Albspirit

Media/News/Publishing

ALEKSANDËR MOISIU, NJERIU DHE ARTISTI

Image result for alfred moisiu

ALFRED MOISIU*

*Ish-President i Republikës së Shqipërisë (2002-2007)

Kur isha në detyrën e kryetarit të shtetit, disa herë e kam ndjerë veten ngushtë, kur personalitete të shquara të huaja më pyesnin se ku është muzeu i Aleksandër Moisiut. Aleksandri e ka një dhomë në Muzeun Etnologjik të Durrësit, por është një dhomë që në vitin 1970 iu kushtua kësaj figure dhe vetëm kaq. Sigurisht vendin e kishte dhe e ka në Kavajë, pasi atje ka qenë trungu i Moisijve, por për arsye të asaj kohe u vendos të qëndroj në Durrës.

Në vitin 1993, isha në Lugano të Zvicrës, në kuadrin e një simpoziumi dedikuar figurës së Moisiut, nxitur nga një grup emigrantësh kosovarë, mbështetur nga z.Pacolli. Në këtë kuadër pata një takim me Kardinalin e Luganos, i cili më tha: “Unë tani vonë kam marrë vesh se Nënë Tereza është shqiptare, sot po dëgjoj se edhe Aleksandër Moisiu qenka po ashtu shqiptar, dhe po befasohem që nga ju kanë dalë këto personalitete të shquara. Mos më keqkuptoni por ju them se bëni shumë pak për të prezantuar njerëzit tuaj eminentë në botën fetare dhe artistike”.

Këto fjalë i kam pasur parasysh në vazhdimësi, por veçanërisht kur isha në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës si dhe më vonë. Për fat të keq, pak ose aspak kanë lëvizur organet kompetente shqiptare për ta mbushur një boshllëk të tillë.

Shumë përpjekje janë bërë nga Fondacioni “Moisiu” për të pasur ndonjë lëvizje në këtë drejtim, por deri tani asgjë. Këtë nisëm e sotme e vlerësojmë si një kthesë.

Për jetën e Aleksandrit ka pasur shumë shkrime dhe libra, si në vendin tonë ashtu edhe jashtë. Ndër ta, dhe gjermani Rüdiger Schaper, libri i të cilit është botuar edhe në shqip më 2005. Është studiuesja ruse Konstandina Busheva. Është një libër në gjermanisht botuar që në vitin 1927, vetëm në 250 kopje, ku janë shumë foto interesante të jetës së Moisiut dhe thënie e komente të personazheve të njohur të artit dhe kulturës botërore.

Moisiu u fut në teatër rastësisht, pasi e patën deklaruar të paaftë për këtë zhanër. Kjo ndodhi në një natë kur duhej të shfaqej “Tartufi” i Molierit, njëri nga aktorët kryesorë u sëmur dhe atë e zëvendësoi Moisiu. Ishte aktrimi i tij në këtë shfaqje në Burgteater në sezonin 1899/1900 që e mahniti, e magjepsi aktorin e famshëm austriak, Jozef Kainz.

Kurse në Teatrin Gjerman në Berlin, ka gëzuar përkrahjen dhe patronazhin e regjisorit të njohur Max Reinhardt (1873 – 1943)

Gruaja e parë e Moisiut ka qenë aktorja Maria Urfus, ndërsa e dyta, aktorja Johanna Terwin (1884-1962). Moisiu i ka patur dy vajza: Beate Moissi (1908-1998) aktore dhe shkrimtare dhe Bettina Moissi (1923- jeton), aktore. Bettina ka qenë e martuar me koleksionistin e famshëm të artit, Heinz Berggruen, ndërsa djali i saj është financieri dhe filantropisti i njohur për bamirësi, Nicolas Berggruen (1961), i cili jeton në Gjermani dhe SHBA.

Shumë njerëz të shquar kanë bërë deklarata për Moisiun. Po përmend disa.

Max Brod (1884-1968) është shprehur: “Hamleti është shkruar për Moisiun”.

Ndërsa shkrimtari Franc Kafka (1883-1924) është shprehur: “Zëri dhe xhestet e Moisiut na shfaqen si diçka e paparë deri tani në skenën europiane”. Artisti gjerman Gedeon Burkhard (1969) është stërnipi i Aleksandër Moisiut.

Gazeta “Daily Mail” e vlerësonte Moisiun si “Njeriu me zërin e artë” (Londër, 24 maj, 1930), ndërsa gazeta “New York Evening Post” e quante “Moisiu i zërit të famshëm” (14 nëntor, 1927).

Luigji Pirandello (1867-1936) është shprehur: “I bëj homazhe Moisiut, të cilit përjetë i jam mirënjohës si një nga interpretuesit më brilantë të karaktereve të mia.

“Një artist dhe njeri kaq i madh sa Moisiu, i përket gjithë botës” – është shprehur regjisori i njohur rus, Konstantin Stanislavski (1863-1938).

Edhe pse Moisiu kryesisht njihet si aktor i skenës, ai nga viti 1910 e deri në 1935, ka luajtur edhe në dhjetë filma, shtatë prej të cilëve kanë qenë pa zë. Moisiu ka shkruar edhe një dramë, “I burgosuri”, që bën fjalë për vitet e fundit të jetës së Napoleonit në ishullin Shën Helena.

Moisiu gjithmonë e ka shprehur me krenari prejardhjen e tij kombëtare shqiptare. Sa herë që ka patur mundësi, është takuar me bashkatdhetarët. Janë të njohura takimet e tij të ngrohta me shqiptarët e Bukureshtit. “Shqipëria është vendi që aq shumë e dashuroi Moisiu” –ka thënë zonja e tij Johanna Terwin – Moisiu.

Ky tipar i tij është tepër i rëndësishëm, aq më tepër në kohën e sotme, kur ne kemi mijëra emigrantë jashtë, por jo të gjithë ruajnë të njëjtin imazh për vendin dhe prejardhjen.

Në Shqipëri kemi rrugë, shkolla dhe institucione artistike me emrin e Mosiut. Po kështu në Vjenë, një rrugepranë Danubit i është vënë emri i Moisiut. Në një lulishte pranë saj, në vitin 2005, gjatë vizitës time zyrtare në Austri, është vendosur busti i Aleksandër Moisiut, vepër e skulptorit shqiptar Qazim Kërtusha.

Ne presim që të rritet vëmendja dhe kujdesi për figurat tona të mëdha.

Please follow and like us: