Albspirit

Media/News/Publishing

Selami Jenisheri rrezikon mandatin e deputetit, fshehu 8 muaj burg për mashtrim

Pasi u betua këtë javë në Parlament, kryetari i partisë së pensionistëve të Shqipërisë, Selami Jenisheri është një ndër deputetët më të ri të parlamentit të Shqipërisë por dhe më i vjetri në moshë. Ai vjen nga lista e Partisë Demokratike në qarkun e Shkodrës. Megjithëse kaloi pak kohë, derisa të merrte mandatin e deputetit ai e kishte paralajmëruar.  Jenisheri kërkonte nga kryetari i partisë demokratike, Lulzim Basha që t”i rikonstruktonte godinën e partisë së tij, pasi në rast të kundër do të pranonte të merrte mandatin. Kur i erdhi thirrja nga KQZ, ai dorëzoi formularin e dekriminalizimit dhe këtë të enjte mori mandatin. Por News24 ka zbuluar se Selami Jenisheri rrezikon ta humbë sërish mandatin pasi ka gënjyer në deklarimet e bëra në formularin e dekriminalizimit. Ai është dënuar me 8 muaj burg nga gjykata e Shkodrës në vitin 2001 për akuzën e mashtrim, vendim të cilin e ka apeluar në Gjykatën e Lartë dhe kjo e fundit ka lënë në fuqi dënimin. News24 ka siguruar vendimet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe vendimin e Gjykatës  së Lartë. Pra megjithëse ka një vendim të formës së prerë, në formularin e dekriminalizimit, Jenisheri thotë se nuk ka qenë në asnjë rast i dënuar si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Tashmë topi i kalon seksionit të dekriminalizimit në prokurorinë e përgjithshme dhe më pas komisionit qendror të zgjedhjeve. Kreu i Partisë së Pensionistëve Shqiptarë, Selami Jenisheri me shumë mundësi do të jetë deputeti që qëndroi më pak në sallën e parlamentit.

Please follow and like us: