Agron Tufa i përgjigjet Edi Ramës: Mos iu zërë besë enveristëve
Studiuesi dhe shkrimtari Agron Tufa i ka kthyer përgjigje kryeministrit Edi Rama, i cili është përfshirë në debatin për krimet e komunizmit. Pas deklaratës së kryeministrit, një ditë më parë, ku paralajmëronte marrjen e masave për Drejtorin e Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ku i fundit thotë se Rama, nuk duhet t’u zërë besë enveristëve përreth tij. Tufa shkruan se puna e institutit që ai drejton nuk i sjell dëm askujt, pasi në çdo aspekt respektohet vetëm ligji.
REAGIMI I PLOTÊ
Nëqoftëse ndërmjetës qenka Ligji dhe respektimi i tij, atëherë qenkemi krejtësisht në rregull, vetëm se Kryeministrin e paskan rrêjt dhe rrêjt besa keq. Siç thoshte poeti i ndjerë Ali Podrimja Kryeministrit i paskan servirë një “rrenë klluqe”. Duket qartë që Kryeministri nuk e ka parë ende këtë nen specifik të ligjit. Kryeministri i Shqiperisë, z. Edi Rama, nuk duhet t’u zërë besë as enveristëve përreth tij, që e gënjejnë kaq vrazhdë e trashë në lidhje më periudhën që ligji i jep në shqyrtim ISKPK; nuk duhet të më zërë besë as mua, që mund të kem “konflikt interesi” në këtë çështje. A ka punë më të thjeshtë e më të pastër sesa të shohësh vetë ligjin nr.10242 për Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit”? Aty thuhet gjithçka qartë e shqip:
“a) “Periudha e komunizmit” është periudha e historisë së Shqipërisë nga 29 nëntori 1944 deri më 8 dhjetor 1990, si dhe periudha përpara datës 29 nëntor 1944, gjatë së cilës është zhvilluar veprimtaria, që ka përgatitur ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste të Shqipërisë, e cila, më pas, u shndërrua në Partia e Punës e Shqipërisë”. (Neni 3, përkufizime, pika “a”).
Pra si t’ia bëjmë asaj pjesës “si dhe periudha përpara datës 29 nëntor 1944”?
Kryeministri për këtë periudhë – para 29 nëntorit 1944 – përdor pjesëzën mohuese “nuk mund”. Po ja pra, që Ligji thotë “mund” dhe ne e kemi zbatuar atë sipas standarteve europiane. Le ta marrë pra përgjegjësinë ai që e ka informuar qëllimisht gabim Kryeministrin.
Dhe pikërisht në këtë mundësi që hap Ligji për të studiuar krimet e komunizmit edhe para 29 nëntorit 1944, ka vend (e them ndershmërisht) realizimi i një prej ideve antikonformiste të shprehura në fillim të viteve ’90 nga Kryeministri vetë, si ky citim pikant:
“Duhet pranuar më në fund hapur, që lufta kundër okupatorit degjeneroi nënjë luftë të përgjakshme civile… shkaktare e së cilës ishte Partia Komuniste shqiptare e drejtuar nga emisarët jugosllavë”
(“Refleksione”, Shtëpia botuese “Albania”, Tiranë 1992, f. 180-181).
Asokohe unë isha student i Letërsisë në Filologjik, i dehur me lirinë dhe miqtë e grupit poetik “E për-7-shme”, mendoja se komunizmi dhe enverizmi kishin rënë, vdekur pëfundimisht. Nuk ia vlente të merreshe përveçse me art, poezi e karagjozllëqe të moshës. Por “Refleksionet” dhe gazetën “Albania” të Ramës dhe Klosit si dhe publicistikën ala kubofuturiste të Ramës, e lexonim me qejf, sidomos çmitizimin e tabuve, ndër to dhe të luftës së kanonizuar sipas biblës së kuqe enveriste.
Por sot, me 5 maj 2019, Kryeministri më përmendi në mesazhin e tij qetësues për të shqetësuarit e kotë. Përmendi hetimin parlamentar, nëse ne jemi konform ligjit. Dhe… nëse puna jonë ka sjellë dëm…
Dëm kujt? Të vërtetës, apo enveristëve? Ne me punën tonë po provojmë se tezat e tij të vitit 1992 në Refleksione, janë absolutisht të drejta e të vërteta, sepse konfirmohen në arkiva. Edhe këte e kemi bërë konform ligjit, siç e patë më sipër.
Sidoqoftë, Kryeministri duhet të ri-informohet, të mos shurdhohet nga kori enverist dhe përfytyrimet e tyre të përçudshme mbi lirinë dhe pavarësinë shkencore të institutit tonë të Pavarur.
Misioni i tyre është vetëm shëmtimi. Një katastrofë estetike si ata, përcakton dhe katastrofën etike ku janë katandisur.
Nuk bëhet aspak fjalë këtu për fyerje a cënim të vlerave të luftës. Nëse shëmbëllimi del monstruoz, s’është fajtore pasqyra. Enveristët dhe ish oficerët e Sigurimit, këto dy tumore në trupin e drobitur të Shqipërisë, kërkojnë pushtetin, kanë synimet e tyre (vizione antiutopike për ne), sepse duan të ngjallin së vdekurish kohën e Lugatit.
Nuk mendoj se është e hijshme e as e mundshme për shoqërinë tonë të shkurtohet distanca me Europën dhe BE me këto krijesa të Qoftëlargut.
Kryeministri mund të urdhërojë me pushtetin që ka gjithë ingranazhet e qeverisë dhe Parlamentit. Mund ta mbyllë dhe Institutin tonë, që studion krimet e komunizmit. I ka këto mundësi. Të gjitha. Thellësisht potente. Thellësisht jodemokratike. Sidomos në këtë periudhë kur Parlamenti është monist. Kur vëzhguesit e huaj thuajse nuk ekzistojnë. Kur institucionet dhe shoqatat për të drejtat e njeriut, thjesht janë servilë, tejet të neveritshëm.
Ne s’kemi askënd krah, përveç të drejtës dhe ligjit dhe… po, vetëdijes për ta administruar shkëlyeshëm sferën e lirisë sonë, të cilën, së paku formalisht na e garanton Kushtetuta.
Por ne do të provojmë të mbrohemi me logjikë, arsye e dinjitet, kundrejt një kryqëzate fanatike enveriste, deri më tash, vetëm me solidaritetin e pjesës më serioze të shtypit.