Ilir Levonja: Qasja tek një marrëveshje është qasja tek vetvrasja
Përpiqem të kuptoj këtë punën e anëtarëve në KZAZ, që opozita ka dërguar me motivacionin për të vërtetuar manipulimet e Edi Ramës në zgjedhjet e ardhshme. Por sapo i afrohem seç më lë një shije dyshimi, seç më bën të mbledh supet. Komisionerë kishin edhe atëherë, por sipas video kasetave, përgjimeve shitëblerja e votave nuk ndodhi në pikat e votimit. Ndryshe do kish qënë sikur të kish ndodhur aty. Dhe për më tepër kur thuhet për të vërtetuar manipulimet. Jemi apo nuk jemi për zgjedhje me këtë kryeministër? Kaq! Sinqerisht nuk e di se përse ofrohen lëvizje të tilla, kur tashmë është vërtetuar katërcipërisht se zgjedhjet e kaluara u blenë me paratë e krimit dhe drogës. Madje ishte kjo arsyeja kryesore për djegin e mandatave me premtimin se nuk ka zgjedhje me Edi Ramën. Më duket krejt naive, madje një lloj tërheqje në lojën e Ramës. Eshtë absurde për shkak se gjithë ai investim publik në pjesëmarrje, ka si themel pikërisht injorimin total të zgjedhjeve me këtë kryeministër. Ridalja me dokumente të tjera nuk është argument, por një lloj mëdyshje ku me të drejtë njerëzit mund të hamendësojnë në një lloj marrëveshje pas kuintave si ajo e majit në vitin 2017. Po qe se ndodh kjo atëherë është me të vërtetë një vetvrasje e pastër dhe publike. Kur bëhet fjalë për bojkot total a frontal, as që diskutohen më të tjerat. Në të vërtetë e gjithë situata në Shqipëri është një lojë çibanësh ku dominon absurdi kolektiv. Pasi në vend të dëmeve ekonomike, siç qe ky i radhës me kompaninë Becchet, ku Shqipëria i detyrohet një shumë prej 140 milionë euro si dëmshpërblim. Një shifër që nuk do e paguaj Edi Rama, por shqiptarët. Nuk do e paguaj oligarkia a partneriteti publik privat i qeverisë, ata e kanë çimentuar buxhetin e tyre, por shqiptarët, ata që vinë deri në Tiranë dhe protestojnë edhe pse bie shi. Ishte një argument i fuqishëm për të bërë opozitarizmin e vërtetë. Po të kemi parasysh këtu edhe faturën nga dëshpërblimet për vendet e punës që u publikua pak më parë. Po të kemi parasysh edhe ato faturat e tritolit në shembjet e njëpasnjëshme sapo Edi Rama erdhi në pushtet, në shtatorin e 2013, atëherë në aleancë me LSI. Janë një mal me para që kurrë nuk iu kushtua vëmendja e duhur, megjithëse për këtë kanë faj edhe vet shqiptarët kur mbajnë frymën e presin të dëgjojnë përgjigjen e Ramës se është apo nuk është i droguar? Eshtë një absurd kolektiv i mbytur nga propaganda, që herë më herë rishfaqet në ca mini luftra civile mbi luftën, postet e deri tek dasimet jug e veri. Eshtë kjo arsyeja pse Shqipëria vazhdon të mbahet me donacione pa krijuar asnjëherë një infrastrukturë me investime shtetërore të paktën në mbrojtjen dhe shërbimet civile. Për më tepër që kjo faturë i bie për kokë qeverisjes së ardhshme të opozitës. Mirëpo jemi fokusuar në ca fronte të gabuara, aq sa përbëjnë lajm tashmë artikulimet e Rudinës dhe një kaubojsi Tirone që ka vënë baste dikur me Edi Ramën. Hiqeni nga mendja se nuk ka opozitë tjetër veç atyre që mbushin rrugën. E kur ata nuk duan zgjedhje me këtë që është, nuk duan. Këtu mbaron gjithçka. Ndryshe do i humbni sepse po i zhgënjeni. Dhe gjindja tjetër do vazhdoj të kënaqet me atë lojën e të burgosurit me muret.