Tjetër rrjedhje nga radhët e PD, Rryçi, Ypi dhe Papa pranojnë mandatin e deputetit
Tre kandidatë nga listat shumëemërore të Partisë Demokratike kanë dorëzuar këtë të enjte formularin e dekriminalizimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Mësohet se tre kandidatët, të cilët synojnë marrjen e mandatit të deputetit janë; Krenar Rryçi, kandidat për qarkun e Durrësit, Kostaq Papa, kandidat për qarkun Tiranë dhe Ares Ypi, kandidat po në qarkun e kryeqytetit. Ky është hapi i parë, që kandidatët bëjnë në rrugën deri në betimin në Kuvendin e Republikës, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të verifikojë paraprakisht emrat dhe veprimtaritë e tyre. Aktualisht pushteti legjislativ përbëhet nga 108 deputetë. Në pritje për mandatin janë: Kujtim Gjuzi PD Durrës, Koço Tahiri PD Korçë, Indrit Hoxha PD Tiranë, Krenar Rryçi PD Durrës, Kostaq Papa PD Tiranë, Ares Ypi PD Tiranë. Pas marrjes së mandatit në KQZ, ata pritet të bëjnë betimin në Kuvend në seancën e javës së ardhshme.