Kush po keqpërdor forcat speciale RENEA, gjuha e urrejtjes para protestës
Fake news (lajmi i rremë) është nga problemet që e gjithë bota po përballet ditët e sotme. Megjithatë duket se individë të caktuar, për interesat e tyre, po përdorin rrjetet sociale për të shpërndarë mesazhe urrejtje dhe dhune. E tillë është dhe faqja, RENEA.al në Facebook, e krijuar në 8 prill të 2018. Kjo faqe, me rreth 25 mijë ndjekës që keqpërdor emrin e forcave speciale RENEA, ka bërë një postim këtë të hënë, para protestës së opozitës ku gjuha e përdorur është e rëndë.
Në postim përdoret një gjuhë e ashpër ndaj protestuesve, ndërsa paralajmërohen se nëse do të ketë konfrontime atëherë do të marrin përgjigjen e merituar. Ky postim ka marrë qindra shpërndarje dhe komente.
Nga një vëzhgim i aktivitetit të kësaj faqeje, rezulton se përdoret për mesazhe propagandiste në favor të qeverisë.
Në kodin penal, ekziston një nen (Neni 265) për nxitjen e urrejtjes ose grindjeve që dënohet nga dy deri në 10 vjet burg./ Opinion.al/