Ambasadori Bardhyl Canaj pret Jonida Maliqin: Suksese Shqipërisë në Eurovision!
Ambasadori i Shqipërisë në Izrael, Dr. Bardhyl Canaj, priti sot në Dan Panorama Hotel në Tel Aviv, këngëtaren Jonida Maliqi dhe delegacionin shqiptar që merr pjesë në Eurovision 2019, eventi më i madh muzikor evropian që këtë vit do të zhvillohet në Izrael, në datat 14-18 maj.
“I urojmë Jonidës dhe ekipit shqiptar, suksese në performanën e tyre me “Ktheju Tokës”, një himn i vërtetë që rezonon vlerat tona kombëtare”, shkruan ambasada shqiptare në një postim të sajin në rrjetin social Facebook.
Në takim ishte edhe zëvendësmbasadorja e Shqipërisë në shtetin hebraik, Sonila Vathi.
“Performanca e Jonidës në provat e gjysmëfinales të zhvilluara dje, mori vlerësime maksimale nga ekspertet e muzikës dhe organizatoret, të cilët nuk munguan t’i bënin publike komentet e tyre duke vlerësuar nivelin artistik të këngëtares, muzikën dhe tekstin si dhe paraqitjen dinjitoze ne provat e gjysmëfinales”, thuhet më tej në njoftim.
Festivali Europian i Këngës – Eurosong Contest – është pritur me mjaft interes në Izrael, ku do të marrin pjesë artiste nga gjithë Evropa dhe me gjere, si dhe pritet nje numër i jashtëzakonshëm turistesh te vizitojnë Izraelin këto ditë.