Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: 65 vjet bektashizëm shqiptar në SHBA

Në një kronikë nga “Zëri i Amerikës” të hënën, mësohet se Teqeja e parë Bektashiane shqiptare në Shtetet e Bashkuara mbushi 65 vjet. Siç dihet, Teqeja Bektashiane e themeluar, më 15 Maj, 1964 ndodhet në Tejlor të Miçiganit dhe është themeluar nga Baba Rexhepi, njëri prej udhëheqësve më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan, të shekullit të kaluar. Si shumë shqiptarë të njohur të tjerë të gjeneratës së tij, Baba Rexhepi u largua nga Atdheu, ashtu që të shpëtonte nga përndjekjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, siç e pësuan shumë klerikë të tre feve kryesore të shqiptarëve dhe në vitin 1964 themeloi Teqenë në shtetin Miçigan të Amerikës, aty ku ishin vendosur shumë familje shqiptare, të arratisura pas ardhjes në fuqi të regjimit komunist në Shqipëri.

Dihet se dy karakteristika dalluese të Bektashizmit janë misticizmi dhe liberalizmi. Baba Rexhepi citohet të ketë thënë se “Bektashizmi është një sekt liberal i fesë Islame, i frymëzuar nga ndjenjat më të thella të vullnetit të mire dhe vëllazërimit midis njerëzve”. Në këtë frymë, Baba Rexhepi kishte hapur edhe Teqenë në Tejler të Miçiganit, duke u premtuar të gjithëve, pa dallim se, “dyert e Teqeve Bektashiane janë gjithmonë të hapura për të gjithë njerëzit, shqiptarë dhe të huaj, pa marrë parasysh fenë, origjinën, ngjyrën, racën ose klasën shoqërore të tyre. ‘Shtëpia e Haxhi Bektashit’ është shtëpia e të gjithëve’, ka thënë Naim Frashëri. Kjo është tradita që ndiqet nga Teqeja jonë, e cila i mban dyert e hapura për të gjithë. Dhe duke ndjekur rrugën e Haxhi Bektashit, ajo gjithmonë predikon paqen, dashurinë dhe vëllazërimin midis të gjithë Shqiptarëve dhe me të gjithë njerëzit”.

Kjo frymë hapjeje dhe përfshirjeje ndaj të gjithëve vazhdon të pasqyrohet edhe sot në 65-vjetorin e saj — nga teqeja shqiptare në Miçigan, aktualisht e drejtuar nga Dervishi i kësaj Teqeje, Eliton Pashaj. Ashtu si edhe qendrat e tjera fetare në shqiptare në Shtetet e Bashkuara, edhe Teqeja ka luajtur rolin e saj fetar, natyrisht, por edhe ka shërbyer si qendër atdhetare për të gjithë, pa dallim partie, feje ose krahine. Dervishi aktual u shpreh kështu për Zërin e Amerikës: “Shqiptarët kur vinin në Teqe e ndienin sikur shkonin në Shqipëri. Teqeja ishte si Shqipëria e vogël. Vinin, qanin hallet të gjithë ballistët, nacionalistët dhe zogistët. Teqeja ishte vendi ku të gjithë i harronin bindjet politike të veçanta dhe bashkoheshin për të qarë hallet për Shqipërinë. Dhe Baba Rexhepi i frymëzonte dhe i mbante me shpresën se një ditë Shqipëria do të jetë e lirë dhe të gjithë do të arrinin të shikonin familjet e tyre”.

Ashtu siç ishte traditë qysh nga koha e Baba Rexhepit edhe për shënimin e këtij përvjetori, teqeja kishte mbledhur komunitetin dhe përfaqësuesit fetarë të tij, që së bashku të festojnë këtë përvjetor të rëndësishëm për të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikan – jo vetëm nga pikëpamja fetare, por edhe nga pikëpamja atdhetare. Sipas, VOA-s, për këtë rast, nga Shqipëria kishte ardhur Baba Mondi, udhëheqësi botëror i urdhrit Bektashi, ndërkohë që të pranishëm ishin gjithashtu edhe Imam Shuajb Gërguri, përfaqësues i komunitetit mysliman dhe Dom Ndue Gjergji, përfaqësues i komunitetit shqiptar katolik në Miçigan, i cili kujtoi lidhjet dhe trashëgiminë që kanë lënë pas tre paraardhësi të tyre dhe lidhjet me teqenë shqiptare në Tejlor të shtetit Miçiganit. “Ne me këtë komunitet, na lidhin ata tre themeluesit e mëdhenj, të tre qendrave tona fetare: Baba Rexhepi, Vehbi Ismaili i Qendrës Islamike dhe Dom Prenkë Ndrevashaj i kishës sonë Zoja Pajtore. Kanë qenë tre njerëz me vizione, tre njerëz të mëdhenj, të cilët në mërgim u kanë dhënë njerëzve tanë shpresën, besimin, vlerat tona kombëtare. Ajo që kleri ynë gjithnjë e ka thënë: feja, atdheu. Unë nuk dalloj; bektashinjtë, të krishterët dhe katolikët, tanë jemi një”.

Shprehjet atdhetare dhe njerëzore të klerikëve tanë shqiptarë, sidomos për botën e sotme të ndarë dhe të përçarë nga pikëpamjet e ndryshme politike dhe fetare, kanë pasqyrua, historikisht, dhe vazhdojnë të pasqyrojnë ndër vlerat më të mira tonat, si shqiptarë dhe si fetarë.

Këtë mesazh, Teqeja Bektashiane në shtetin Miçigan të Shteteve të Bashkuara e ka jetuar dhe zbatuar për 65 tani, për të gjithë ata që kanë dashur dhe duan ta shohin. Këto mesazhe, në të vërtetë, nuk kanë nevojë për komente shtesë pasi flasin vet vet edhe në këtë 65-vjetor – duke shprehur filozofinë dhe duke theksuar veprat e Bektashizmit, bazuar në paqe e dashuri, në radhë të parë midis të gjithë shqiptarëve pa dallim, por edhe midis njerëzve kudo në botë. Për 65 vjet tani, Teqeja Bektashiane – e themeluar nga i mirënjohuri për komunitetin shqiptaro-amerikan, por edhe më gjerë, i përndershmi Baba Rexhepi, ka shndritë si një yll dritë bashkëpunimi e pajtimi midis shqiptarëve. Falë shembullit të Teqesë Bektashiane, themeluesit të saj Baba Rexhepit dhe pasuesve të tij, veprimtaria dhe bashkëpunimi prej dekadash midis qendrave fetare shqiptare dhe udhëheqësve të tyre në Amerikë, kanë qenë një frymëzim për të gjithë, duke treguar se feja dhe kultura vetëm mund të fisnikërojnë kombin tonë dhe jo ta dëmtojnë.

Baba Rexhebi, themeluesi, frymëzuesi dhe shtylla e kësaj qendre për dekada, i cili ndërroi jetë më 1995, për fat të mirë, jetoi për të parë rivendosjen e Bektashizmit në Shqipëri, që së bashku me besimet e tjera, ishte zhdukur me ligjet absurde kundër fesë të regjimit të Enver Hoxhës, që kishte shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë. Si rrjedhim, klerikët e të gjitha feve e pësuan shumë keq nga regjimi i Enver Hoxhës, përfshirë klerikët bektashianë.

Aq keq e kishte pësuar kleri bektashian nën regjimin komunist të Enver Hoxhës saqë sipas të dhënave të Teqesë Bektashiane në Miçigan, kur më 1991 u rivendos liria e fesë, në Shqipëri kishin mbetur gjallë vetëm pesë baba dhe një dervish, prej rreth 100 që jetonin në vitin 1967, kur Shqipëria vendosi arbitrarisht të ndalonte fenë me ligj dhe të burgoste ose të zhdukte klerikët e të gjitha feve. Por ishte Baba Rexhepi ai që e mbajti gjallë Bektashizmin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rrjedhimisht edhe në Shqipëri. Ai meriton kredinë, pasi ishte motori shtytës i veprimtarisë dhe i jetës fetaro-shpirtërore si dhe i rolit dhe i veprimtarisë patriotike dhe shoqërore të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara, në përgjithësi. Gëzuar 65-vjetori i themelimit të Teqesë Bektashiane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./gazeta dielli/

Please follow and like us: