Albspirit

Media/News/Publishing

Aeroplanmbajtësja amerikane niset papritur drejt Iranit

Marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është tensionuar në mënyrë të papritur. Me një vendim urgjent Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se aeroplanmbajtësja “USS Abraham Lincoln” do të dërgohet menjëherë në Gjirin Persik. “Në përgjigjje të një numri të paralajmërimeve shqetësuese, Shtetet e Bashkuara do të pozicionojnë një anije transportuese dhe një taskë-forcë për bomba në rajonin e Komandës Qendrore amerikane”, ka thënë Këshilltari për Siguri Kombëtare, John Bolton përmes një deklarate. Bolton ka thënë se angazhimi ushtarak në këtë zonë, që përfshin Lindjen e Mesme, ka për qëllim të dërgojë “një mesazh të qartë për regjimin iranian se çdo sulm ndaj interesave të Shteteve të Bashkuara apo të ndonjë prej aleatëve tanë, do të përballet me një forcë të ashpër”. Në deklaratë nuk është përmendur nëse dërgimi i këtyre pajisjeve nënkupton se ky vendim do të nisë së zbatuari menjëherë, mirëpo vjen në kohën kur Uashingtoni ka rritur presionin ndaj Qeverisë iraniane pasi synon t’iu japë fund atyre që i cilëson si aktivitete “të dëmshme” në rajon. Ende nuk është bërë e ditur në mënyrë specifike çfarë lloje sulmi ose rreziku Irani mund të përfaqësonte për Shtetet e Bashkuara, por burimet ushtarake flasin për sinjale të qarta, që kanë justifikuar një vendim të komplikuar, siç është lëvizja e një mjeti luftarak aq të rëndësishëm sa një aeroplanmbajtëse. Kujtojmë se Shtetet e Bashkuara janë tërhequr tashmë nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015, dhe më pas ka rivendosur sanksionet që shënjestrojnë naftën iraniane, transportin dhe sektorin bankar. Trump ka konsideruar se marrëveshja ka pasur shumë mangësi, pasi nuk ka përfshirë programin e raketave balistike të Iranit dhe mbështetjen e këtij shteti për disa rrjete në Siri, Jemen, Liban dhe Irak. Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka njoftuar së fundmi se vendet aleate që vazhdojnë të blejnë naftën iraniane, rrezikojnë të përballen me sanksionet e SHBA-së, ndërsa po ashtu ka shpallur Gardën Revolucionare të Iranit, si organizatë terroriste, duke shënuar herën e parë që Uashingtoni ka futur në këtë listë një institucion të huaj shtetëror.

Please follow and like us: