Viktimat e luftës së Kosovës, në kërkim të drejtësisë
– Në Kongresin Amerikan-Viktimat e luftës së Kosovës, Në kërkim të drejtësisë/
Pranimi i Përgjegjësisë i hap rrugën Paqes e Pajtimit /
Seanca e Posaçme e Komisionit të Kongresit Amerikan për Marrëdhëniet e Jashtme/
NGA WASHINGTONIPWR GAZETWN “DIELLI”: RAFAELA PRIFTI/
Uashington DC – Përfaqësues të Komisionit për Marrëdhëniet e Jashtme të Kongresit amerikan, drejtuar nga kongresisti Elliot Engel mbajtën seancë të posaçme ” Viktimat e luftës së Kosovës – Në kërkim të drejtësisë “. Folësit e ftuar në seancë ishin Shkëlqesia e saj, dhe zëdhënësja e viktimave të dhunës seksuale ushtruar gjatë luftës, z. Atifete Jahjaga, Profesori i të Drejtës Ligjore dhe Marrëdhënieve Ndërkombetare nga American University Professor Dr. Paul Williams, Ilir Bytyqi nga familja Bytyqi dhe znj. Vasfije Krasniqi- Goodman. Në sallën e punimeve të Komisionit Parlamentar gjendeshin përfaqësues të trupit diplomatik të Republikës së Kosovës, Ambasadoresha Vlora Çitaku, dhe Konsullja e Përgjithshme Teuta Sahatqija, anëtar i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut z Mark Gjonaj, promotorë e figura me ndikim të komunitetit z. Harry Bajkrari, drejtues të shoqatave të cilat ishin në ballë të kësaj nisme si Shoqata e Grave Motrat Qiriazi, Marigona, dhe dhjetra Organizata të bashkëngjitura si Albanian Roots, Federata Vatra. Ish-kryetari i Vatres Dr. Gjon Buçaj, anëtari i Kryesisë Marjan Cubi, anëtari i Bordit Ismer Mjeku, Mal Berisha, ishin të pranishëm. Transmetimi i seancës u përcoll nga rrjete eletronike, televizione të komunitetit si edhe platforma të tjera. (Lista më e plotë e shoqatave dhe mediave do të jetë në kronikën e ardhshme).
Pas dy dhjetëvjeçarëve, “viktimat e luftës së Kosovës kërkojnë drejtësi”, tha krytari i Komisionit Parlamentar Eliot Engel. Me statistikat e dokumentuara nga Humanitarian Law Center dhe Human Rights Watch, ai tha se instancat e instaluara nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët për zbatimin e drejtësisë kanë qenë inefektive. Dhe ç’është më keq e kanë dëmtuar mbarëvajtjen e drejtësisë duke krijuar një ekuivalence fallco. Këtu qëndron rëndësia e seancës së sotme, përfundoi z. Engel, që këtej e tutje drejtësia e mohuar të kryhet pa kompromis.
Permbledhtazi Profesori Paul Williams analizoi arsyet pse tribunalet e ngritura si edhe gjykatat speciale nuk kanë efektive sepse qenë ndërtuar mbi baza etnike dhe si të tilla të paafta për të ndëshkuar autorët e krimeve të regjimit serb të Milosheviçit. Ai e vuri theksin te bashkëpunimi midis administratës amerikane dhe kosovare për të adresuar çështjen e përgjegjësisë ndaj të gjitha krimeve të luftës në Kosovë përfshirë dhunimin seksual si pjesë e saj.
Ilir Bytyqi, i cili flet në emër të familjes dhe vëllezërve të tij, shtetas amerikanë të vrarë, tha se dëshmia e tij ka vetëm një mesazh: viktimat nuk mund të lihen në harresë!
Ai kërkoi nga Komisioni të miratojë rezolutën HR 32, si edhe ju bëri thirrje politikanëve serb të kthejnë kursin e deritanishëm.
Dëshmia e znj. Vasfije Krasniqi- Goodman e cila ka përjetuar dhunën seksuale gjatë kohës së luftës, ishte shprehje e ngadhënjillimit personal. Ajo tha se Kongresi Amerikan duhet të veprojë pa hezitim në emër të viktimave që kërkojnë drejtësi.
Kronika e plotë si edhe pyetjet e anëtarëve të kryesisë së Komisionit Parlamentar për panelin do të botohet në vijim.