Ndue Ukaj: Demagogët janë fatkeqësia më e madhe e një kombi
Udhëheqësit e vërtetë, që kanë parime dhe janë të njerëzishëm, e orientojnë popullin e vet drejt qëllimeve të përbashkëta dhe solidare, ndërkaq udhëheqësit e këqij dhe jo të vërtetë, e trullosin popullin dhe ndikojnë që ai të fragmentohet, të humbë besimi në drejtësi dhe në të mirat e përbashkëta, siç kanë bërë udhëheqësit shqiptarë, të cilët qeverisin pa kurrfarë parimesh, nuk janë të vërtetë e as të njerëzishëm.
Prandaj, tani e sa vite, kemi parë udhëheqës që konvertohen brenda nate. Sa i sheh në taborin komunist sa në atë antikomunist. Sa i sheh “dishepuj” të demokracisë perëndimore sa “ithtarë” të tiranëve të lindjes; sa “europianë” të thekur sa “lindorë” të devotshëm; sa duke e përbuzë një fe sa duke u lutur në atë fe. Të tillët nuk janë të vërtetë në asnjë punë, sepse ata nuk besojnë në asnjë parim dhe nuk udhëhiqen nga asnjë parim. Ata parim dhe qëllim kanë pushtetin. Të tillët, me një fjalë janë demagogë dhe ata janë fatkeqësia më e madhe e një kombi.
Një shoqëri kurrë nuk mund të trulloset e të stërkeqet, nëse ajo në ballë të saj ka elita të përgjegjshme, të vërtetë dhe që udhëhiqen mbi bazë të parimeve humane, besojnë në të vërtetën, flasin me njerëzi dhe angazhohen në dobi të asaj çka është res publica.