Ambasada Amerikane në Tiranë, mesazh në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit
Ambasada Amerikane në Tiranë ka shpërndarë një mesazh në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.
Përmes rrjeteve sociale, selia diplomatike apelon për reflektim nga të gjithë.
“Dita Botërore e Lirisë së Shtypit shërben si një kujtesë për qeveritë dhe politikanët që të bëjnë punën e tyre për të forcuar lirinë e fjalës.
Është gjithashtu edhe një ditë reflektimi për profesionistët në media mbi çështjet e lirisë së shtypit, etikës profesionale dhe integritetit”,- shkruan Ambasada.
Më tej në reagimin e saj në Facebook, Ambasada thekson se në këtë ditë duhet reflektuar për të mbështetur mediat dhe gazetarët, të cilët shpesh kanë rënë pre e dhunës, censurës dhe kërcënimeve.
“Në të njëjtën kohë, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është një ditë për të mbështetur mediat dhe gazetarët që janë shënjestra të censurës, kërcënimeve dhe dhunës”,- përfundon reagimin e saj Ambasada Amerikane.
Shqipëria renditet në vendin e 82-të në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij.