Albspirit

Media/News/Publishing

Ylli Demneri, dëshmitar letrar dhe jehonar i kohës së vet

Fulvia Shtëpani

 

Image result for ylli demneri, me kujtohet 2

 

 

 

Të kesh jetuar diçka, çfardo qoftë ajo, të jep të drejtën e padiskutueshme për ta shkruar. Të vërtetë inferiore nuk ka! Annie Ernaux.

Frymëzuar nga kjo thënie do ta falenderoja autorin e librit  «Më kujtohet 2», që ka ndarë me ne lexuesit pjesë të një të vërtete, të një epoke historiko-socialo-morale, që një brez i tërë ka përjetuar,  sigurisht me ngjyrosje individuale të ndryshme dhe që e mban të kyçur brënda vetes si një relikë të çmuar. Jo të gjithë e kemi dhuntinë e fiksimit të rrjedhës së pashmangshme të kohës, përmes fjalëve, imazheve dhe objekteve ikonike.

Kujtimet personalisht më janë dukur si aizbergët, thonë apo përshkruajnë pak, por fshehin shumë.

E mendoj këtë edhe për librin e Yllit, megjithëse autori fshihet qëllimisht mbas murit të gjykimit, mëkimit të emocioneve dhe interpretimit. Ai na fton në fortesën e kujtimeve, në këtë kullë jete e shpirtrash, si rreth një monumenti historik, duke qënë edhe ai vetë një nga mysafirët, i prekur nga sëmundja akute për rrëfim, e cila në libër shndërrohet në histori të rrëfyeshme. Me thënien e Niçes  ndërmënd, «kemi artin për të mos vdekur nga e vërteta, na  duket sikur autori dhe ne si lexues  mund të shijojmë  sëbashku këtë mozaik kujtimesh shumëngjyrëshe.

E vërteta është si shiu që bie, ndërsa arti çatia poshtë së cilës duhet të futemi për të mos u lagur. Shpesh autorët gjatë shkrimit për të thënë të vërtetën, kanë nevojë për një maskë, thotë Javier Cercas tek «Anatomia e një çasti», por në rastin e librit «Më kujtohet 2», maska është ajo, që në vënd ta fshehi narratorin e zbulon atë. Dihet që letërsia e kapërcen kufizimin njerëzor të harresës, pasi nëpërmjet saj jepen ide e porosi të përbotshme, që kanë qëllim të modelojnë të tashmen mbi bazën e përvojës së shkuar. Autori e shfrytëzon këtë aftësi të shkrimit, duke e përdorur librin si një arkifakt letrar, për të përcjellur objektiven, të ndodhurën, të vërtetën në botën jashtëletrare.

Për të kuptuar më mirë veprën e Yllit do të huazoja shprehjen rizomë, përdorur në literature nga Gilles Deleuze e Felix Gattari.Ashtu si kjo bimë shumërrënjëshe, që indukton modelin e shumëllojshmërisë, autori bashkëlidh elemente kujtimesh heterogjene, duke gjeneruar një multitudë shkëmbimesh. Libri ngjan me një inkubator ekspertize, ku mumifikohet evolucioni i shoqërisë shqiptare të para 90-s.

Ajo që të çudit është tendenca e tij për të refuzuar zbukurimin e kujtimeve me qëllim që të bëj lexuesin të drithëroj, përkundrazi ai godet pasaktësinë, legjendën apo mitizimin.

Fatmirësisht në libër secili nga lexuesit mund të gjej një «Më kujtohet» të vetën , atij i hapet një portë nga e cila futet në labirintin personal të kujtimeve të tij. Më shumë sesa një përmbledhje kujtimesh, do të thoja se libri është në vetvete një refleksion mbi kujtimet, çfarë rigjejmë në to dhe çfarë na rizgjojnë, duke pasur parasysh mostrën në të cilën shndërrohen ato brënda nesh.

Shumë autorë të famshëm si Genet, Gary, Rimbaud, Perec e Cyrulnik, kanë provuar se të shkruarit dhe të lexuarit, mund të shërojnë individët dhe të ndryshojnë jetën nëpërmjet sinergjisë midis fjalës dhe trurit.  Pena është më e fortë se shpata .

Në  librin e tij  «Natën do të shkruaj diej», Boris Cyrulnik i kushton një vënd të vecantë fuqisë së jashtezakonshme terapeutike të fjalës. Akti i të shkruarit dhe të lexuarit mund të shndëroj shijen për botën.

Parë në këtë optikë, Ylli Demneri  formëson me përpunimin e fjalës një strukturë  origjinale e reaktive vërtetësie, në komunion me një fuqi seduktive e auratike, që i dhuron lexuesit një paletë të pasur emotive. 

«Më kujtohet kur prisja me padurim rënien e ziles orën e fundit». «Më kujtohen lulet e akshamit (të kuqe, të bardha, të verdha) të celura në errësirën e oborrit netëve të verës» ( p 66, p. 69, p. 77…ect).

Këtyre frazave në dukje aq të thjeshta, po t’i heqim shprehjen «më kujtohet», kanë vlerën e haïkut-t, që me një dopio pulsion të brëndshëm, i shumfishon vlerën kujtimit duke e kthyer atë në efemerë.

Jo më kot Andre Breton thoshte për fjalën: «Një fjalë dhe gjithshka shpëtohet! Një fjalë dhe gjithshka humbet! Ylli i ka shpëtuar kujtimet me arkitekturën konstruktive e vibruese të fjalës, duke krijuar kështu një rrymë të pazëshme kontekstore në përputhje me mesazhin e brëndshëm që përcjellin  vetë kujtimet.

Që në shekullin e XVIII, G.E. Lessing, dhe dy shekuj me vonë A. Kuk, në mënyrë identike pohojnë se letërsia është art kohor, siç është edhe vetë gjuha një proces kohor.

Në këtë galaksi kohore, autori  duke vendosur në spikamë kujtimet, pas ftohjes emocionale që distanca i ka dhuruar, pikturon me vizionet e konotacionet e tyre  gjithpërfshirëse, tablonë palimpsestmakrokozmosit dhe të mikrokozmosit në vitet e diktaturës.

Është meritë e autorit që arrin t’i shndërroj kujtimet nga sistemi i mbyllur në një sistem të hapur, nga kujtime epokale në kujtime e vlerësime të gjithkohëshme.

Të vërtetat faktike transubstancializohen gati në të vërteta fiksionale, duke u prezantuar dhe u sendërtuar, në një vizion estetiko-letrar të ndryshëm tek çdo lexues.

Askush nuk jeton në të tashmen e menjëherëshme thotë Umberto Eco, që të gjithë i lidhin ngjarjet nëpërmjet funksionit ngjitës të kujtesës, qoftë kjo personale apo kolektive. Sipas tij shkrimi dhe leximi i disa temave të trajtuara lidhet, me kënaqësinë e një komuniteti specifik, kemi të bëjmë me një lloj Darvinizmi kulturor. Temat e së kaluarës trajtohen për hir të nevojës së shkrimtarëve, po aq, edhe të lexuesve, për zbrazje emocionale, të tërhequr nga një forcë manjetike për t’u shëruar nga e kaluara. Kjo marrëdhënie dypalëshe dhënës-marrës (autor-lexues) mund të konsiderohet si një vektor estetik i lidhjes kërkesë-ofertë.

Çdo diktaturë sado e egër qoftë, është e destinuar të zhduket, duke u kthyer në  ushqim estetik  në rrjedhën e kohës, që konsumohet nga individët e një shoqërie të caktuar, shkrimtar apo lexues.

Teksti i librit «Më kujtohet 2»  pasqyron thërmimin e universit të kujtesës, në qindra copëza të vogla, të ndryshme dhe të pamundura të krijojnë mardhënie me njësitë e tjera, pasi mbartin brënda tyre një mëvetësi kuptimore.

Zëri i narratorit i çliruar emocionalisht, eviton qëllimisht gjykimin, marrjen e pozicionin dhe ndërhyrjen interpretuese. Ky detaj thekson raportin me të vërteten dhe zhvesh tekstin nga kostumi moralizues. Autori realizon gjetjen e një këndvështrimi neutral, duke copëzuar të vërtetën e madhe objective, në qindra grimca të vogla të vërtetash subjektive. Këto copëza kujtimesh janë një farë matrice ndjesore ku mbivendosen vlerat e njohjes së vetvetes tek çdo lexues. (f.93, f.95, f.97..)

Përqëndrimi shpesh herë, nuk është tek ngjarja, fjalët apo situata, por tek ndjesia. Dihet që nga momenti që flasim për ndjesinë në mënyrë subjektive, harrojmë të ndjejmë. Ndryshe nga nostagjia, kujtimet nuk kanë gjurmë ndjenjash, dhe mund të kthehen në objekt që na lidh me të shkuarën. Megjithatë ata mund të mobilizojnë, rizgjojnë ndjenja, madje dhe të na torturojnë, siç thotë Albert Cohen tek «Libri i nënës time » :  Kujtimet, kjo jetë e llahtarshme që nuk është jetë por na torturon » 

Nga shumllojshmëria e hulumtimeve rreth ambivalencës së kujtimeve, natyrshëm lind pyetja : A mund të themi që ka kujtime të pastra apo të virgjëra?

 Në këto parfume të shpirtit, siç i quante Georges Sand kujtimet, shkrihen shpesh elemente epokash të tjera, që i japin kujtimit përshtypjen e një realiteti të ndryshëm. Kujtime të virgjera nuk ka, është një jetë tjetër, përjetuar me një personalitet tjetër, që rrjedh nga kujtimet në vetvete. Nuk mund të përmbysim sensin e rrjedhjes së kohës, thotë Boris Vian tek “Bari I kuq”, vetëm  po të jetojmë duke mbyllur sytë e veshët. Kujtimet bëjnë pjesë tek memorja ose më mire tek  memorja-kujtim,  që regjistron të shkuarën në formën e  kujtimit-imazhë. Kjo lloj memorje është e pastër, automatike, soditëse, por dhe thellësisht spirituale. Simbas Bergson-it ajo është dhe memorja e vërtetë. Shpirti është vëndi i së shkuarës dhe trupi vëndi i së tashmes.Shpirti sodit të tashmen, duke qënë i strehuar në të shkuarën. Kur reagojmë nga një stimul i jashtëm, nuk jemi koshient se çfarë bëjmë, jemi në vendin e trupit, në të tashmen. Ky nektar kujtimesh që na serviret në libër në të sotmen,  i ka rrënjët në polenizimin e shpirtit të autorit në të shkuarën.  Personalisht e kam të vështirë të ndaj kujtimet nga përjetimet, megjithëse ka një ndryshim thelbësor në natyrën e tyre. Memorja, kjo zone e ndërlikuar interseksionesh, nuk është një regression i së tashmes në të shkuarën, por një progression i të shkuarës në të tashmen. (f 35, f.49, f.50, f.51….)

Libri duke autonomizuar kujtimet, duke i kthyer ata  në objekt-kohë, e prezanton autorin si një dëshmitar letrar apo jehonar të kohës së vet.

Spikatëse në këtë libër  është spektri  i regjistrit të kujtimeve, ku autori ka derdhur në fjalë apo ka riformuluar edhe ato ngjarje e ndjesi që ngelin nganjëherë  jashtë fjalës apo pa u formuluar. (f. 95, f. 100)

Duke  trajtuar kujtimet në formë të tillë, duke shfrytëzuar trashëgimninë e brishtësinë e mendimeve, autori na ofron jo vetëm një model kujtimesh, por arrin t’i kthej ato në një artifice rimobilizues refleksioni, që i shërben çdo individualiteti mendues.

Ylli Demneri e transformon mozaikun e kujtimeve nga   të përjetueshëm  në  të transmetueshëm, pasi nëpërmjet projektimit apo pikselizimit  ndjesor të kujtimit, lexuesi krijon njëkohësisht eventin e kujtimit dhe stokazhin e tij, duke e përvetësuar atë me konvergjencë dhe në tërësi. Ky detaj delikat që sjell diçka sa konkrete aq dhe të ndjeshme, përbën atë që Barthes quante përshpërima e intelektit.

Në këto copëza kujtimesh gjejmë disa maketa frazash, apo maketa arsyetimi, që i shtojnë forcën tekstit, duke e kthyer atë në një induktor të mirëfilltë vërtetësie.

Zbulohet në këtë mënyrë funksioni bazik i memories, që nuk është thjesht ruajtja e diçkaje në vetvete, por ruajtja e rikthimit të saj, që merr formë dhe shndërrohet në një proces rikompozimi dhe ekuilibrimi përballë kohës. Imazhet që arrijnë tek lexuesi si të vërteta, apo sipas mënyrës së një të vërtete, krijojnë “vatra sensesh”, të cilat thjestësojnë rrugëtimin midis mendimit dhe ngjarjes, midis mendimit dhe referencave kohore, duke i dhënë kujtimeve në këtë formë një kohësi kulturore që i përfshin dhe i tejkalon dhe ato vetë.

Librat e Yllit “Më kujtohet” dhe “Më kujtohet 2”, me thënë të vërtetën sa më kënaqin, aq dhe më turbullojnë. Kam krijuar rreth kujtimeve të mia një sistem meduzor mbrojtës vetëharrimi, për tu futur në një pauzë xheli memorje dhe për t’u shkëputur sadopak nga ri-përjetimet. Ky pushim” i vetëdijësuar, që u trazua më bën të përshpëris nëpër dhëmbë frazën e Cervantes-it: Oh memorje armik vdekjeprurës i pushimit tim ! E në mënyrë paradoksale, në memorjen time, këtë terre d’exil të harresës, rrymat inkoshiente të eksituara nga kujtimet e librit, fillojnë e i impozohen përfaqësimeve koshiente…

 

Libri i Yllit konoton modesti

 

Ai na zhyt në një atmosferë të vyer, ku deshifrohen tre dimensionet e langazhit, shkrimi, fjala dhe heshtja, duke krijuar atë që në mënyrë figurative do ta quaja fole-libër. Heshtja në libër është korniza e  këtyre kujtimeve-imazh. Autori manipulon heshtjen po aq bukur sa fjalën, duke më sjell ndër mënd thënien e Eskilit:  “Enigma i shfaqet atij që di të rezervoj  heshtjen në gjirin e fjales”. Bukuria e librit “Më kujtohet 2” i shfaqet në tërësinë e saj, atij që di të ruaj dhe transkriptoj heshtjen si pjesë integruese e teksteve.

Në gjirin e të pashprehurës,  heshtjen e gjejmë tek ajo e cila  në literature quhet e pathëna dhe e pashkruara. Bonaventure Des Périers mendonte me të drejtë që sfondi i egzistencës tonë është një  heshtje e madhe .

Ajo nuk trajtohet si antagoniste e fjalës, por si e anasjellta e gjithshkaje që bën zhurmë e demostrim të rëndomtë  në aksin e shkrimit.

Kjo na ndihmon të zbulojmë të  padukshmen,  që në pamjen e parë  fshihet në heshtjen e tekstit, në rrjedhjen nëntekstore  të sensit dhe  bashkë me qasjen narrative krijon një lloj  infralibri .

Duke bashkëngjitur me mjeshtri këto copëza kujtimesh, autori ka skalitur monumentin fjalësor të një epoke të tërë, me ngjarjet, problemet, dilemat, vështirësitë dhe pyetjet e saj. Kjo përkon më së miri me thënien e Paul Valery-s,  « T’i ndërtosh një monument të vogël çdo vështirësije. Një tempull të vogël çdo pyetje. Stelën e vet çdo misteri  (f. 118,  f. 119, f .121, f. 131 k).

Stili fragmentar i jep mundësinë autorit të përdori në mënyrë magjistrale dualitetin  plotësi-boshësi , duke impresionuar lexuesin në sensin literal falë njëlloj thjeshtësie rrezatuese në kufijt e sublimes.

Shpesh ndodh që lexuesi nuk shkon në sensin e autorit, ai e çfuqizon autorin. Lexojmë ne menyrë të pavarur, thotë Maurice Blanchot. Shkrimet e Yllit duke zhburgosur strukturën e hermetizuar të gjuhës, na dhurojnë enkas këtë disponueshmëri sovrane dhe na bëjnë të përfitojmë një kënaqësi maksimale nga leximi.

Sipas Javier Cercas e kaluara, sidomos ajo për të cilën ka akoma kujtesë dhe dëshmi, nuk është krejt e kaluar, është një dimension i së tashmes, pa të cilin e tashmja është e gjymtuar.

Autori i librit «Informatorëts» J. G. Vasquez, mendon se shkrimtarët janë në pozicionin më të mirë, për të kërkuar e gërmuar në të shkuarën individuale, kolektive apo dhe në histori. Ёshtë literatura ajo që pas shtetit, historianëve dhe politikanëve, duhet të ngrej dorën e të thotë : Unë kam një version tjetër ! Pasi  të kujtosh është gjithashtu një akt moral .

Parë në këtë optikë, autori i librit  « Më kujtohet 2 », ka realizuar ndër të tjera një akt moral ndaj shoqërisë shqiptare.

Kujtesa është ajo çfarë çdo shoqëri dëshiron të ruajë në memorje, nën këndvështrimin e ngjarjeve historike.

Kujtimet tona përbëjnë aq shumë të asaj  se kush jemi  dhe gjërat që kujtojmë shpesh mund të përkufizojnë përvojën tonë. « Jeta ime  jam unë ?»,  bën pyetjen  shkrimtarja dhe filozofja franceze J.E. Schlanger.

Libri i Yllit  mund të shihet si pikënisje interesante, për një diskutim  mbi nocionin dhe rolin  e kujtimeve, si  inkurajim i formave alternative të të menduarit në lidhje me përkujtimin. Ndër shkrimtarët shqiptarë Kuteli është i pari që vetëdijësohet mbi synimin e letërsisë për të ruajtur kujtesën.

Në Shqipërinë e sotme, kujtimet janë të përfshira në atë që Harald Wydra e quan « demokratizimin e kujtesës » në shoqëritë postkomuniste (Wydra 2015: f 202). Kujtimet janë gjithnjë të riinterpretueshme dhe mund të mbështesin histori të shumta dhe narracione  nganjëherë kontradiktore, pasi kujtimet nuk janë të fiksuara njëherë e përgjithmonë, por  vazhdimisht ndërtohen në të tashmen.

Megjithatë, kujtimet jane një siguri ndaj dështimeve të natyrshme të kujtesës dhe një antidot ndaj kalimit të kohës..

Kujtimet janë gjithçka që vërshon në rrjedhën e kohës dhe s’ka më kthim, gjithçka që i jep formë një çasti të vyer, e vesh me petkun e përfytyrimeve  më të bukra dhe ia  bën dhuratë shpirtrave që e dëshirojnë. Koha zbukuron shpirtrat, shkatërron trupat, shpëton kujtimet (Mazouz Hacène).

 

 

 

Please follow and like us: