Albspirit

Media/News/Publishing

E talentuara Albana S. Rama, jeta e së cilës u ndërpre në moshën 19 vjeç

IN MEMORIAM

 

Sakip  Cami

 

Albana Rama u lind në Tiranë në gusht të vitit 1975 nga dy prindër dibranë Serveti dhe Nexhmija. I ati, Servet Rama ishte ushtarak  në një repart të Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë, ndërsa e ëma Nexhmije Cami (Rama) ishte ekonomiste në Ndërmarrjen Bujqësore  Tiranë. Albana  ishte fëmija e dytë vajzë pas Loretës. Ata banonin në Rrugën “Vllazen Huta” pranë Ministrisë së Jashtme fare pranë me shtëpinë private të aktorit Prokop Mima.

E rritur dhe e edukuar nga dy prindër model, Albana u bë një nxënëse e mirë në mësime, por që kishte pasion sportin dhe muzikën. Pas shkollës 8 vjeçare filloi Gjimnazin “Ismail Qemali” , fare pranë shtëpisë. Që në shkollën 8 vjeçare u aktivizua me ekipin e atletikës të fëmijëve të “17 Nëntorit”  të Tiranës. Në shkollën e mesme ajo u trajnua nga mjeshtrat Pëllumb Agalliu dhe Kozeta Bakiu dhe u dha pas aerobisë artistike. Rezultatet dhe sukseset ishin të dukshme e të sigurta. Pasioni, vullneti, këmbëngulja, serioziteti, përkushtimi e bënin këtë talent që ta donin të gjithë. Mori pjesë me grupet  që përfaqësonin Shqipërinë në Moskë, Sofie e Paris.

Ishte viti 1992. Sapo kishte filluar demokracia. Egzistonin akoma vështirësi ekonomike e pengesa shoqërore e botëkuptime të prapambetura, por Albana u ngrit mbi paragjykimet e kohës. Ajo e krahasonte Shqipërinë me  Europën. Ajo e maste punën e saj me atë që ku duhet të arrinte Shqipëria. Ajo ishte më përpara se shumë nga ne. Ajo ishte e ardhmja, ishte pararoja.

Baletmaestrja Kozeta Bakiu e këshilloi që të merrte pjesë  në spektaklin televiziv “12 vallzime pa një të shtunë” me regjzore Vera Grabockën dhe moderator Adi Krastën.

Albana filloi stërvitjen nën drejtimin e Kozetës. Kozeta e donte si vajzën e saj. Albana  kishte partner shokun e shkollës Enton Lugën. Shumica ishin balerinë të shkollës së baletit.  Albana dhe Entoni konkuruan krahas të mirënjohurve Ilir Shaqiri, Ueda Elsajed, Klejdi Kadiu, Oriada Islami, Albi Nako, Ema Troplini, etj dhe arriti të futej në pesëshen e më të mirëve.

 

Balerinët e famshëm Klejdi Kadiu dhe Albi Nako, bashkëkonkurentë të Albanës

Pas një viti mori pjesë edhe në spektaklin tjetër televiziv: “Për rreth fatit për 12 javë”. Sukseset vazhdonin njëra pas tjetrës. Ishte maturante. Përgatitej për provimet e maturës dhe për të konkuruar për studime jashtë shtetit.

Ishte 1 maji i vitit 1994. Albana nuk kishte mbushtur 19 vjeç. Udhëton për në Gjirokastër. Por një aksident fatal e godet fort në shtyllën kurrizore. Spitali ushtarak, sot ai i traumës, nuk arrin tja shpëtojë jetën. Goditja ishte fatale. Kështu me 2 maj 1994 u shkëput në mes jeta dhe karriera e një prej talenteve të rralla të aerobisë artistike dhe të baletit, Albana Ramës.

Një ditë më pas në shtëpinë e Albanës trokiti profesoresha e Albanës baletmaestrja Kozeta Bakiu, e cila kishte sjellë ftesën për një aktivitet ndërkombëtar. Kërkonte pasaportën për të nxjerrë vizën. Ajo mbeti e befasuar me lot në sy kur mori vesh për vdekjen e papritur të Albanës. Pas 25 vjetësh e kontaktova Kozetën dhe e pyeta për Albanën. E si mund ta harroj Albanën, u shpeh ajo. Talente si Albana rrallë lindin. Ishte jo vetëm talent , por edhe një vajzë e urtë që nuk e kishte shoqen.

Gazeta “Zëri i Popullit e datës 4 maj shkruan për ndarjen nga jeta të Albanës. Edhe sot në internet qarkullojnë kërcimet e Albanës. I kanë hedhur shokët dhe shoqet e saj. Albana nuk ka vdekur. Ajo rron dhe do të rrojë sepse rron vepra e saj.

Fotografia e Sakip Cami

 

 

 

 

 

Please follow and like us: