Klevis Balliu: Nuk më lanë të vizitohesha, më nxorën te dera dhe më kthyen prapë
Nga Gjykata e Tiranës, ku pritet të caktohet masa e sigurisë ndaj tij, ish-deputeti demokrat Klevis Balliu deklaroi se prangosja e tij është bërë me urdhër politik. Ai pretendon se nuk mund të shihte për disa orë gjatë shoqërimit në komisariat, për shkak të gazit të përdorur nga policia. “Policia pasi pranoi dhe më nxorën deri te dera, çuditërisht pas një urdhri të dytë të ardhur përsëri nga larg më rikthyen brenda dhe më lejuan që të shkoja në spitali. Dhe kontrolloni kamerat, kur dy oficerë të policisë ka rrezik edhe ky që paska qenë me krahë të thyer, qenka kaq i mirë sa dhe me krahë të thyer më ndihmonte mua të ecja se nuk shihja për shkak të gazit”, u shpreh Balliu. Ish-deputeti mohoi akuzat se i ka thyer krahun efektivit të policisë, duke thënë se për shkak se nuk shihte e kishte të pamundur. Ai i cilësoi si hapat e para të arrestimeve politike “të babait shpirtëror” të atij që drejton sot qeverinë. Ish-deputeti demokrat Klevis Balliu ka dalë sot para Gjykatës së Tiranës, për tu njohur me masën e sigurisë pas arrestimit të bërë lidhur me protestën e së mërkurës në zonën e Unazës së Re, ku pati konfrontime mes banorëve dhe policisë. Nga kafazi i sigurisë, Balliu ka ngritur dy gishtat lartë në pritje të vendimit ndaj tij. Ndërkohë që Prokuroria ka kërkuar si masë sigurie “arrest shtëpie” për ish-deputetin. Policia e Tiranës arrestoi katër persona, për veprime të dhunshme mbi policinë dhe shkatërrimin e pronës, mes tyre edhe ish-deputeti Balliu. Veprimet procedurale ndaj tij dhe të proceduarve të tjerë janë kryer në bazë të një analize të pamjeve filmike, raport shërbimeve, si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor. Nga ana e policisë janë proceduar në gjendje të lirë dhe 23 persona të tjerë, si dhe 3 janë shpallur në kërkim. Të dyshuarit akuzohen për veprat penale “Kundërshtim me dhunë të punonjësit të rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, ‘Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës”. Përplasja e së mërkurës ndodhi pasi banorët e Unazës së Re, po protestonin kundër pranisë së Edi Ramës në një biznes aty pranë.