Mijëra protestues nga rrethet vërshojnë drejt Tiranës
Pas protestës madhështore në mbrëmjen e së shtunës, pasditen e sotme opozita do të zhvillojë një tjetër, që sipas PD-së do të jetë marshim proteste. Mësohet se marshimi i opozitës mund të vijojë dhe të zhvendoset te godina e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të bllokuar dorëzimin e listave nga partitë që janë regjistruar në zgjedhje, por edhe nga të pavarurit. E ndërsa na ndan edhe pak kohë nga kjo protestëmarsim, nga Berati, Fieri, Vlora, por edhe qytete të tjera të vendit protestuesit janë nisur drejt Tiranës. Rreth 1 000 protestues nga opozita e Beratit janë nisur drejt Tiranës. Kryetari i degës së PD-së Berat Gazmend Azizi ka deklaruar se u nisën drejt protestës së Tiranës rreth 600 protestues, ndërkohë që nga LSI-ja konfirmohet një numër prej rreth 400 protestuesish të nisur në protestën e madhe të opozitës së bashkuar. Nga selia e Partisë Demokratike janë nisur në orën 15:00 të ditës së sotme 3 autobusë dhe rreth 100 makina private, ndërkohë që nga LSI-ja janë nisur 3 autobusë dhe rreth 50 automjete të vogla me protestues. Ndërsa nga Korça mësohet se të paktën 1600 mbështetës të PD dhe qytetarë do të marrin pjesë. Ndërkohë, sipas kreut të degës lokale të Partisë Demokratike Andrea Mano numri i qytetarëve pjesëmarrësh është më i lartë nga çdo herë tjetër. Nga Devolli janë nisur rreth 900 protestues, nga Pogradeci mbi 800 dhe nga Kolonja të paktën 500 protestues. Qytetarët janë ftuar në këtë marshim proteste për mbrojtjen e demokracisë dhe shkëputjes së politikës nga krimi, si garanci për zgjedhje të lira e të ndershme dhe qeverisje të përgjegjshne që punon për mirëqenien e qytetarëve.