Albspirit

Media/News/Publishing

Poetja shqiptare Irma Kurti nderohet me çmimin e parë në Itali

 Një sukses për poeten shqiptare Irma Kurti, nderohet me çmimin e parë në Konkursin Letrar Ndërkombëtar: “Scriptura” në seksionin: “Poezi në gjuhën e huaj” në Nola, të Napolit.

Në jurinë e përbërë nga presidentja Anna Bruno merrnin pjesë profesorë, poetë dhe shkrimtarë si dhe personalitete të njohura të artit dhe kulturës si Giuseppe Bianco, Pietro Damiano, Claudio Perillo, Giuseppe Vetromile, etj. Në motivacionin e përgatitur nga profesoresha Regina Celia Pereira Da Silva, ndër të tjera, shkruhet se “kompozimi poetik vë në evidencë realitetin human të ditëve tona, jo vetëm në nivelin personal, por mbi të gjitha në raport me të tjerët. Një lexim analitik e e transporton lexuesin drejt një bote ku e zakonshmja është në rend të ditës. Poetja do të denoncojë dhunën verbale nga e cila sot s’mund të përjashtohet askush dhe që nxit nga ana e saj një dhunë fizike që është në gjëndje të krijojë një luftë private apo publike:  Është bërë e zakonshme që të fyejmë/të nxjerrim mllefin porsi një helm. Raporti me të tjerët, duke hyrë në mendimin dhe në kulturën e tyre kërkon një dëgjim të vëmendshëm, mbi të gjitha nëse bëhet fjalë për Tjetrin që jeton me mua ose që i përket familjes sime: Të ndiejmë se i njejti gjak në vena/ nuk na lidh, po më shumë na largon. Si shkak i këtyre raporteve arrihet deri aty sa të eliminohen fëmijë, gra dhe burra, faji i të cilëve është pafajësia. Ky kompozim lirik përbën atëherë një paralajmërim: të mirëpresim tjetrin tek vetja”.

Irma Kurti ka botuar shtatëmbëdhjetë libra në gjuhën shqipe, njëmbëdhjetë në gjuhën italiane dhe katër në anglisht. Nga publiku njihet si autore e suksesshme e teksteve të këngëve. Ka bashkëpunuar me kompozitorë të ndryshëm për rreth njëqind krijime poetike dhe është vlerësuar me shumë çmime në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

Please follow and like us: