Ismail Xhaferi: Një këngë dashurie për Gjirokastrën…
Për të gjithë ata që janë larguar nga vendlindja
Në këtë natë të bukur me yje,
Kur gjithçka më duket e kaltër,
Do shaloj në kalë prej resh,
Dhe do të shkoj në Gjirokastër.
Do të vrapoj në Gjirokastër,
Që mbi shkëmb sikur ka mbirë,
Të marr pak ujë kristal Viroi,
Ta mbaj në xhep si një pasqyrë.
Do pikturoj kudo qytetin,
(Të gjithë përmbi pëllëmbë të dorës)
Një vjershë do shkruaj për Çercizin,
Mbi fletë, nga rrapi Mashkullorës.
Do të vrapoj në Gjirokastër,
Në këtë natë magji me yje,
Do të çoj hënën e Çajupit,
Ku ka konkurse bukurie…
Do të vrapoj në jug të vendit,
Në Lunxhëri do mbledh ca çaj,
Të dehem nga aromë e tij,
Dhe nën jastëk çdo natë ta mbaj.
Do të vrapoj në Gjirokastër,
Do shkel çdo çdo gur, çdo fije bar,
Do të mbledh mallin nëpër vite,
Ta mbyll në zemër e ta marr…
Në këtë natë të bukur me yje,
Kur gjithçka më duket e kaltër,
Do shaloj një kalë prej resh,
Dhe do shkoj në Gjirokastër…