Albspirit

Media/News/Publishing

Paolo Mieli: A ka mbaruar lufta me Evropën?

Po sikur Evropa të ishte në kushte më pak të dështuara sesa perceptohet e përshkruhet, mbi të gjitha te ne? Nëse ajo që ka ndodhur si pasojë e krizës së fundit rrënuese ekonomike, ta ketë fuqizuar në vend që ta ketë katandisur në pikë të hallit? Janë pyetje më se të arsyeshme për atë si paraqitet pragu i votimeve të 26 majit, mbas një fushate zgjedhore në të cilën rrahja e mendimeve ka qenë relativisht e rregullt dhe rreziqet më të mëdha kanë rrjedhur nga Vendi ynë. Përshtypja tërësore është se, mbas një furtune të madhe, mbasi u ndreqën dëmet dhe shtrembërimet, janë të gjitha gjasat për të rimarrë udhën me hapa të mëtejshëm në drejtim të ndërtimit të godinës kontinentale. Madje me pjesëmarrjen edhe t’atyre forcave që deri dje paraqiteshin si kundërshtarë të papajtueshëm të sistemit.

Prej katërqind vitesh, në shkallë evropiane, çdo shekull është pështjelluar nga një kundërshti e dhunshme, të cilin e ka pasuar një periudhë e gjatë shestimi (gjithmonë e turbulluar në secilin rast nga tronditje vendore). Qe kështu në Gjashtëqindën me “Luftën e tridhjetë viteve” (1618 – 1648) e përfunduar me paqen e Westfalisë, ku u përcaktua Evropa e kufijve të sigurt, jashtë rrezikut të luftërave fetare. Në Shtatëqindën me “Luftën e shtatë viteve” (1756 – 1763), të zhvilluar përveç kontinentit tonë, në dy Amerikat, në Hindi e n’Afrikë, aq sa Winston Churchill e quajti atë si “të parën luftë botërore të vërtetë”.

Ndodhi një gjë e ngjashme në Tetëqindën, me luftërat napoleoniane dhe rindërtimin e mëpastajmë t’Evropës, të themeluar në Kongresin e Vjenës (1815). Dhe në Nëntëqindën me dy luftërat e tmerrshme botërore, të cilave u pasoi një stinë tejet e gjatë paqeje: më shumë se shtatëdhjetë vite. Gjithmonë Evropa ka dalë e përcaktuar më mirë dhe e fuqizuar nga këto lloj tërmetesh.

Në njëzetepesë vitet e fundit Evropa e bashkuar kishte vënë si detyrë të forconte e ta bënte përfundimtare paqen e mbas 1945-s. Së paku deri tani e ka plotësuar misionin e saj. Por kohët e fundit të çonte në krizë themelin e BE-së, nuk ishte një luftë, por një krizë ekonomike befasuese dhe ndoshta e paparashikueshme, me një kohëzgjatje dhe përmasa vërtetë të jashtëzakonshme: dhjetë vjet (2008 – 2018). Një krizë kulmore që ka përmbysur planet zgjeruese të secilit prej njëzeteshtatë vendeve të BE-së, ka tmerruar gjithandej opinionet publike dhe ka lëkundur institucionet e gjithë kontinentit. Një testim që ka vënë në një provë të fortë gjithë sistemin evropian e që nuk është e thënë se mund të quhet krejtësisht mbas krahëve tanë. Pasojë e kësaj goditjeje qe, pa asnjë dyshim, vendimi anglez për të dalë nga Evropa (2016). Por fakti që, edhe mbas tre vitesh nga referendumi, procedurat e kësaj daljeje nuk janë përcaktuar ende e, për një fat të çuditshëm, anglezët janë të detyruar të hedhin në kutitë e votimit një skedë të paracaktuar të zgjedhë Parlamentin Evropian ka shtyrë sovranistët nga çdo anë e Evropës të përmbahen nga ideja për të ripropozuar ndonjë formë të tyre “daljeje”. Në mënyrë paradoksale mund të mbështetet ideja se Evropa ka dalë e rifuqizuar, madje edhe nga ngjarja më tronditëse që u zhvillua tri vite më parë në Britaninë e Madhe.

Ku është parë gjithashtu qëndrueshmëria e Evropës? Para së gjithash me krizën greke të 2015-s. Në atë rast Athina ka pasur në timon një udhëheqës, i cili ka sfiduar një referendum të paracaktuar në synimet e propozuesve të krijonte gjasat e daljes së vendit nga bashkësia (ose, së paku, kështu shëmbëllente). Pastaj vetë Cipras mori përsipër një “kurë” ekonomike të paparë ndonjëherë. Që të qëndronte n’Evropë, më pas u ndesh me ministrin e Financave, Janis Varufaqis, që ende sot (në librin “Të rritur në dhomë”) mbron tezën se vendi i tij është thyer para “pushteteve institucionale dhe klikave”. Me këto masa të guximshme Alexis Cipras e mbajti Greqinë në BE dhe po e drejton, me çmimin e sakrificave të pamasa, jashtë krizës.

Zgjedhje të ngjashme kanë bërë edhe qeveritarët e Irlandës, të Spanjës e të Portugalisë. Me këmbëngulje, edhe me çmimin e armiqësimit të elitave intelektuale të vendeve të tyre: pak ditë më parë kryeministri socialist portugez, Antonio Costa, u tregua i gatshëm të hapte krizën e qeverisë nëse Parlamenti do ta kishte detyruar të vendoste një shtesë rroge mbrapavepruese për mësuesit që – janë fjalë të tij – do të kishte marrë në qafë “besueshmërinë ndërkombëtare të vendit”.

Tani ndoshta – siç thonë hulumtimet – Greqia mund të shohë rritjen (35%) e partisë të së djathtës, Demokracia e Re e do të jetë e pranishme në rënien (25%) të asaj të Cipras, Syriza. Është e mundshme që aty këtu partitë sovraniste të kenë edhe rezultate të mira, në ndonjë rast edhe shumë të mira. Por një vështrim i së tërës na shtyn të quajmë një sukses të Evropës faktin që synimet ndarëse të partive të këtilla janë tkurrur mjaft e që një pjesë e mirë e këtyre formacioneve sot janë të gatshme për ujdi politike me partitë e forta të traditës evropeiste, të ngujuara mirë në fiksimin e institucioneve kontinentale.

Ka vetëm një vend, yni, në të cilin drejtuesit e qeverisë janë lëshuar në fushatën zgjedhore në deklarata të panevojshme lufte që – siç ata vetë kanë pasur rast të venë re më parë – mund të kenë si të vetmin efekt atë të rritjes së spredit. Fjalë që – po flasim për lajmërimet e tejkalimeve financiare të Matteo Salvini-t – prodhojnë dëm vetëm për faktin që janë thënë. Italia është i vetmi vend evropian, qeveritarët e të cilit bashkohen me atë shkollë të çuditshme të vetëquajtur kejnesiane, që premton një zhvillim të pamundur që arrihet nëpërmjet shkapërderdhjes së parasë publike, grumbullimit të një tjetër borxhi e ndeshjeve të përhershme me institucionet e Brukselit. Institucione të një Evrope që po e merr veten, edhe se me mund, aq sa nuk është e thënë se do t’ia arrijë e se nuk janë në pritë befasi të reja. Na vjen keq që të tilla të panjohura duhet të vijnë, në pjesën më të madhe, nga Italia./ “Corriere della Sera” – E përktheu Eugjen Merlika

Please follow and like us: