Mënyra se si ministritë e regjimit iranian kryejnë terrorizëm
Shahriar Kia
Zyra në SHBA e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI-US) ka mbajtur një konferencë për shtyp për të shpjeguar partneritetin e ngushtë midis Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit për sa i përket planifikimit dhe realizimit të operacioneve terroriste jashtë vendit. Zëvendës Drejtori i NCRI-US, Alireza Jafarzadeh, diskutoi me detaje pse Irani vendos të kryejë veprimtari terroriste në tokën europiane në një pikë kaq kritike të diplomacisë dhe politikës, si funksionon procesi i vendim-marrjes, çfarë roli luan Lideri Suprem Ali Khamenei, cilat agjensi janë të përfshira, si dhe lidhjen midis MOIS dhe Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Ky event, i moderuar nga Ambasadori amerikan Adam Ereli, u bë me rastin e publikimit të librit më të fundit të NCRI-US, “Emisarët Iranianë të Terrorit: Si e drejtojnë ambasadat e mullahëve rrjetin e spiunazhit dhe vrasjeve”. Në 2018-ën pati një shtim të madh të komploteve terroriste iraniane në tokën perëndimore, dhe Jafarzadeh diskutoi në mënyrë specifike 10 incidente të ndodhura në SHBA, Britani, Gjermani, Danimarkë, Hollandë, dhe Shqipëri. Ai vuri në dukje se këto akte nuk janë kryer nga elementë vagabondë, por janë planifikuar në nivelet më të larta të qeverisë iraniane, duke përfshirë Khamenei-n. Një nga diplomatët e Regjimit në Vienë ndodhet aktualisht i burgosur për rolin e tij në sulmin e mbetur në tentativë në Francë në qershor 2018, ndërsa pesë “diplomatë” të tjerë janë përjashtuar nga vendet europiane dhe disa agjentë të MOIS janë arrestuar me akuza terrorizmi dhe spiunazhi. Jafarzadeh tha: “Irani ka pesë vendim-marrës kryesorë, por fjalën e fundit e thotë gjithmonë Udhëheqësi Suprem, Khamenei… Agjensia kryesore e përfshirë në terrorizëm në vendet perëndimore është Ministria e Inteligjencës (MOIS)”. Vendim-marrësit përfshijnë:
- Këshillin Suprem të Sigurisë Kombeëtare, që kryesohet nga Presidenti Hassan Rouhani,
- MOIS
- Organizatën e Inteligjencës të IRGC-së
- Njësinë 400 të Forcës Quds të IRGC-së
- Ambasadat e regjimit
Si mund ta trajtojë këtë kërcënim Perëndimi? Duke përjashtuar agjentët dhe diplomatët iranianë, duke mbyllur ambasadat iraniane, duke sanksionuar eksportet iraniane, dhe duke futur në listën e zezë IRGC-në dhe MOIS-in. Jafarzadeh tha: “Ambasadat ofrojnë mbulim për MOIS duke i lejuar ata të shfrytëzojnë imunitetin diplomatik & pakot diplomatike në mënyrë që të kryejnë sulme terroriste. Kur terroristët kapen, detyra e tyre është ta shtrembërojnë të vërtetën dhe t’i rikthejnë terroristët e tyre në Teheran”. Ai vazhdoi: “Ne bëjmë thirrje për mbylljen e ambasadave të regjimit iranian. Këto lidhje diplomatike e kanë lejuar regjimin të planifikojë sulme terroriste dhe vrasje në Perëndim”.