Albspirit

Media/News/Publishing

Ushtarakja humbi jetën në mision në Letoni, majori në gjendje kritike, rreshteri del nga spitali

Dalin detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë të kësaj të hëne në Letoni, ku humbi jetën nëntetarja shqiptare Zarife Hasanaj, si pasojë e shpërthimit të një mine. Krahas ushtarakes së ndjerë mbetën të plagosur edhe dy kolegë të saj, njëri prej të cilëve po lufton me jetën. Bëhet me dije se ditën e sotme rreshteri i Forcave të Armatosura, Julian Kapaj ka dalë nga spitali. Ndërkohë gjendja e majorit Klodian Tanushi paraqitet tejet kritike. Mësohet se mjekët po punojnë për ta mbajtur në jetë, për shkak të gjendjes së tij të rëndë, si pasojë e dëmtimeve të marra. Shpërthimi i minës ndodhi mëngjesin e kësaj të hëne në Letoni, ku Forcat tona të Armatosura janë përfaqësuar me një kontigjent në kuadër të misionit të NATO-s “Enhanced Forward Presence”. Grup i kontigjentit të asgjësimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive, gjatë kryerjes së detyrës së tyre, në ora 9.10 të ditës së djeshme 6 majit, mbetën të dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura. Ngjarja ndodhi gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e NATO-s ku ishte zhvilluar një stërvitje ushtarake e një prej aleatëve. Nga ky shpërthim mbeti e plagosur dhe më pas humbi jetën nëntetare Zarife Hasanaj. Të plagosur mbetën edhe komandanti i kontigjentit, Major Klodian Tanushi dhe Rreshter Julian Kapaj.

Please follow and like us: