Rexhep Shahu: Poetët vdesin të rinj
Një ditë të vonë vjeshte, sivjet, përmes e-mailit më erdhën disa nga këto poezi dhe një pyetje e brishtë: “A ia vlejnë këto poezi… Ju shkrova ju duke menduar se jeni shtëpi botuese për poezinë. U përkëdhela nga ky mendim. Humba në këto poezi, më rrëmbeu pafundësia, më theri dhimbja që mbartnin, më ngritën në qiell, ma bënë të madhe botën, të pafundme ëndrrën, më hyjnore, qiellore e tokësore njëherësh dashurinë. Më godiste në kokë gjithë kohën një pyetje e brendshme: si ka mundësi të jenë kaq të bukura poezitë turke, si ka mundësi që të mos dija për to. Lexoja e mrekullohesha sa më shumë që lexoja. Poezitë goditën në mua si rrallë herë. Dija diçka për poezinë e mrekullueshme greke, serbe, kroate, boshnjake, bullgare, por shumë pak dija për poezinë e madhe turke, për këto poetë turq që ishin shumë të njohur në botën turke e shumë më gjerë në Europë e botë. Ishim edukuar gjithë jetën me poezi ruse dhe më vonë poezi në gjuhën angleze. Por rrotull nesh nuk jemi ndalë fort. Urat në Ballkan nuk i kemi ngritë, dashurinë e kemi kërkuar larg, urrejtjen e kemi mbjellë dhe kërkuar afër.
Një ndjenjë e thellë pendese më skuqi fytyrën, një ndjesi turpi. Përveç dy – tre emrave të mëdhenj të poezisë turke si Nazim Hikmet, Aziz Nesin, nuk dija të flisja për kënd tjetër. Nuk dija asgjë për malet e larta të poezisë turke, asgjë. Nuk e njihja atë planet, nuk dija asgjë për të pasi ai ishte në mua i mbuluar me dogmë e fe islame, me çallma, me mijëra e qindra mijëra ushtarë turq që vinin të ma pushtonin vendin dhe në filma ne bënim male me eshtra të tyre e tonat.
Shkolla dhe propaganda kishin hisen e asaj që ishte ngulitur dhe edukuar se Perandoria Osmane e pati mbytë vendin me prapambetje, injorancë, s’ka lejuar shkollat shqipe në hapësirat shqiptare, na ka mbushur me xhamia, shamia, çallma e telenovela bajate që zënë kohën më të madhe televizive të televizioneve shqiptare. Mendova, sa eksport bajat bëjnë prej Turqie. Çudi, shumë çudi! Pse nuk eksportohet e nuk është eksportuar në botë e në hapësirën shqiptare ky shpirt i madh turk, ky shpirt i jashtëzakonshëm i poetëve turq, por tallavahane?! Pse nuk eksportohet ky shpirt i popullit turk europian, kjo kulturë që e nderon Europa dhe bota? Jam mburrë e krenuar shpesh që shumë shqiptarë, për sa popull kemi qenë, kanë shkëlqyer në kohën e Perandorisë Osmane, në detyra nga më të lartat atje edhe pse duke harruar rrënjët. Kanë mbetur maja krenarie në mua rektori i parë i universitetit shtetëror turk Hasan Tahsini; babai i gjuhës turke, autori i fjalorit turk dhe enciklopedisë turke, Sami Frashëri; Mehmet Akif Ersoj shqiptari që ka shkruar himnin turk; arkitekti i shquar Sinani, që veç tjerave ka ndërtuar pallatin Osman që njihet si Ministria e Urbanizimit atje, personalitete këto me të cilët krenohet Turqia e sotme.
Nuk kam ditë më shumë për poetë e shkrimtarë të mëdhenj turq, që mund të jetë ndonjë edhe shqiptar i zhvendosur nga hapësirat shqiptare në Turqi, që autoritetet perandorake në shekujt e shkuar ia kanë ndërruar mbiemrin me kohë. E ndërtova me mendje në çast një antologji me poetë turq të vjetër e të rij. Dhe mu fiksua numri 100. E ndjeva detyrim që këto poezi, këto copa të shpirtit turk t’ia sjell lexuesit shqiptar. Në shenjë miqësie ndaj popullit turk. Në shenjë nderimi, sepse mu kujtuan mjaft ngjarje në histori, por si dritë e kuqe më qëndroi ndezur fjala e kryeministres turke Tansu Çiller në 1997 për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, moment kur unë i jam trembë si kurrë herë tjetër pushtimit të huaj. Më duket se edhe kështu i përcjell asaj dhe popullit turk mirënjohje e falënderim për atë përkrahje e për miqësinë. Iu përgjigja menjëherë përkthyeses së talentuar Rozana Belli se poezitë janë të shkëlqyeshme, se unë marr përsipër t’i botoj në një antologji, por janë pak, duhen më shumë.
Dhe duke fluturuar ngadalë, ajo përktheu nga pak poezi prej 101 poetëve turq. Më rrëmbeu poezia turke, mu ngjit, këndonte hallet e mia, hallet tona, brengat e dhimbjet tona dhe mu bë shumë e dashur kjo poezi, ky libër, kjo antologji e poezisë turke. Gjerësi e thellësi, thjeshtësi, natyrshmëri, frymëmarrje pa fund, shqetësim e ankth, brenga e dhimbje të mëdha që kanë pjellë poezi të madhe turke.
Kjo botë ka shumë verem, kudo ka shumë verem, ka pak dashuri e shumë vdekje ndaj poetët vdesin të rij, se nuk i përballojnë dot kupat e pelinit të jetës. Një e treta e këtyre poetëve që ka kjo antologji kanë vdekur të rij nga 20 deri në 60 vjeç.
Nuk na mbetet vetëm ta lexojmë shpirtin e popullit turk e të mrekullohemi.
(Pararathënie e Antologjisë me titull Puthje mbi Bosfor, me 101 poetë turq, botim i Shtëpisë Botuese Klubi i Poezisë, Tiranë, shqipëruar nga Rozana Belli, Tiranë 2016, 304 faqe.)