Mehmetali Rexhepi: Shpirti i djerrinës
askujt nuk i takoja
pezull si krejt gjithësia
*
le të rrotullohem si globi
të më fërkojnë stinët e përziera
veçse më mungoi boshti
dhe shkrihem si kripa
e dheut i shtohet njelmësia
*
askujt si takoja
një torzoje e sfondit të hirtë
në mua hyri djerrina
koka ime mes qindra e mijëra
*
në trastën pa adresë në vetën e harruar
e më flisnin për vetën e tretë
së cilës iu kishin kalbur dërrasat e çatisë
dhe i rridhte kulmi prej majës në palcë të shtëpisë
*
rrëqeth dëftorja e asaj mynxyre
e shkrepura e një rebeli flaku heshtjen
betohej një tjetër
për ndjeshmërinë
assesi të mos hysh e të lagësh sedrën
*
hyj dhe dal kur nuk bie shi
po si dikur kisha ndjesi
*
autorët anonimë që dhimbjen e mbollën
hoqën maskat vetëm kur e korrën
*
ju lutem ma gjeni trastën me kokën time
atëbotë vërtet do të marr e jap dhimbje
nuk dua të më lagë llullën dhimbja juaj
kështu thërriste shpirti i një djerrine.
Gjilan, më 12 mars 2019.