Albspirit

Media/News/Publishing

Romani “Kukulla” i Ismail Kadaresë përkthehet në gjuhën maqedonase

 

Dje në Panairin e Librit në Shkup është prezantuar romani “Kukulla” me nëntitull “Portreti i nënës time” nga autori më i shquar shqiptar dhe një nga shkrimtarët e lartë evropian, Ismail Kadare. Këtë vepër me autobiografi nga gjuha shqipe në gjuhën maqedonase e ka përkthyer Alida Muça.
Në romanin e publikuar në vitin 2015, së pari në gjuhën shqipe, ndërsa dy vite më vonë edhe në gjuhën franceze ai përshkruan vendlindjen e tij dhe hollësisht figurën e nënës së tij, të cilën kurrë nuk kishte mundur ta kuptonte plotësisht. Mundohet të zbulojë pse i ishte dukur si kukull. Romani rrëfen jetën e saj prej ditës së martesës, kur shkon si nuse në shtëpinë e madhe të Kadarenjve, e deri në ditën e vdekjes. Romani “Kukulla” është publikuar në gjuhën frënge, italiane, spanjolle, kroate, romake, ndërsa tani edhe në gjuhën maqedonase. Letërsia kritike këtë vepër e vlerëson me notat më të larta që është një nga veprat më të rëndësishme të Kadaresë.

 

Romani “Kukulla” i Ismail Kadaresë

Pas publikimit si pjesë e librit “Mëngjeset në kafe Rostand” dhe më pas botimit në frëngjisht, “Kukulla” botohet si libër më vete në shqip dhe i përkthyer në frëngjisht. Një roman që Ismail Kadare ia kushton nënës së tij. Teksti, një rikthim në sfondin dhe personazhet e “Kronikë në gur”, zbërthen një enigmë, atë që thuajse gjithë jetën e Kadaresë mbeti një kod i padeshifrueshëm por i pashmangshëm, të ëmën. Një rrëfim për moskuptimin midis tyre, që jo vetëm nuk e pengoi për asgjë, po kishte qenë, siç shkruan Kadare, ndoshta më i duhuri nga gjithë moskuptimet. Një marrëdhënie e vështirë, gati-gati e munguar e fëmijës, më pas e shkrimtarit me të ëmën, e përshkruar më së shumti nga dhembshuria. E bashkë me të, edhe mendimi se do të ishte pikërisht ai, biri i vet, shkaktari i ankthit më të madh dhe njëherazi të kotë të së ëmës, frikës së mohimit. “Një kukull e brishtë, naive, e parritur, e pazonja për t’u përballur me botën, me një marrëdhënie të vështirë me të vjehrrën, që përveç vetmisë e vret më shumë pasiguria”. Ky është portreti që Kadare e vizaton dhembshurisht për të ëmën. Sa më shumë rritet, aq më tepër ia kupton brengën, tmerrin e saj prej kukulle, që nuk do t’i ndahet derisa ajo mbyll sytë, në prillin e vitit 1994. E kësisoj largohet nga kjo botë e lehtë, tamam si një kukull prej letre.

Please follow and like us: