Albspirit

Media/News/Publishing

Shqiptarja kandidate në zgjedhjet e Bashkisë së Bergamos, Itali

Jam Borana Tartari, kandidate për këshilltare në zgjedhjet e Bashkisë së Bergamos në datën 26 maj 2019, ku do votohet për rizgjedhjen si kryetar bashkie të Giorgio Gorit.

Jetoj prej 2005 në Bergamo, kohë kur m’u desh të lë Tiranën, miqtë dhe eksperiencat e deriatëhershme në televizion, teatër dhe në shkollën e artit “Sirea Film” për të ndjekur një ëndërr më të madhe atë të regjizurës, ëndërr që u trasformua në diçka tjetër për shkak të vështirësive e sakrificave që çdo shqiptar emigrant, student, i huaj has në fillimet e tij në një vend të huaj!

Mes studimeve për juridik dhe punëve të rëndomta që më është dashur të bëj, ndjeja brenda vetes çdo herë e më shumë sikur dritat e shpresave për të ndjekur ëndrrat e për t’i realizuar sa vinin e shuheshin dhe që ajo dëshira për të krijuar personazhe ne mizanskena të ndryshme, ishte spostuar tanimë në jetën reale, e unë vetë jetoja në një film të tillë, si të giithë bashkëkombësit e mi të larguar për “një jetë më të mirë”, por që më dukej pa fund të lumtur!

Pas sfidash të shumta, në 2013 bëhem pjesë e shoqatës “Sconfinando” e aty nisa të shoh sa shumë shqiptarë më rrethonin në komunitetin e Bergamos, realitet që s’kisha parë më parë; aty pashë forcën e një gruaje të jashtëzakonshme që më motivoi për të vazhduar përpara duke më bërë pjesë të ekipit të saj!

Nga ai çast nisa të njoh në mënyrë të detajuar ligjet e emigracionit, nisa të studioj gjithçka më duhej për të qenë sa më e kujdesshme në ndihmën ndaj komunitetit shqiptar e jo vetëm, në kërkesat për leje qëndrim, për shtetësinë italiane dhe për çdo lloj kërkese që ka të bëjë me burokracinë dhe jo vetëm; por puna jonë nuk është bazuar vetëm në komunitetin e Bergamos, gjatë këtyre viteve falë profesionit tim si mediatore kulturore, kam përjetuar vuajtjen e dhjetra familjeve shqiptare të cilët në dëshpërimin më total, janë nisur drejt Italisë për të shpëtuar jetën e femijeve të tyre nga sëmundje të frikshme si leuçemi, kancer, trapiante të ndryshme, sëmundje gjenerike etj, dhembja e prindërve për fëmijët, e nganjëherë dhe e bashkëshortëve e familjarë ndaj të dashurve të tyre më kanë bërë të jem më e fortë dhe më këmbëngulëse në dëshirën time për të ndihmuar ata që kanë nevojë! S’kanë qenë të pakta rastet, kur falë ndihmës të njerëzve të rëndësishëm të këtij qyteti, kam trokitur në dyert e drejtuesve të kuesturës, të drejtorëve të spitaleve për të shpejtuar burokracinë e për të shpëtuar një jetë më shumë! E gjitha kjo në heshtjen më të thellë të autoriteteve tona!

Kjo betejë e përditshme ndaj vështirësive të integrimit të komunitetit që jeton prej vitesh në Bergamo, por dhe ndaj shqiptarëve të sapo ardhur, por edhe të shqiptarëve të burgosur në burgun e Bergamos, më kanë bërë të kuptoj që integrimi është një proces pa fund, është një zinxhir që pasurohet me hallka, por që s’ka një fund!

Janë këto eskperienca në diemnsionin social e në kontaktin e përditshëm me njerëzit, që bënë të mundur bashkëpunimin e shoqatës ku unë bashkëpunoj me Komunën e Bergamos dhe vlerësimi i tyre ndaj punës sonë ishte motivi i nisjes së bashkëpunimit me “forumin e grave të PD, Bergamo” e me presidenten e Këshillit të Komunës në projekte të ndryshme, bashkëpunim që solli propozimin nga ana e tyre që një prej figurave të shoqatës të ishte pjesë e zgjedhjeve lokale!

Përfaqesimi im në këto zgjedhje më lumturon, më bën të ndjehem krenare për vlerësimin e punës sime, më bën të ndjehem krenare ndaj familjes, bashkëshortit tim e dy fëmijëve të mi të vegjel Christian e Amla Sophie, por mbi të gjitha pasi unë nuk përfaqësoj vetëm veten si individ, por punën e një grupi e një ekipi që në këto vite ka dashur t’i qëndroj pranë gjithmonë komunitetit shqiptar, pa i vënë kufizime oraresh problemeve të tyre!

Në asnjë moment s’kam qenë në kërkim gjatë këtyre viteve të një kandidature, por gjithmonë kam ngritur zërin mbi nevojën që komuniiteti shqiptar dhe ai i huaj në përgjithësi duhet të kishte në vendimarrjen në një qytet ku ata janë të rëndësishëm në numër, gjithashtu edhe për punën që bëjnë, aktivitetet e ndryshme që kanë!

Sot më është dhënë kjo mundësi, që e shoh si mundësinë të gjithë komunitetit si një fitore më shumë!

Ndaj të gjithë shqiptarëve që kam njohur në këto vite, por dhe atyre që s’kam pasur mundësinë të njoh, i ftoj të votojnë më datë 26 maj, asnjëhere votat nuk mund të quhen të shpërdoruara, vota është një mision që vjen nga bindja dhe eksperienca e gjithësecilit prej nesh, është pjesë e pluralizmit politik dhe elektoral, e unë s’dua të detyroj vendimet e askujt, por dua të ftoj komunitetin tim të më ndihmojë, të na ndihmojë të vazhdojmë misionin tim për të qenë gjithmonë pranë tyre, por tani për të qenë më të pranishëm në vendimarrje!

Ju faleminderit, Bora.

Please follow and like us: