KUR VIKTIMAT RRËFEJNË HISTORITË E TYRE, STRESOHEN SHKAKTARËT E KRIMEVE
Frank Shkreli, ish-Drejtor i VOA-s për Euroazinë/
“Kur viktimat rrëfejnë historitë e tyre, stresohen shkaktarët e krimeve”, ka thënë disa ditë më parë, Dr. Jörg Lüer, drejtor i Komisionit Gjerman “Justitia et Pax” – “Drejtësi dhe Paqe”, si edhe zëvendës drejtor i Fondacionit gjerman “Maximilian Kolbe”, në një intervistë për radion gjermane “Deutsche Welle”. Dr. Lüer flet në intervistën e tij mbi mungesën e ndjekjeve penale për krimet e komunizmit në Shqipëri, ndërkohë që Shqipëria është përfshirë me një valë debatesh dhe një gjuhë denigruese mbi të shkuarën komuniste dhe me (mos)përballimin e shoqërisë shqiptare me atë të kaluar, 30-vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar. “Duhet të kuptojmë”, është shprehur Dr. Jörg Lüer, “se ka viktima, ka fajtorë, kundrues, ka deformime të shumëllojta të personave e të personaliteteve për shkak të përvojës së dhunës. Shkaktarët përpiqen, si rregull nga ana politike në pozicion më të mirë, siç mund ta shohim shpesh, të hedhin pas historinë e të mos ballafaqohen me të. Viktimat, sigurisht janë të lidhura me këtë histori, ajo është një prerje jashtëzakonisht e thellë në jetën e tyre. E kur viktimat fillojnë të artikulojnë historinë që u ka ndodhur, e dimë se kjo u sjell stres autorëve të krimeve e familjeve të tyre”, ka thënë ai.
Shqipëria është plot e përplot me autorë krimesh të periudhës së komunizmit, disa, madje ende shërbejnë në detyra të larta shtetërore, përfshirë parlamentin. Shumë janë larguar nga vendi dhe ashtu të pa penduar vazhdojnë luftën ende kundër viktimave të tyre. Përveç gazetarëve dhe opinionistëve, në këtë debat dallohen edhe profesorë dhe historianë enveristë, madje edhe anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë – apologjetët e një regjimi kriminal – të cilët ende mbrojnë regjimin komunist. Nga pozitat e tyre gjithnjë të larta në shoqëri, me rroga nga taksapaguesit shqiptarë, përfshirë ish-të përndjekurit e regjimit komunist, arsyetojnë krimet e atij regjimi, nepërmjet shkrimeve dhe deklaratave të tyre publike. Kjo është e drejtë e tyre në një shoqëri demokratike që lejon ushtrimin e fjalës së lirë – ndryshe nga regjimi komunist që ata gjithnjë mbrojnë me çdo mjet në arsenalin e tyre të pa moralshëm.
Ajo që nuk i falet politikës dhe shoqërisë shqiptare – një vendi anëtar i NATO-s dhe që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian, është fakti se këta mbështetës të diktaturës komuniste, sot japin mësim nëpër universitete duke edukuar, ose më mirë të themi, duke helmuar brezin e ri post-komunist të shqiptarëve në këtë frymë dhe ideologji komuniste. Ndërkohë që apologjetët e komunizmit, njëherazi edhe anëtarë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, vazhdojnë edhe në “demokraci”, të bëjnë ende ligjet e vendit.
Ndërkohë që në Shqipëri zhvillohet ky debat i pabesueshëm dhe i pakuptueshëm në çerekun e parë të shekullit 21 – në të vërtetë është më shumë një kacafytje – në një vend që aspiron antarësimin në Bashkimin Evropian, ndërkohë që autorët e krimeve të komunizmit ose mbështetsit e tyre, u vërsulen sot viktimave të tyre të pafajshme, 30-vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar. Është kjo një dukuri e paparë në ndonjë vend tjetër ish-komunist të Evropës. Kjo ndodh vetëm në botën shqiptare!
Në të vërtetë, në Evropën normale post-komuniste, anëtare të Bashkimit Evropian – ndryshe nga Shqipëria anormale që nuk kujton zyrtarisht data të tilla as krimet e komunizmit – organet dhe entet zyrtare dhe jo zyrtare evropiane -– shënuan, javën e kaluar, 10-vjetorin e miratimit nga ana e Parlamentit Evropian, të rezolutës së miratuar (më 2 prill 2009) mbi, “Ndërgjegjen Evropiane dhe Totalitarizmin” (The anniversary of the European Parliament resolution on “European Conscience and Totalitarianism”).
Në njoftimin për media me rastin e 10-vjetorit të rezolutës mbi “Ndërgjegjen Evropiane dhe Totalitarizmin”, botuar më 2 Prill, 2019, në portalin më sipër, thuhet se në atë rezolutë bëhet thirrje për themelimin e një Platforme të Memories dhe Ndërgjegjes Evropiane, në mbështetje të lidhjeve dhe bashkëpunimit midis institucioneve të ndryshme kombëtare, të specializuara në historinë e totalitarizmit, si dhe për krijimin e një qendre pan-evropiane dokumentacioni për viktimat e të gjitha regjimeve totalitare.
“Detyra jonë ndaj viktimave është që të vazhdojmë punën për të kujtuar e dokumentuar krimet e të gjitha regjimeve totalitare dhe të nderojmë të gjithë ata që i kanë kundërshtuar ato regjime. Këto përpjekje janë të përqendruara në të kaluarën, por janë jetike, si për të tashmen ashtu edhe për të ardhmen. Në qoftë se dështojmë të ruajmë dhe të kujtojmë këtë trashëgimi të dhimbshme evropiane, atëherë ne rrezikojmë që të përballemi përsëri me barbarizma të tilla”, është shprehur Dr. Lukasz Kaminski, Presidenti i Platformës së Memories dhe Ndërgjegjes Evropiane, në njoftimin për media, botuar javën që kaloi.
Sa për dijeni, të atyre që mendojnë se në emër të tyre personal ose të partisë që ata përfaqësojnë duan të na paraqesin si “zyrtar” versionin e tyre të historisë së komunizmit, si të vetmen të vërtetë historike të regjimit komunist të Enver Hoxhës, sikur ata kanë monopolin mbi të vërtetën e kësaj historie, Evropa thotë se askush nuk ka monopol mbi të vërtetat historike të asaj periudhe tragjike për Evropën. Ndërsa apologjetët shqiptarë të regjimit enverist, vazhdojnë të mbrojnë tezat e tyre: O me ne ose kundër nesh!
Ndoshta ia vlen, që në këtë 10-vjetor të kësaj rezolute evropiane të kujtojmë disa nga pikat kryesore, për të cilat janë angazhuar vendet që kanë nënshkruar këtë rezolutë. Platforma e Memories dhe Ndërgjegjes Evropiane, thotë se, “Asnjë ent ose parti politike nuk ka monopol mbi interpretimin e historisë, sepse ente ose parti të tilla nuk mund të pretendojnë të jenë objektive”. Për më tepër, vazhdon rezoluta, “Interpretimet zyrtare politike të fakteve historike nuk mund të imponohen nga vendimet e një shumice në parlament”. Sipas rezolutës, “Objektivi themelor i procesit të integrimit evropian është për të siguruar respektin për të drejtat bazë të njeriut dhe për rendin ligjor në të ardhmen”, anë e mbanë kontinentit evropian, ndërsa i konsideron, “Keq-interpretimet e historisë janë shkaktare të politikave përçarëse, të cilat, si rrjedhim nxitin urrejtje dhe racizëm”, thuhet në rezolutën evropiane të vitit 2009.
Rezoluta e Platformës së Memories dhe Ndërgjegjes Evropiane bën thirrje, “Për të kujtuar të shkuarën tragjike evropiane, me qëllim që të nderohen viktimat, të dënohen autorët e krimeve, të bëhen përgatitjet e nevojshme për një pajtim, bazuar në të vërtetën dhe në kujtesën.” Rezoluta thekson gjithashtu se, “Është e rëndësishme që të kujtojmë të gjithë ata që aktivisht kundërshtuan regjimet totalitare, e që duhet të zënë vendin e tyre në kujtesën dhe ndërgjegjen evropiane, si heronj të periudhës totalitare, për dedikimin, besimin, nderin, guximin dhe idealet e tyre”. Në rezolutë shprehet bindja se, “Objektivi përfundimtar i hapjes së dosjeve dhe i pranimit të krimeve të kryera nga regjimet totalitare komuniste është pajtimi, i cili mund të arrihet duke pranuar përgjegjësinë, duke kërkuar falje (nga shkaktarët e krimeve) dhe duke rivendosur një rend të ri moral”, thekson ndër të tjera, rezoluta e Platformës së Memories dhe Ndërgjegjes Evropiane.
Unë kam shprehur vazhdimisht mendimin tim se nuk do të ketë integrim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në qoftë se shqiptarët nuk ndajnë të njëjtat vlera të historisë së vet me evropianët, pikërisht siç është vlerësimi i paanshëm dhe objektiv i krimeve të komunizmit dhe përballimi me të shkuarën komuniste, ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore. Siç ka thënë edhe poetja e njohur amerikane, Maja Angjellu: “Historia, pavarësisht plagëve të dhimbshme, nuk mund të zhbëhet. Por, nëse përballet me guxim, nuk ka nevojë të përsëritet më”.
Për më tepër, ashtu siç jam shprehur shpeshherë më përpara, sidomos duke marrë parasysh debatet e fundit në Shqipëri mbi këtë çështje – fatkeqësisht sot jam më i bindur se kurrë, se nuk do të ketë as paqe dhe as bashkim midis shqiptarëve, në qoftë se në radhët e tyre nuk ka një përballim të sinqertë me të shkuarën komuniste. Sidomos – për derisa midis tyre nuk ekziston një pikëpamje e përbashkët, ose të pakën, një përafrim pikëpamjesh rreth të shkuarës komuniste si një trashëgimi e të gjithëve, gjë që nevojit dhe meriton, jo kacafytje, por një debat të hapur, jo nga ideologë të partisë, por nga njerëz kompetentë dhe objektiv e të paanshëm – midis shqiptarëve nuk do të ketë as pajtim kombëtar. Por, “Para pajtimit duhet të flitet më parë për mospajtimin dhe lëndimet”, ka thënë para disa ditësh në intervistën me “Deutsche Welle”, Dr. Jörg Lüer, drejtor i Komisionit Gjerman “Justitia et Pax” – “Drejtësi dhe Paqe”, si edhe zëvendësdrejtor i Fondacionit gjerman “Maximilian Kolbe”.
Kjo, fatkeqësisht, nuk ka ndodhur ende në Shqipëri. Nga ky këndvështrim, Shqipëria është shumë larg Evropës dhe në nuk përfill rezolutat evropiane në kujtim të viktimave të komunizmit dhe totalitarizmit në përgjithësi. E megjithatë, të gjithëve, Gëzuar 9 Maji, Dita e Evropës!/gazeta dielli/