Sonila Meço: 3 maj, Dita e Lirisë së Shtypit
Vendosur nga dita e publikimit të Deklaratës së Windhoek: “Parimet e shtypit të lirë sipas gazetarëve afrikanë”. Një punë serioze, e gjatë, e paqme e gazetarëve afrikanë në vitin 1991, prezantuar në një seminar të UNESCO-s në Namibi, për të adresuar problemet e mëdha të shtypit asokohe, censura, autocensura, autoritarizmi, dhuna politike, shantazhet, pagesat jo të mira, trajnimet e munguara të gazetarëve. Deklarata thërret për një shtyp të lirë, të pavarur dhe pluralist.
Një mënyrë e thjeshtë për ta kremtuar në Shqipëri në 2019-ën do qe një deklaratë e përbashkët e gazetarëve pas një pune të paqme, ku konteksti në të cilin punohet, parimet, që shkelen të pasqyrohen qartë e të dënohen, e ato që duhet të respektohen, me çdo kusht të vlejnë njëlloj për çdo gazetar, në çdo logo televizive. Se konteksti me censurë, autocensurë, autoritarizëm, shantazhe, pagesa të vonuara e munguara, është po ai.
Që të gjykoni vetë për gjendjen ku është media në Shqipëri: E ndjeni median si “qenin roje” të interesit publik, e ndjeni si urë mes vetes dhe qeverisjes? Apo qen në oborrin e pushtetit dhe urë të qeverisë?
Media sot është pjesërisht e lirë, sipas raporteve ndërkombëtare, u heq kapelen kolegëve, që e ushtrojnë jo pa kosto lirinë e tyre. Atyre që e kanë bërë deklaratën e tyre të Windhoek e sot janë të papunë, të frustruar, ose me pak hapësirë, atyre që ende nuk e kanë bërë, por kanë ndërmend ta bëjnë, apo kanë vendosur të mos përfitojnë asgjë nga pushteti. Atyre që e kanë bërë deklaratën e Windhoek, duke zgjedhur misionin e duke krijuar hapësira të reja virtuale komunikimi, atyre që nuk e bënë një herë një deklaratë, por zgjodhën të mos punojnë më në vendin ku misioni i tyre merrte fund, atyre që braktisën misionin, sepse nuk donin të bënin thjesht një punë e morën drejtim tjetër në jetë.
Një deklaratë sot mund të mos lexohej në shumicën e mediave nga spikerët e lajmeve, por një deklaratë e përbashkët, e punuar seriozisht, e mirmenduar, e paqme, sot do lexohej mirë e mirë në zyrat nga ku vendosen pa të drejtë fatet e gazetarëve. Për t’u dridhur nga “qentë roje”, që i prisnin jashtë dyerve.
Të guxonin mandej të pohonin se “qeni që leh nuk të ha”…