohjen e Kosovës?
Shqipëria duhet të ketë parasysh se marrëdhëniet me Kinën po marrin një rëndësi gjithnjë e më të madhe, sa më shumë Kina avancon marrëdhëniet dhe praninë e saj në të gjitha rajonet e botës. Periudha e tanishme shënon sidomos një fazë të re të politikës dhe të peshës së Kinës në Ballkan dhe një ritëm dhe dimension të paparë të projekteve dhe investimeve të saj në rajonin tonë. Mund të thuhet se Kina është bërë një shtet europian dhe një shtet ballkanik për nga shkalla e ndikimit dhe e interesit, që ka ngjallur për bashkëpunimin me të. Në 11-12 prill në Dubrovnik u zhvillua samiti i programit kinez “16 plus një”, që përfshin 16 vendet ish-komuniste të Europës Lindore e Qendrore plus Kinën.
Ka një fenomen, që duhet patjetër të tërheqë vëmendjen dhe konsideratën e shtetit dhe të diplomacisë së Shqipërisë. Ka një interes dhe kujdes të veçantë të të dy projekteve shumëkombëshe të Kinës për dy shtete rivale gjeopolitike historike të shtetit dhe të kombit shqiptar, Serbinë dhe Greqinë.
Në kuadër të fondit të projekteve kineze për programin “16 plus një”, që kap shifrën prej 12 miliard dollarë për 16 shtetet anëtare, deri në vitin 2017 pjesën e luanit Pekini ia ka kushtuar Serbisë, e cila ka marrë një të tretën e shumës, 21 për qind e ka marrë Bosnja dhe 7 për qind Mali i Zi. Nga pikëpamja strategjike çështja shtrohet se angazhimi i madh kinez në planin ekonomik dhe infrastrukturor në Serbi nuk e ka bërë atë shtet më racional dhe me paqësor në raportet me shtetet e tjera të rajonit. Madje e ka bërë më agresiv, gjë që në fund të fundit mund të krijojë rreziqe për vetë projektet dhe investimet kineze në Serbi. Por kush tjetër më mirë se Shqipëria duhet t’ia bëjë të njohur udhëheqjes kineze efektet kontra produktive të angazhimit specifik dhe preferencial kinez me Serbinë?
Përballë disekuilibrave gjeopolitikë, që po krijohen dita-ditës në Ballkan, është e këshillueshme që Shqipëria të rishikojë dhe të rivlerësojë politikën e saj kundrejt Kinës, për ta bërë më aktive dhe më bashkëpunuese. Shqipëria nuk ka ditur ta përdorë kartën kineze dhe koha ka ardhur të hyjë me guxim në lojërat e komplikuara diplomatike, që po lozin shumë shtete ballkanike me faktorët jashtë ballkanikë. Përvoja e deritanishme tregon se Shqipëria e të dy llojeve të qeverive nuk ka bërë në masën e duhur për të parashtruar në Pekin rolin e ri të faktorit shqiptar në Ballkan.
Një fuqi botërore si Kina, e cila projekton edhe në Ballkan projekte kaq të mëdha dhe të kushtueshme, do të ishte e interesuar të njihte nga shumë plane implikimet dhe komplikimet e sigurisë rajonale, të raporteve nacionale, etnike, demografike, kulturore, historike, gjeopolitike rajonale, etj. Është një fushë interesi diplomatik dhe gjeopolitik, ku Shqipëria do të duhej të kishte bërë përçapje të mëdha në drejtim të Pekinit. Nuk duhet harruar se veçori e politikës së jashtme të Kinës është karakteri globalist i saj, si në rrafsh ndërkombëtar, ashtu dhe në rrafsh rajonal. Që do të thotë se Kina ka interes për të gjitha shtetet në rajon. Por edhe në planin gjeoekonomik dhe gjeostrategjik Shqipëria, si shtet me dy dete, duhet të kishte punuar fort për të qenë atraktive për projektet infrastrukturore kineze të lidhjeve me Europën. Shqipëria ka një traditë të pasur dhe një kapital të pashfrytëzuar diplomatik të marrëdhënieve me Kinën, të cilat nuk ka ditur t’i përdorë me realizëm. Nuk duhet harruar se Kina ka kaluar periudha të vështira të izolimit ndërkombëtar, kur Shqipëria ka qenë aleati i vetëm në marrëdhëniet e saj me botën e jashtme. Duke lënë mënjanë karakterin ideologjik të kohës, shtetet ruajnë dhe përdorin përvijimet shtetërore të marrëdhënieve.
Një element tjetër i ri i zhvillimeve të reja të politikës ballkanike të Kinës është anëtarësimi i Greqisë në projektin kinez “16 plus një”, që ndodhi në 12 prill, në samitin e Dubrovnikut. Është hera e parë që Kina përfshin një shtet europian jo ish-komunist në grupimin e saj me vende ish-komuniste. Anëtarësimi i Greqisë e prish skemën, por shënon forcim të politikës ballkanike të Kinës. Nëse shtetet ish-komuniste të grupimit “16 plus një” dikur përfshiheshin në perandorinë komuniste sovjetike dhe Kina e inkuadroi këtë hapësirë në programin e saj, tani Kina futet në hapësirën ballkanike të Europës nëpërmjet Greqisë.
Projekti kinez me anëtare Greqinë mori emër të ri dhe quhet tani “17 plus një”. Kjo padyshim forcon pozitat e Kinës në Greqi dhe në Ballkan, “një lëvizje, shkruan gazeta kineze “South China Morning post”, që duket se do rrisë ndikimin e Pekinit në rajon”. Por edhe Greqia po përpiqet ta përdorë angazhimin kinez në funksion të ambicieve të saj rajonale. Kryeministri i Greqisë, A. Cipras,i cili ishte në Pekin në Forumin e presidentit kinez, deklaroi se anëtarësimi në grupimin “16 plus një” është në përputhje me dëshirën e Greqisë për të forcuar rolin e saj në rajon. Kjo do të thotë rritje e pretendimeve të Athinës për ndikim rajonal dhe në radhë të parë ndaj fqinjëve.
Shqipëria nuk mund të rrijë indiferente ndaj një procesi, i cili forcon në Ballkan dy shtete, Serbinë dhe Greqinë, rivale gjeopolitike të shtetit dhe të kombit shqiptar, të cilat nuk e njohin Kosovën dhe ndjekin strategjinë e neutralizimit të rolit të faktorit shqiptar në rajon. Natyrisht Shqipëria si shtet i vogël i ka të kufizuara hapësirat për të ndikuar në projektet dhe në strategjinë rajonale kineze. Në Ballkan të gjithë janë shtete të vegjël, me përjashtim të Turqisë. Por Shqipëria duhet të jetë e pranishme në forumet, nismat dhe projektet kineze dhe t’i japë dinamizëm të ri raporteve midis dy shteteve tona, të cilat sivjet festojnë 70 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Shqipëria duhet të mësohet të përdorë edhe kartën kineze në politikën e saj të jashtme dhe të avancojë marrëdhëniet e saj me Kinën. Nuk është e para në Europë që do ta bëjë këtë. Me Kinën po i avancojnë marrëdhëniet në planin dypalësh në të gjitha fushat shumë vende europiane anëtare të BE dhe të NATO-s.
Nëse BE si organizatë ka shprehur kohët e fundit shqetësim përsa i përket rritjes së investimeve dhe të ndikimit kinez në Ballkan, BE duhet të jetë e ndërgjegjshme se në radhë të parë kjo vjen nga vakuumi, që vetë Europa ka krijuar në Ballkan, duke vonuar dhe duke shtyrë vazhdimisht integrimin e vendeve të Ballkanit në BE. Shqipëria është një shtet i vogël, që duhet të ndjekë një politikë të jashtme shumëvalente. Kjo do të thotë se duke i qëndruar besnike aleancave strategjike me SHBA, me NATO-n dhe me BE, duhet të zhvillojë marrëdhënie gjithnjë e më miqësore edhe me shtetet e tjera të mëdha dhe me qendrat e tjera botërore të fuqisë. Kjo do të thotë që duhet t’i kushtojë vëmendje më të madhe marrëdhënieve me Kinën dhe të mos përsërisë më gabimet e humbjes së shanseve të niveleve më të larta të kontaktit politik me të./gazeta dita/