Albspirit

Media/News/Publishing

BE, apel opozitës për protestën e së hënës

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë kërkon që në protestën e së hënës të ketë vetë përmbajtje. Në një deklaratë për mediat, theksohet se protesta paqësore është një vlerë thelbësore e një demokracie moderne evropiane, por BE kërkon që udhëheqësit politikë të tregojnë përgjegjësi.

REAGIMI: Protesta paqësore është një vlerë thelbësore e një demokracie moderne evropiane. Dhuna nuk mund të tolerohet në asnjë rrethanë. Duke pasur parasysh protestat e shpallura sot dhe në ditët e ardhshme në Tiranë, Delegacioni i Bashkimit Evropian u bën thirrje protestuesve dhe udhëheqësve të tyre politikë të tregojnë përgjegjësi dhe përmbajtje. Pikëpamjet e ndryshme politike duhet të trajtohen përmes debatit dhe dialogut.

Kryetari demokrat Lulzim Basha thirri pak pas mesnatës të së shtunës, një mbledhje urgjente të strukturave drejtuese të Partisë së tij, dhe partive të tjera aleate, pas afro 5 orësh të gjata që u shoqëruan me tensione, akte dhune e përplasje me policinë, fillimisht para godinës së qeverisë, më pas para parlamentit dhe në fund para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Në përfundim të mbledhjes ai njoftoi vendimin për të thirrur një tjetër protestë të hënën pasdite. Ndërkohë të dielën paradite gjatë një protestë përpara drejtorisë së policisë së Tiranës, Basha tha se të hënën çdo akti dhune do t’i përgjigjen në mënyrë proporcionale.

Please follow and like us: