Dashamir Uruçi: IN MEMORIAM, ESAT BICURRI!
Dashamir Uruçi
Më 7 Maj të vitit 1999 ekzekutohet nga forcat paramilitare e kriminale të Serbisë artisti, intelektuali e patrioti i shquar i Gjakovës, Esat Bicurri.
Ai u vra bashkë me dy vëllezërit e tij duke tronditur rëndë e përjetësisht familjen Bicurri, të afërmit e tij shokët dhe dashamirësit e shumtë të cilët nuk e harruan kurrë.
Esatin e njoha nga afër, në festivalin e parë të këngës kushtuar Kosovës, në vitin 1991.
Ai erdhi në Shkodër u takua me ne dhe mori përsipër të ndihmonte në financimin e këtij aktiviteti shumë me interes dhe të mirëpritur, për të gjithë shqiptarët…!
Esati këndoi në festivalin e parë dhe në festivalin e dytë përsëri edhe ky aktivitet i shoqatës atdhetare-kulturore “Kosova”.
Ai u kujdes për çdo gjë dhe bashkë me Ismet Pejën e Xhevdet Spahinë ndihmuan nga afër, për këto festivale me peshë të madhe për ato vite të para të demokracisë.
Mbështetësit e festivaleve tona ishin Nexhdet Kondirolli e Nexhdet Logja, që të dy njerëz të paharruar për ne për kontributin financiar që bënë për festivalet, kushtuar Kosovës. Që të dy këta njerëz i solli në Shkodër i paharruari Esat Bicurri.
Në festivalin e dytë, ESAT BICURRI fitoi çmimin e parë me këngën “Dashuria për atdheun”. E kujtoj si sot entuziazmin e jashtëzakonshëm me të cilin e priti publiku, çmimin e parë të cilin juria me Pjetër Gacin në krye e ndau për këngëtarin e mirënjohur të Kosovës.
Me Esatin lidhëm shoqëri të ngushtë dhe e mbajtëm sa ishte gjallë, të pastërt e shumë vllazërore.
Më kujtohet si sot ajo ditë e ftohtë kur shkuam në Gjakovë për të përcjellur shokun tonë të ndjerë drejt përjetësisë.
Ishim bashkë me Nikolla Spatharin, Isa Alibalin e shumë të tjerë.
Bëhej rivarrimi i eshtrave të Esat Bicurrit dhe 11 bashkëqytetarve të tjerë gjakovarë.
Një pjesëmarrje e jashtëzakonshme për këto simbole të qëndresës, kundër natës së gjatë serbe.
Edhe më pas, në një veprimtari përkujtimore në teatrin e Gjakovës, unë mora pjesë dhe fola për bashkëpunimin me Esat Bicurrin në veprimtaritë e shumta të shoqatës “Kosova” në Shqipëri.
I thashë ndër të tjera bashkëqytetarëve të Gjakovës se “Esati me këngën e tij e qëlloi armikun më shumë se me plumbat e maliherit…”!
Dhe me të vërtetë, Esat Bicurri, Ismet Peja e të tjerë, me këngën dhe artin e tyre, mbajtën gjallë tek shqiptarët e Kosovës, ndjenjën e lirisë e dashurinë për mëmëdhenë.
Kaluan 20 vjet dhe Esatin nuk e kemi me midis nesh, por e ndjejme si dikur zërin, mirësinë e melodinë e shpirtit të tij të paharruar…!