Ilir Levonja: Paradoks pas paradoksi kjo jeta jonë shqiptare
A ishte Italia pushtuese? A ishte Gjermania e tillë? A ka pasur luftë të mirëfilltë nacionalçlirimtare? A ka pasur luftë civile mes shqiptarëve? A bashkëpunoi ‘Balli Kombëtar’ me pushtuesit? Po kolaboracionistët, ata që bashkëpunuan bën qeveri me pushtuesit, a janë tradhtarë? Po data 5 Maj a i përfshin të gjithë dëshmorët realë, duke patur parasysh se Shqipëria nga mesjeta kanë qënë e pushtuar? Përse pikërisht vrasja e Qemal Stafës e një komunisti, (megjithëse ka dyshime edhe për një vetvrasje të tij) duhet të njihet si dita e të rënëve për liri? Nuk ka rënë kush më përpara? Nuk ka të tjerë që kanë rënë mirëfilli në një betejë, se sa si ky në një përpjekje me forcat e policisë? Po në mbretëri nuk ka pasur ditë të rënësh për liri? Përse i fillojmë dhe trumbetojmë të gjitha nga 1944-ra e këtej, megjithëse nga ana tjetër festojmë mbi njëqind vjet shtet sovran? A shkelën ndonjëherë italianët në Skrapar? Po gjermanët? Sa është në fakt numri i atyre që luaftuan? Sa është numri i atyre që u vranë? Po në veri a kishte me të vërtetë çeta partizanësh? Po kleri katolik a ishte me të vërtetë reaksionar e bashkëpunëtor i pushtuesve?
Ka akomë edhe më. I gjen nëpër web-et tona. Me shumicë. Nga ana tjetër paradoksi më i hidhur është se koha na ka vënë përballë po me pushtuesit. Aktualisht fituesit e luftës suportojnë një qeveritar kundër luftës së atëhershme. E mbrojnë në politikat afruese edhe pse dështon ditë pas dite me pushtuesit. Rasti konkret Gjermania dhe zonja e hekurt Merkel. Por ky nuk është kolaboracionist, por arkitekt në thonjëza kjo, i futjes së Shqipërisë në Europë. Kolaboracionistë ishin Mustafa Kruja dhe Ernest Koloqi, megjithëse të dy intelektualë 100 karatsh. Po sot aktualisht dhe paradoksalisht Gjermania është vendi më i lakmuar nga njëzetëvjaçarët shqiptarët. Kohë të reja, por asesi mendime të reja. Avazi i xhaketave me dekorata shkumon, megjithëse nuk u mjaftojnë pensionet, jetojnë në vetmi sociale etj.
Po sot paradoksalisht shtëpitë e tyre i meremetojnë me çfarë sjellin djemtë dhe bijat nga Italia dhe Gjermania. Po kështu presin për donacione nga andej. Dhe kur nuk na i japin u nxjerrim Erion Braçen t’u bërtasi, tradhtarë, kuislingë, duçe, hitlerë etj. Europa e tyre është një katran me bojë. Përse, sepse nuk na japin më ndonjë donacion. Pra poshtë Gjermani, rroftë Gjermania. Poshtë Hitleri dhe o burra mbush rrugët me Benza e Porsche…një vetpushtim. Më i keq nga ai viteve të luftës, më i mbrapshtë së ai. Dëgjova një historian që çfarë nuk tha për kolaboracionistët, kuislingët etj…, pa e vrarë fare ndërgjegja se nga njohja e ndërsjellë, i rrëfeu gazetares për suksesin e fëmijëve të tij në Gjermani.
Por s’ke ç’i bën jemi të tillë, bori, hori, paradoks modern i sojit shqiptar. Që të gjitha i kuptuam dhe reflektuam. Veç e përgjithmonë, vetveten jo!
6 Maj 2019.