Video/Protestuesit rrethojnë paqësisht Kryeministrinë
20:26 – Është kërkuar ndërhyrja e zjarrfikësve pranë godinës së Kryeministrisë për të shuar flakët e ndezura aty nga hedhja e bombave molotov. Shishet e qelqit, të mbushura me benzinë dhe kapsolla bëjnë që flakët të jenë edhe më të mëdha në momentin e shpërthimit.
20:13 – Tensionohet përsëri situata në krah të lulishtes pas godinës së Kryeministrisë. Disa prej protestuesve hodhën bomba molotov duke i vënë flakën edhe disa tendave, ndërsa policia është kundërpërgjigjur menjëherë duke hedhur gaz lotsjellës.
Ora 20: 10–Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës: Kjo ndodh kur shikon shume episode “Game of Thrones” dhe e vetmja alternative qeverisëse te duket zjarri i dragoit! Nisen si te dhunshëm, përfunduan si telendare! Tirana nuk thyhet nga nje stan me lepuj! Puna, jo dhuna; e drejta, jo e liga; e mira, jo rrugaceria – kjo triumfon!
Ora 20: 00 “Liri a vdekje, deri në fund. Demokraci e vdekje! Më këto fjalë e mbylli fjalën e tij kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Pasi ndezën dhe dritat e telefonave turma nisi të zhvendosej për të rrethuar Kryeministrnë, ndërsa nisën dhe përplasjet. Policia përdor gaz lotsjellës.
Ora 19: 45- Lulzim Basha: Asnjë prej nesh këtu nuk ka ardhur të lëndojë e të prekë asnjë prej vëllezërve dhe motrave tona me uniformë. Qëllimi ynë këtu është të dërgojmë një mesazh të prerë dhe final kryehajdutit, kryebanditit në krye të qeverisë s ëpaligjshme, Edi Ramës dhe skotës së tij të hajdutëve. Dhe mesazhi ynë për të është “Rama ik”. Ndaj le të vazhdojmë miqtë e mi qëndresën tonë, misionin tonë, protestën tonë, sepse misionin tonë nuk ka forcë që ta ndalë.këtë betejë ne nuk e bëjmë për pushtet, këtë betejë ne nuk e bëjmë për parti, këtë betejë ne nuk e bëjmë për karrige, këtë betejë nuk e bëjmë për mandate. Mandatet tona ishin të vetmet mandate të pastra nga krimi dhe paratë e drogës, por ne ua kthyem qytetarëve
Ora 19: 43- Reagon presideni Meta: “Presidenti i Republikës, Ilir Meta është duke ndjekur me shumë shqetësim protestën e opozitës dhe u kërkon të gjithëve të ruajnë qetësinë, të evitojnë aktet e dhunës dhe konfrontimet, që mund të shkaktojnë lëndime në njerëz dhe dëme ndaj institucioneve”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.
Ora 19: 37- Reagon Sandër Lleshaj: Me Molotov nuk ndërtohet demokracia, por synohet të shkatërrohet Shqipëria. Por kjo gjë është e pamundur! Ftoj qytetarët e përgjegjshëm të distancohen nga sulmi ndaj institucioneve. Askush nuk mund ta djegë Shqipërinë përsëri!
Ora 19: 30- Policia hedh gaz lotsjellës
Ora 19: 25-Luzlim Basha: Jemi sot në një udhëkryq të tmerrshëm produkt i një njeriu dhe klanit të tij të babëzitur, ndaj jemi këtu për ti dhënë një mesazh të prerë: Nuk të lëmë më të bllokosh rrugën drejt Europës. Rama ik! 6 vite e gjysmë të sundimit kriminal të Ramës e kanë lënë Shqipërinë jashtë europës, vendi i vetëm në botë pa gjykatë kushtetuese. Sot drejtësia shqiptare është më e kapur se kurrë, kjo është vepra e zezë e Edi Ramës dhe bandës së tij kriminale. Rama ik! Të çlirojmë Shqipërinë nga zgjedhjet me krimin dhe kriminalet. Është sot detyra më e lartë patriotike, parakushti për të hapur rrugën e bllokuar të Europës. Pa euro nuk ka shpëtim. Kjo rrugë nuk mund të hapet sa që krimi është ulur në tryezën e kabinetit qeveritar.
Ora 19:23 – Policia ka marrë urdhër të hidhet gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, si dhe të përdoret autoboti për të shuar flakët e krijuara nga hedhja e shisheve me benzinë në drjetim të Kryeministrisë dhe kryesisë së Kuvendit. Ndërkohë që para turmës po flet lideri i opozitës, Lulzim Basha, oficerët e policisë janë pajisur të gjithë me maskat kundërgaz për t’u përgatitur, ndërkohë që i bëhet thirrje protestuesve që të mos hedhin bomba molotov.
Ora 19: 15-Përplasje mes policisë dhe protestuesve. Zjarr para Kryeministrisë. Disa protestues kanë hedhur bomba molotov dhe i kanë vënë flakën derës së Kryeministrisë dhe godinës së kryesisë së Kuvendit, ndërsa të tjerë janë përleshur me policinë për të çarë rrethimin.
Ora 19: 10-Monika Kryemadhi: Kam një mesazh për Edi Ramën, duhet të kuptojë se me ata njerëz aty në shesh, për një sekondë zyra e tij pushtohet. Do jetë shumë me keq për të, nëse qytetarët do të hynë në zyrë. Ndaj duhet t’iu jap zgjidhje të lira dhe të ndershme atyre.
Ora 19:05 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shoqëruar nga disa studentë nga vendet e Bashkimit Europian, pjesëtare të forumeve rinore të Partive Popullore Europiane, i bashkohet protestuesve në bulevard.
Ora 18: 45-Sheshi përpara Kryeministrisë është duke u mbushur me protestues të shumtë. Po ashtu kanë nisur edhe hedhjet e tymueseve, apo dhe boja në drejtim të Kryeministrisë. Protestuesve iu janë bashkuar edhe pjesëtarë të Aleancës për Teatrin, një grup aktivistësh dhe artistësh të cilët kundërshtojnë projektin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një godine të re.
Ora 18: 30- Përpara Kryeministrisë ka nisur mbledhja e protestuesve, në protestën e 4 kombëtare të opozitës kundër qeverisë së drejtuar nga Edi Rama. Kërkesat e opozitës mbeten të njëjta, largimi i kryeministrit Rama dhe qeveri tranzitore që garanton zgjedhje të lira e të ndershme. Nuk ka ende një skenar se si do të zhvillohet protesta e opozitës, ndërsa është folur se do të zgjasë deri në mesnatë.
Video/ Nga sheshi i protestës këta fëmijë tërheqin vëmendjen
18:00 –Përpara Kryeministrisë, aty ku do të zhvillohet protesta e opozitës aktualisht ka një numër të lartë efektivesh policie si dhe gazetarë që do ndjekin live protestën. Por 30 minuta përpara nisjes së marshimit opozitar, ajo që na bëri përshtypje ishin dy fëmijë të vegjël, që të shoqëruar nën rrimet te muzikës dhanë shfaqjen e tyre në kërcim. E madje ia arritën të tërhiqnin vëmendjen e gazetarëve dhe njerëzve që ishin në Bulevard.
Mbështetësit e opozitës nisen nga rrethet, tensione në Berat
Mijëra mbështetës të opozitës janë nisur nga qytete të ndryshme të vendit për t’iu bashkuar protestës së opozitës para godinës së Kryeministrisë, që pritet të nisë në orën 18:30.
Informacionet e para bëjnë me dije se katër protestues të PD-së nga Berati janë shoqëruar në polici për motive ende të panjohura. Protestuesit e ndaluar janë shtetasit me iniciale R.S., K.S, M.B. dhe Xh.Xh.
Opozita proteston, policia blindon institucionet
Sot opozita do të zhvillojë protestën e saj të katërt të madhe, që pas dorëzimit të mandateve parlamentare. Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë masat për tubimin që do të mbahet përpara godinës së kryeministrisë. Mësohet se prej mbrëmjes së ditës së premte, efektivët e Tiranës kanë kaluar në gatishmëri, ndërsa në terren sot do të jenë 1,200 policë, duke përfshirë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA.
Gjithashtu, do të sigurohet me forca policie edhe godina e Parlamentit, duke qenë se në të shkuarën protestuesit janë zhvendosur nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit në zonën përreth Parlamentit. Ndërkohë, nga opozita nuk është publikuar ende një plan se çfarë do të ndodhë në protestën e sotme./Opinion.al