Një shëtitje përmes mrekullive të Tiranës
Sejdo Harka
Reportazh
Sapo dëgjon vargjet brilante të këngës qytetare tiranase “Ku ka si Tirana…”, para sysh, si në një ekran gjigand, të shpalosen konturet e një qyteti, sa të lashtë, aq dhe të ri, me një bukuri mahnitëse. Ky qytet është Tirana, kryeqendra e ekonomisë dhe zhvillimit, e kulturës dhe arsimit, promotorja e zhvillimit të gjithanshëm të Shqipërisë. Mjafton vetëm pyetja retorike pohuese: “Ku ka si Tirana”, për të kuptuar se në vendin tonë, nuk ka qytet tjetër të dytë si ai. Tirana është e papërsëritshme, jo vetëm për pozicionin gjeografik, por edhe për infrastrukturën e saj dhe gjelbërimin, për arkitekturën dhe bukurinë e saj të papërsëritshme. Tirana, ose siç quhet ndryshe, zemra e Shqipërisë, e shtrirë në Ultësirën Perëndimore të vendit tonë, gati e baraslarguar nga të katër pikat e e horizontit të hartës së saj, kufizohet me Durrësin dhe Elbasanin, me malin e Dajtit dhe gjerdanin e kodrave të bukura të Kamzës dhe Yzberishtit, të Vaqarrit dhe Saukut, të cilat i rrinë asaj mbi krye si kurorë e artë, nga kreshtat e të cilave të fanepsen majat e kalave të lashta mesjetare, si ajo e Petrelës dhe e Prezës, e Dorëzit, Përsqopit dhe e Tujanit. Po ta vështrosh Tiranën nga lartësitë e Dajtit, herë i ngjan nje cope qielli shumëngjyrësh, i zbritur si me dorë nga vetë Zoti dhe herë sidomos mëngjeseve, si një pus i frikshëm, mbuluar me re të zeza smogu, si frut i hidhur i njeriut të papërgjegjshëm dhe ‘vetvrasës’. Tirana, ky qytet i bukurive përrallore, njëkohësisht është dhe vendi i diferencave dhe kontrasteve të mëdha ekonomike dhe shoqërore, politike dhe social-kulturore, fatkeqësisht me një trend thellimi, gjithnjë e më të madh, gjë që ndikon ndjeshëm për thellimin e mëtejshëm të polarizimit shoqëror dhe politik të vendit. Ajo është qyteti i lirisë dhe i ëndrrave, i luftës dhe barrikadave, qyteti i rrëmujës dhe i rrëmetit, i stresit dhe i qejfit; qyteti, ku njerëzit e punës, siç thuhet dhe në vargjet e një parodie qytetare “shtypen nga mashtruesit e mercenarët/prokurorët dhe gjyqtarët” dhe “qeveritë që s’bien nga froni”. Tirana është, sa e qetë dhe e dlirë, aq dhe “e çmendur dhe e mpirë”. E megjithatë, tiranasit nuk e ndërrojnë atë me asnjë qytet tjetër. Ndaj i këndojnë asaj me vargun brilant e kuptimplotë: “Si do që të jesh, ti je e jona”.
Në gjurmët e Tiranës së hershme
Për Tiranën janë thurur jo vetëm qindra këngë e poezi, por janë shkruar e botuar edhe shumë libra e studimenga studjues e publicistë të spikatur si Kristo Frashëri, Osman Myderizi…dhe gazetarja Rezarta Delisula, e cila kohët e fundit ka botuar albumin “Tirana mahnit”. Sipas Kristo Frashërit dëshmitë e ekzistencës së shoqërisë njerëzore në këtë trevë i tokojnë Paliolitit të vonë. Themeluesi i Tiranës së hershme është Sulejman Pashë Bargjini, me orgjinë nga Mulleti, që në vitin 1614. Por emri Tiranë, për herë të parë është përmendur në dokumentat e Venedikut, që në vitin 1408. Versionet e prejardhjes etimologjike të emrit të këtij qyteti janë disa, por ne po përmendim vetëm dy prej tyre. Sipas gojdhënave, emri ‘Tiranë’, mund të ketë ardhur nga emri i pijeshitësit Tyrhan, i cili në vitet 1460-70, menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut, shiste pijet e tij të preferuara për banorët e këtyre anëve. Versioni i dytë është se emri i kryeqytetit tonë të sotëm mund të ketë ardhur nga emri i kështjellës mesjetare Tyrhanos, emër që me kohë ka evoluar në ‘Tiranë’. Si qendër e madhe tregëtare e Shqipërisë , Tirana e atyre viteve, do të bëhej mollë sherri midis sundimtarëve më të zëshëm të kohës, siç ishin Ibrahim Pashë Bushati dhe toptanasit e Krujës, të cilët, sidomos këta të fundit, i sollën Tiranës një zhvillim të kënaqshëm për kohën. Ky zhvillim do të marte një hov të ri, veçanërisht në fillimin e viteve 1900. Që në vitin i905, Pazari i Vjetër i Tiranës kishte 480 dyqane të rikonstruktuar. Në këtë qytet, më 26 Nëntor të vitit 1912 u ngrit Flamuri i Pavarësisë, dy ditë para se të ngrihej në Vlorë. Më 21 Janar 1920, Kongresi i Lushnjes e shpalli Tiranën kryeqytet të përkohshëm të Shqipërisë, ndërsa më 11 Shtator të vitit 1820, Asambleja Kushtetuese e shpalli atë kryeqytet të përhershëm, ku do të vendosej për gjithnjë edhe selia e qeverisë së Sulejman Delvinës. Si rezultat i marrëdhënieve të mira, që kjo qeveri krijoi me Italinët, infrastruktura e Tiranës pësoi transformime të madha, me frymëmarrje të thellë europiane. Vitet 1925-40 ishin vitet e ndërtimit të kompleksit të ministrive dhe i kryeministrisë, ndërtimi i godinave të Presidencës dhe Akademisë së Shkencave, me një arkitekturë moderrne. Që në ato vite Tirana kishte 3 gjimnaze dhe rreth 130 mijë banorë.
Me bukurinë dhe pastërtinë e rrallë të Tiranës, të huajt janë mahnitur, që kur ajo hidhte hapat e para të qytetërimit.
– Kur u nisa për në Tiranë, tregon një turist i huaj, në vitin 1850- mendoja se do të shihja një çerdhe të errët, të mbuluar me papastërti, por në fakt, vazhdon ai, gjeta një qytet të pastër, të shtrirë në një fushë plot kopshte e pemë, ku askush nuk vuante për bukë. Është vërtet një çudi e rrallë, që Shqipëria e viteve ’30, paskësh patur fatin të bëhej protagonist i Librit Gines për numrin e madh të aerodromeve, jo vetëm në Tiranë, por dhe në shumë qytete të tjera të vendit. Edhe pse kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së mundësive të tjera për trasportin e udhëtarëve, është një mrekulli e rrallë të mendosh se shqiptarët kanë mundur të fluturojnë kaq shpejt me aeroplan, jo vetëm brenda vendit, por dhe jashtë tij. Rrugën e ndriçimit elektrik, Tirana e ka nisur që në vitin 1927, me një central të vogël, për të bërë një rrugë të gjatë drejt ditëve tona me centrale e hidrocentrale moderne. Hapa të vrullshme janë bërë për zhvillimin e medias së shkruar dhe të folur. Nga radioja e parë, që e nisi udhën e gjatë me transmentimin e fjalimit të parë të Mbretit, sot kemi një mori radiosh dhe televizionesh shtetërore dhe private me teknikën më moderrne të transmetimit të programeve të shumllojshme e cilësore, por që jo rrallë vuajnë nga pragmatizmi e politizimi i tepëruar.
Mbrekullitë e Tiranës
Rruga e Tiranës, nga lashtësia deri në ditët e sotme, ka qenë sa e gjatë, aq dhe e vështirë. Në këtë udhëtim të pandalshëm ajo i ngjan një ‘varke’ që duke u vozitur në një det të trazuar nga stuhitë, jo vetëm nuk mbytet e thërmohet, por rritet e forcohet, duke u tjetërsuar në një ‘anie’ moderne, plot fuqi e vrull, për të çarë drejt deteve dhe oqeaneve të botës, pa iu trembur syri. Tirana, nga një fushë e mbushur plot me ferra e gjemba, mbi shtatin e së cilës nisi udhëtimin e gjatë e të vështirë një qendërpazar i hapur javor, ku fshatarët e këtyre anëve shisnin dhe trgëtonin prodhimet e tyre, sot është tjetërsuar në një qytet modern europian. Popullsia e Tiranës gjatë viteve ka pësuar luhatje të dukshme. Një rritje të madhe pësoi kjo popullsi, sidomos pas vitit 1990. Si rezultat i lëvizjes së lirë të qytetarëve, ajo sot ka arritur rreth 1 milion banorë. Përzgjedhja e këtij qyteti si kryeqendra e Shqipërisë, do të ndikonte jo vetëm për rritjen e ndjeshme të popullsisë, por dhe për zhvillimin e gjithanëm të tij. Tiranën do të mundnin ta bënin të konkurueshëm me disa qytete e kryeqytete të Europës, mrekullitë e shumta, të krijuara për një kohë të gjatë, nga mendja e dora e shumë brezave njerëzish. Po cilat janë këto mjedise të këndshme dhe resurse me vlera të mëdha turistike e argëtuese, jo vetëm për tiranasit e gjithë shqiptarët, por edhe për turistët e vizitorët e shumtë që vinë nga të katra anët e botës? Ato, që ne na pëlqen t’i quajmë mrekulli të Tiranës janë të shumta, por në pamundësi për t’i përmendur të gjitha, po ndalemi në disa prej tyre.
Ai që i pret i pari mystafiirët e Tiranës është Sheshi ‘Skënderbej’, i cili edhe pse për vite e dekada me radhë është bërë objekt i ndryshimeve të mëdha, për ta përshtatur me ngjyrat e sistemeve dhe të partive në pushtet, sot ai, me pamjen e tij të mrekullueshme konkuron me sheshet e qyteteve më të përparuara të Europës. Këtë ndjesi shprehin për këtë shesh, jo vetëm emigrantët shqiptarë që rikthehen për ta shijuar këtë bukuri të rrallë, por dhe shumë turistë të huaj. Projekti i tij i parë është bërë që në vitet 20 nga arkitekti italian Armando Brasini. Ndërsa emrin ‘Skënder Bej’ ky shesh e mori më 27 Nëntor 1937. Që nga projekti i parë e deri tek ky i fundit, i projektuar nga një arkitekt francez, ndryshimet janë të dukshme. Nëse gjatë sistemit monist, deri në vitin 1967, në qendër të tij bënte hije monumenti i Stalinit, më pas u vendos, njëherë e përgjithmonë monomementi i Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, vepër e skulptorit tonë të madh Odise Paskali. Ky shesh sot është një mrekulli e vërtetë multifunksionale, me frymëmarrje të gjerë. Ai është konceptuar si një pedonale me bimësi e gurë të shumllojshëm, që kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria.
Një mrekulli tjetër e Tiranës është Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Ai, për herë të parë u projektua dhe ndërtua nga italianët në vitin 1930, projekt, që më vonë u pasua nga zinxhiri i artë i ndërtimeve të tjera, si Pallati Presidencial, Hotel “Dajti”, Sheshi “Nënë Tereza”dhe koppleksi universitar. Këtij zinxhiri të artë, në vitin 1960, do t’i japin frymëmarrje të re, Parku Rinia, Piramida dhe dy kullat binjake shumëkatëshe. Bulevardi Zogu i Parë dhe zgjatimi i tij drejt Paskuqanit, që ka marrë emrin e bukur Bulevardi i Ri, është një tjetër mrekulli, që e ndan Tiranën gati në dy pjesë të barabarta, siç ndan thika, një mollë të artë. Rrugët e saj të gjera e plot dritë, si ajo e Durrësit dhe e Kavajës, Rruga e Barikadave dhe Qemal Stafa, Rruga Fortuzi dhe ajo e Dibrës…të cilat kohët e fundit, janë të shoqëruara edhe nga korsitë e biçikletave, dalin nga qendra e Sheshit ‘Skënderbej’, si rreze që dalin nga qendra e një rrethi koncentrik. Akoma më të bukur e kanë bërë Tiranën, rrugët dhe komplekset e ndërtimeve që janë bërë në zonën e Komunës së Parisit. Nga një vend ku dikur shtriheshin konturet e një kooperative, sotkjo zonë është kthyer në një mrekulli me komplekse të mëdha banimi e lulishte, me qendra të mëdha tregëtare, arsimore, kulturore e sportive postmoderrniste. Trendi i projekteve të reja, tregojnë se Komuna e Parisit, brenda vitit 2022, do të bëhet ndoshta zona më e bukur dhe më e lakmuar e kryeqytetit tonë. Ai që i dha frymëmarrje të re turizmit të Tiranës, është ndërtimi i teleferikut “Dajt- Ekspres”, i cili është quajtur si një nga teleferikët më të mëdhenj të Ballkanit. Ishte filantropi Muhamet Malaj, që këtë mrekulli, të ëndërruar që në vitin 1982, ta bënte realitet në vitin 2005.
Një tjetër mrekulli e Tiranës është xhamia e Et’hem Beut, ndërtuar nga Mulla Beu, që në fillimet e shk.XVlll. Ajo ka qenë dhe do të mbetet, jo vetëm një nga monumentet më të lashta kulturore të Tiranës, por dhe simbol i bashkëjetesës fetare në vendin tonë.
Si pjesë e asamblit të bukur arkitektonik të qendrës së Tiranës, janë dhe Pallati i Kulturës (1959-63),tullat a para të të cilit i vendosi Hrushovi, Muzeu Historik Kombëtar (1981), i ndarë në disa pavione, si Lashtësia, Mesjeta, Rilindja, Pavarsia, Ikonografia, Lufta Antifashiste, Gjenocidi Komunist, si dhe Teatri i Kukullave, Hotel Tirana, Kompleksi Toptani, Varri i Kapllan Beut dhe Kulla Shumëkatëshe, që si duket sundon mbi të gjitha. Zinxhiri i mbrekullive të lashta të Tiranës vazhdon me Kalanë e Tiranës, ndërtuar në gjysmën e dytë të shk. XVIII nga Sulejman e Ahmet Pashë Bargjini, e cila në vitin 1973 është shpallur Monoment Kulture i kategorisë së parë. Një tjetër dëshmi e Tiranës së hershme është Ura e Tabakëve, ndërtuar mes shekujve XVll-XVlll, e cila dallohet për harqet e bukura dhe kalldrëmet e gurta. Aty ku dikur shtrihej Pazari i Vjetër, sot ndodhet Pazari i Ri, rikostruktuar përsëri në vitin 2017, si një atraksion tjetër i rrallë turistik për Tiranën. Krahas mjediseve e asortimenteve tradicionale, janë ndërtuar dhe restorante moderne, në të cilat shërbehen jo vetëm gjellë e pije të traditës, por dhe fruta, perime, mjaltë, vaj ulliri dhe produkte të tjera karakteristike për Tiranën. Aty, pranë rrugës “Naim Frashëri”, ndodhet një vilë e hershme, që daton në shekullin e dytë pas lindjes së Krishtit. Ajo që të tërheq vëmendjen në këtë vilë janë zbukurimet e saj mjedisore, me motive e forma gjeometrike tipike të kohës, të cilat janë pagëzuar me emrin e rrallë “Mozaiku i Tiranës”. Buzë bulevardit të madh është ngritur memoriali “Post -Bllok”. Pjesë e këtij ansambli të rrallë arktiektonik, ku harmonizohen bukur ndjesia e frikës me atë të argëimit, të ideuar nga Fatos Lubonja e Ardian Isufi, janë bërë “Bunkeri”, simbol i perskutimit të shqiptarëve dhe një copë nga “Muri i Berlinit”, i dhuruar nga bashkia e Berlinit. Vlera të papërsëritshme memoriale do të ruajnë për shqiptarët veçanërisht dy Bunk Artete. Buk Arti 1, që i dedikohet ushtrisë shqiptare të sistemit diktatorial, ndërtuar në rrëzë të Dajtit në vitin 1978, të impresionon me arkitetkurën e çuditshme dhe objetket interesante, që të futin në botën e mistershme të atij sistemi të egër. Edhe më i çuditshëm është Bunk Arti 2, i cili ndodhet në qëndër të Tiranëns, pranë bashkisë. Ai i ngjan ‘Pallatit të Ëndrrave’, që ka fiksuar kohën e dhimbshme të përndjekjes dhe perskutimit fizik e shpirtëror të shqiptarëve të dashuraur me lirinë. Një nga mjediset më të frishkme të këtij Bunk Arti është “Shtëpia e Gjetheve”, vendi ku bëheshin kontrolle e përgjime, tortura e internime si dhe dënime të egra, deri ne vdekje, të njerëzve të pafajshëm. Mrekullia më e rrallë e Tiranës është Parku i Liqenit Artificial, ose siç quhet ndryshe “mushkëritë e Tiranës”. Kjo bukuri e rrallë e nisi udhëtimin e saj nga fundi i viteve ’50 me punë vullnetare. Sot ajo është bërë një qendër e madhe shlodhëse, me një sipërfaqe të gjerë, në mes të së cilës ndodhet një liqen prej mbi 550 m katrore. Bukurinë dhe freskinë ia shtojnë, jo vetëm Liqeni i Thatë, kurora e gjelbërt, që rritet nga viti në vit, Kopshti Botanik e Zoologjik, por edhe mjedise të këndshme argëtuese e sportive si Amfitetri Natyral, këndi i lojrave për fëmijë, qendra multisportive, pista e biçkletave, etj.
Së fundi mund të themi see gjithë Tirana është dhe do të mbetet një mrekulli e rralë. Ajo në të ardhmen do të bëhet edhe më e bukur, por nëse nuk do të ‘kafshohet’ nga ndërtimet pa leje, apo nga rrënimi i munumenteve, mrekullive dhe i vlerave të krijuara nga brezat dhe mbi gjithçka nëse projektet për zhvillimin e saj do t’u shpëtojnë lojërave politike e luftës cinike për pushtet e para midis ‘kokorozëve’ të ngujuar në llogoret diametralikisht të kundërta të politikës.