Albspirit

Media/News/Publishing

Kleves Bitro: Ku gaboi Sahit Dollapi?!

Image result for sahit dollapi

Akti i shpalljes së luftës nga Edi Rama kundrejt opozitës dhe qytetarëve pati viktimat e dhunës që pashmangshmërisht sjell një akt lufte.
Partia Demokratike me një lloj stepjeje fillestate ndoqi skenarin e dhunës ndaj Sekretarit të vet Organizativ. Vetëm pak ditë më parë, dhuna e pushtetit kishte agresuar ish deputetin Klevis Balliu. Nga ana tjetër, të gjithë ata që kishin naivitetin të besonin se Rama ikën me paqe apo të tjerë të molepsur me interesat e pushtetit që shtrembërojnë e përkulin të vërtetën duke thënë se Rama nuk është ai që është, por çfarë do donin ata të ishte, tashmë janë të demaskuar. Edi Rama nuk do ikë me paqe, largimi i tij do jetë me forcë. Tashmë këtë aksiomë e di edhe Lulzim Basha dhe gjithë kryesia e PD. Ajo që ndodhi me Sahit Dollapin pjesërisht është edhe për faj të tij. Për faj të tij që besonte se mund të merrej vesh me një tepelenas që drejtonte forcat e FNSH me ngjyrat e katranit. Për faj të tij që besonte se policia ishte e shtetit dhe jo e pushtetit. Për faj të tij që bëhej hasëm me protestuesit pse hidhnin kapsolla ndaj uniformave të ndotura, ndërkohë që policia e preu në besë e protestuesit sërish ishin krah tij para godinës dhe strofkullës së të keqes në rrugën “Myslim Shyri”. Sahiti bëri një zgjedhje se ashtu besonte apo se çdo njeri është edhe pak naiv, kjo pak rëndësi ka. Ajo që mbetet si mësim nga pësimi është se shpura e Ramës në Policinë e Shtetit nuk mund të ndahet më nga policët e thjeshtë dhe se PD nuk mund të bëjë asgjë që të bindë pakicën e policëve që të distancohen nga shefat e tyre. Ky është mision i pamundur. Sahiti e provoi mbi kurriz se çfarë do të thotë të mos të të kuptojnë mirësinë, jo se është tropojan e mbase ngatërrohen dialektet me tepelenasit, por se ai që është në gjenezë i keq mbetet i tillë deri në fund. Ndaj butësia e Sahitit nuk i bëri punë as tij dhe as PD-së. Sahit Dollapi ka një provë edhe më të vështirë tani dhe këtë e ka me qytetarët dhe votuesit e opozitës. Ai duhet të provojë se mund të çlirohet shpejt nga duart e përlyera të policisë së pushtetit që të mbrojë më pas demonstruesit e opozitës që duke mbështetur atë dhe të drejtën janë të burgosur si ai. Sa më shpejt të reflektojë së brendshmi Sahiti e sa më shpejt të dalë në liri, aq më shumë njerëz do i shkojnë pas. Në të kundërt, gabimi i tij njerëzor për t’u sjellë i civilizuar me një të pangjashëm me të, mund të kthehet në problem besueshmërie që nuk inspiron qytetarët të qëndrojnë me çdo kosto përballë të zinjve të pushtetit.

Please follow and like us: